Rusët akuzohen për djegien e trupave në një deponi në rajonin Kherson

Ukraina do t’i evakuojë civilët nga zonat e çliruara së fundmi në rajonet Kherson dhe Mykolaiv.

Banorët e dy rajoneve jugore janë këshilluar të lëvizin në zona më të sigurta në pjesët qendrore dhe perëndimore të vendit, mes frikës se dëmet në infrastrukturën e shkaktuar nga lufta janë shumë të rënda për njerëzit që ta durojnë dimrin.

Moska zyrtare ka thënë se është e shqetësuar për atë që pretendon se është bombardimi ukrainas i termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili është nën kontrollin rus. Yuriy Sak, këshilltar i ministrit të mbrojtjes të Ukrainës, kundërshtoi se bombardimi i uzinës së Zaporizhzhia ishte një taktikë ruse që kishte si synim ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike dhe t’i “ngrijë ukrainasit për vdekje”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, u bëri thirrje anëtarëve të NATO-s që ta garantojnë mbrojtjen e termocentraleve bërthamore të vendit të tij nga “sabotazhi rus”.

Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së do të kryejë një vlerësim të uzinës së Zaporizhzhia të hënën. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) tha se forcat pas granatimeve të saj po “luajnë me zjarrin” dhe sulme të tilla rrezikojnë një fatkeqësi të madhe.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se sistemi shëndetësor i Ukrainës “po përballet me ditët e tij më të errëta në luftë deri më tani”. Drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Dr Hans Henri P Kluge, bëri thirrje që të krijohet një “korridor shëndetësor humanitar” për të gjitha zonat e Ukrainës të rimarrë rishtazi nga Kievi, si dhe ato të pushtuara nga forcat ruse.

Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës ka thënë se zyrtarët e saj kanë identifikuar katër lokacione ku forcat ruse torturuan të burgosurit në qytetin Kherson. Ai tha se forcat ruse “krijuan pseudo-agjencitë e zbatimit të ligjit” në qendrat e paraburgimit dhe një stacion policie përpara se trupat të tërhiqeshin nga qyteti jugor ukrainas.

Trupat ruse janë akuzuar për djegien e trupave në një deponi në afërsi të Khersonit gjatë pushtimit të tyre. Banorët dhe punëtorët në kantier i thanë gazetës Guardian se kanë parë kamionë të hapur rusë që mbërrinin në vend me çanta të zeza që më pas iu vunë flakën.

Kremlini zyrtar ka thënë se do t’i sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për ekzekutimin e dyshuar të të burgosurve rusë të luftës në Ukrainë. Rusia i ka akuzuar ushtarët ukrainas për ekzekutimin e më shumë se 10 të burgosurve rusë të luftës, duke cituar një video që qarkullon në mediat sociale ruse. Ukraina i mohon këto pretendime.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka deklaruar se nuk ka plane për të thirrur më shumë ushtarë rusë për të luftuar në Ukrainë përmes një raundi të dytë mobilizimi.

Forcat ruse filluan pothuajse 400 sulme të dielën në lindje të Ukrainës si pjesë e një fushate të zjarrit të artilerisë, ka deklaruar Presidenti Volodymyr Zelenskiy. “Betejat më të ashpra, si më parë, janë në rajonin e Donetskut. Megjithëse pati më pak sulme sot për shkak të përkeqësimit të motit, sasia e granatimeve ruse për fat të keq mbetet jashtëzakonisht e lartë.”

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, forcat ruse po ndërtojnë pozicione mbrojtëse të pajisura pjesërisht nga rezervistë të mobilizuar dobët të trajnuar rreth sektorit Svatove në rajonin Luhansk në veri-lindje të Ukrainës. Me vijën e frontit jugperëndimor të Rusisë që tani është më e lehtë për t’u mbrojtur përgjatë bregut lindor të lumit Dnieper, sektori Svatove ka të ngjarë të jetë një krah operacional më i cenueshëm i forcës ruse, thuhet në raportin e fundit të inteligjencës britanike.

Dyzet e pesë vende dhe institucione do të takohen në Paris të hënën për të premtuar miliona euro ndihmë për Moldavinë, pasi shtohet frika se ky vend mund të destabilizohet më tej nga konflikti në Ukrainë. Moldavia, e cila shtrihet midis Ukrainës dhe Rumanisë, i ka ndjerë efektet e rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë, si dhe mijëra refugjatë që arrijë në këtë vend me një popullatë prej rreth 2.5 milionë banorësh./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala