Sedat Peker: I padëshiruar në Turqi, bosi i krimit kërkon strehim në Ballkan

Duke qenë në shënjestër nga sulmet e policisë në Turqi ditën e premte, për të dënuarin për krim të organizuar Sedat Peker nuk ka qenë pengesë që ta takojë një numër politikanësh në Ballkan që kur ai u bë i padëshirueshëm në Ankara.

Policia turke nisi një operacion mbarëkombëtar të premten kundër bosit të shquar të krimit të organizuar Sedat Peker, duke i dhënë një goditje të re nacionalistit të zëshëm që kur ai u bë i padëshiruari i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe iku në Ballkan.

Me një interesim të konsiderueshëm në mediat sociale, 50-vjeçari Peker është i njohur për deklaratat e tij të ashpra nacionaliste, kërcënimet e mëdha dhe për një kohë, lëvdatat e tij për qeverinë me rrënjë islamike nën Erdoganin.

Ai ka kaluar dy vitet e kaluara në Malin e Zi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku gjithashtu ka pasur përplasje me ligjin.

Në një deklaratë të bërë të premten, Departamenti i Policisë së Stambollit tha se policia kishte kontrolluar 121 adresa në shtatë qytete turke, duke arrestuar 49 persona nga një listë prej 63 personash për të cilët kishin urdhër për dyshime se ishin anëtarë të asaj që quhej ‘Grupi i Krimit të Organizuar Sedat Peker’. Peker nuk ishte mesin tyre pasi besohet të jetë jashtë vendit, deklaroi policia.

Ky grup dyshohet për akte të grabitjeve, ryshfetit, lëndimeve trupore, rrëmbimeve dhe kërcënime ndaj njerëzve.

Peker nuk ka komentuar ende mbi operacionin në fjalë gjatë kohës së publikimit të këtij shkrimi.

 

Do t‘iu lajmë me gjakun tuaj’

Djali i një familje migrantësh me origjinë nga Kaukazi, Peker u arrestua në vitin 2005 dhe u dënua në vitin 2007 për themelimin dhe udhëheqjen e një organizate kriminale, për grabitje, falsifikim dhe për dy akuza për burgim të rremë. Ai u dënua me 14 vjet burg, më vonë ky dënim iu reduktua në 10 vjet.

I liruar në vitin 2014, Peker u bë një mbështetës i zëshëm i Erdoganit, duke i përdorur mediat sociale për tu deklaruar mbi nacionalizmin dhe historinë turke dhe për të lëshuar deklarata kërcënuese kundër intelektualëve, politikanëve opozitarë dhe rivalëve kriminalë.

Peker krenohet me më shumë se 1,6 milionë ndjekës në Facebook, gati një milion ndjekës në Instagram, më shumë se 215,000 në Tëitter dhe gati 100,000 në YouTube. 

Në vitin 2016, ai u përball me gjyqin për një kërcënim kundër një grupi akademikësh të cilët kishin nënshkruar një peticion ku kërkohej t’i jepej fund konfliktit gati katër dekadash midis forcave qeveritare dhe Partisë ilegale të Punëtorëve të Kurdistanit, PKK.

“Ne do të derdhim gjakun tuaj në lumenj dhe do t’iu lajmë në gjakun tuaj,” tha Peker në një porosi të postuar në llogaritë e tij të mediave sociale. Një gjykatë liroi Pekerin për çdo prapësi të tij në korrik të vitit 2018.

Ai po ashtu i ka targetuar edhe kundërshtarët e qeverisjes gjithnjë e më autoritare të Erdoganit. Në korrik 2017, ai kërcënoi të varet nga shtizat e flamujve dhe pemët çdo anëtar të lëvizjes Gulen i akuzuar nga autoritetet për krijimin e një grushti shteti të dështuar një vit më parë

Peker u takua me Erdoganin në një pritje zyrtare në vitin 2015, duke biseduar dhe shkrepur fotografi.

Por ai filloi të bëhet i padëshirueshëm dhe në vitin 2019 Peker njoftoi se ishte vendosur në Malin e Zi për qëllime arsimi dhe biznesi. Njëkohësisht Peker hodhi poshtë deklarimet se një urdhër arresti ishte lëshuar kundër tij.

“Unë nuk kam ikur nga Turqia, jam vendosur jashtë vendit,” shkroi Peker në faqen e tij të internetit.

Për herë të fundit Peker e vizitoi Turqinë në vitin 2020 por u detyrua të priste për orë të tëra nga policia kufitare në aeroportin e Stambollit. Në atë kohë, Peker lëshoi akuza kundër dhëndrit të Erdoganit dhe ministrit të atëhershëm të Financave të Turqisë, Berat Albayrak, se e donte atë prapa grilave.

 

Telashe me pasaporta

Në Ballkan, Peker është takuar rregullisht me udhëheqës etnikë turq, boshnjakë myslimanë dhe shqiptarë. Në tetor të vitit 2019, ai u takua me zëvendëskryeministrin e atëhershëm të Malit të Zi, Rafet Husoviqq dhe Ministrin e Transportit Osman Nurkoviq, ndërkohë që zyra e Husoviqit kishte dalë me një deklaratë se Peker kishte sjellë në Malin e Zi një grup investitorësh të mundshëm.

Peker, shpesh i rrethuar nga truprojet, gjithashtu kaloi kohë në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri, duke u takuar me politikanë vendas, përfshirë Enes Ibrahim, udhëheqës i Partisë së Lëvizjes Turke në Maqedoninë e Veriut, Fikrim Damka, udhëheqës i Partisë Demokratike Turke të Kosovës dhe, në Mal të Zi  me Udhëheqësin e Partisë Boshnjake Munir Kolasinaq.

Megjithatë, Peker  ende kishte probleme me ligjin.

Në janar, ai u arrestua në Maqedoninë e Veriut dhe më vonë u deportua në Kosovën fqinje pasi e tejkaloi limitin e vizës së tij 90-ditore. Në Kosovë, autoritetet i thanë BIRN se Peker kishte një leje qëndrimi të përkohshme biznesi të lëshuar në vitin 2014.

Të martën, autoritetet në Maqedoninë e Veriut lëshuan urdhër arrest për arrestimin e të paktën nëntë oficerëve të policisë nën dyshimin e lëshimit të pasaportave të rreme për shtetas të huaj, mes tyre edhe Peker.

Ministri i Brendshëm tha se Peker ishte pajisur me një pasaportë nën identitetin e rremë të banorit të Shkupit Djadin Ademovski.

Të enjten, raportet mediale në Maqedoninë e Veriut i cituan avokatët e Peker duke i mohuar raportimet se Peker ka përdorur dokumente të rreme identifikimi.

 

Përkthyer nga: Nuhi Shala