Së pari zgjedhja e presidentit apo e Qeverisë, flasin nga partitë politike

Konstituimi i legjislaturës së re të Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe zgjedhja e Presidentit të ardhshëm, janë proceset kryesore politike që e presin Kosovën pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat u mbajtën më 14 shkurt të këtij viti.

Megjithëkëtë, më me urgjencë për spektrin politik duket se mund të jetë zgjedhja e presidentit të ri të vendit, për shkak të afateve kushtetuese.

Paraprakisht Kosova kishte mbetur pa president me mandat të plotë pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë, kur ndaj tij u konfirmua aktakuza për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Këtë pozitë që nga 5 nëntori 2020 po e mban si ushtruese e detyrës ish-kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kjo do të thotë që Osmani mund të jetë u.d. presidente më së voni deri në fillimprillin të këtij viti.

Neni 86 i Kushtetutës së Kosovës në pikën 2 saktëson se “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”.

Në anën tjetër, për mundësinë që presidenti të zgjidhet para se të formohet qeveria e re e të mandatohet kryeministri, zyrtarë të partive politike thonë se janë në pritje të certifikimit të zgjedhjeve.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Përparim Kryeziu, ka thënë për KALLXO.com se janë në pritje të fillimit të numërimit edhe të votave me kusht si dhe ato të diasporës të cilat, siç shprehet ai, kësaj radhe janë më shumë në numër se në çdo proces tjetër zgjedhor.

“Vullneti i qytetarëve i shprehur në këto zgjedhje kurrë nuk ka qenë më i qartë. Vendi ka nevojë më së shumti për një qeveri të re, pasi që për më shumë se shtatë muaj ka pasur një jolegjitimet dhe të jashtëligjshme”, vlerëson ai.

Kryeziu ka shtuar se për ta është tejet e rëndësishme që të gjitha votat të numërohen me kujdes e të certifikohen pa humbur kohë, “ashtu që të mund të vazhdojmë sa më parë me formimin e institucioneve”.

Zëdhënësi i LVV-së nuk ka dhënë përgjigje specifike nëse do të ketë gjasa që pas konstituimit të Kuvendit së pari të zgjidhet presidenti dhe më pas formimi i Qeverisë dhe se si do të veprojë kjo parti në atë kohë, a do të mund të iniciohet apo përkrahet ky opsion.

Në anën tjetër, për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), shumë i rëndësishëm është certifikimi i rezultatit zgjedhor dhe krijimi i qeverisë së re.

Kështu ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

“Partia Demokratike e Kosovës do të jetë parti opozitare. Për ne është shumë e rëndësishme certifikimi i rezultatit zgjedhor sa më parë dhe krijimi i qeverisë së re. Kur do të vjen çështja e presidentit pastaj ne do të japim qëndrimet tona në detaje, por deri më tani fokusi ynë është që sa më shpejt të kryhet numërimi, të formohet qeveria dhe të normalizohet situata politike në Kosovë”, ka theksuar ai.

Shkuarja në zgjedhje të reja nacionale u bë me kërkesë të Gjykatës Kushtetuese, e cila në aktgjykimin e saj e vlerësoi si të paligjshme votën vendimtare të ish-deputetit Etem Arifi me rastin e votimit të Qeverisë së kryeministrit Avdullah Hotit.

Kurse, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Rugova ka thënë për KALLXO.com se duhet të procedohet “ashtu siç thotë ligji”.

“Ligji qysh e thotë, ashtu duhet të bëhet. Sipas ligjit të veprohet, s’kam koment tjetër”, është shprehur Rugova.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Megjithëkëtë në Kushtetutën e Kosovës nuk përcaktohet situata si kjo aktualja në Kosovë, se cili institucion mund të mandatohet së pari, qeveria apo presidenti.

Ndërkaq, sa i përket kapitujve që bartin nenet e Kushtetutës për institucionet, në kapitullin e katërt renditet Kuvendi i Kosovës, pasur nga presidenti në kapitullin e pestë dhe Qeverinë në të gjashtin.

Si Qeveria e re ashtu edhe presidenti duhet të zgjidhen nga Kuvendi i Kosovës.

Ndërkaq, as në Rregullohen Kuvendit të Kosovës, nuk specifikohet se cili institucion mund të mandatohet fillimisht nga votimi i deputetëve.

Neni 11 i kësaj Rregulloreje për Mandatin e  Kuvendit, pika 1 thotë se “Kuvendi zgjidhet me mandat katërvjeçar. Mandati fillon nga mbledhja konstituive, e cila mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.

Ndërkohë, ende nuk dihet se kur mund të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke bërë numërimin e votave me kusht, atyre me postë, votat e personave me nevoja të veçanta, si dhe rinumërimin e disa vendvotimeve.

Zgjedhjet e 14 shkurtit fituese e nxorën LVV-në e Albin Kurtit.