RTSH Respekton Zinë, Nuk Transmeton Eurovizionin

RTSH ka njoftuar se në respekt të ditës së zisë, së shpallur nga Qeveria shqiptare, nuk do të transmetohet nata e parë e Eurovisionit.

“Në respekt të ditës së zisë, të shpallur nga Qeveria shqiptare, në zbatim të ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë njoftojmë teleshikuesit shqiptarë se nata e parë e Festivalit Evropian, ku konkurron përfaqësuesja e Shqipërisë, Rona Nishliu, do të transmetohet e regjistruar në orën 00.05 të datës 23 maj”, thuhet në njoftim.

Shqipëria ka shpallur ditë zie pas tragjedisë së Himarës, ku humbën jetën 13 persona, 11 studente, shoferi i autobusit dhe i fejuari i njërës prej studenteve, dhe 20 studente të tjera u plagosën kur autobusi me të cilin po udhëtonin ra në një greminë 80 metra të thellë.

Nata gjysmëfinale e Eurovizionit do të mbahet sonte në Baku të Azerbajanit me fillim në ora 21:00 sipas kohës lokale. Rona do të performojë e pesta në skenën “Crystal Hall” në Baku.