RTK në udhëkryq ndërkohë që deputetët të gatshëm për ta shkarkuar bordin

Ndërkohë që parlamenti është gati të shkarkojë bordin e RTK për shkak të nepotizmit dhe keqmenaxhimit, ekspertët thonë se bordi tjetër nuk duhet të politizohet dhe të përvetësohet nga anëtarët e partisë në pushtet.

Ilir Bytyçi, anëtar i bordit të transmetuesit publik të Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës, RTK, e paraqiti dorëheqjen e tij të papritur të enjten, duke pretenduar se ai po largohej për t’u distancuar nga “të gjitha veprimet e paligjshme dhe shkeljet e mundshme të kodit etik” që kanë ndodhur në RTK. Ai gjithashtu e përmendi edhe paaftësinë për t’i “ndryshuar gjërat nga brenda”.

Sali Bashota, kryetari i bordit të RTK, pas lëshimit të një deklarate të tillë tha se dorëheqja ishte e paligjshme, pasi ajo duhej të ishte dorëzuar tre muaj më parë.

Në muajt e fundit, BIRN ka raportuar se ndërkohë që Bashota ishte anëtar i bordit, dhëndri i tij u punësua si roje në RTK, gjë që është në kundërshtim me ligjin, pasi anëtarëve të bordit u ndalohet t’i punësojnë të afërmit e tyre.

BIRN ka raportuar gjithashtu për anëtarët e familjes së ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi të cilët janë punësuar si ekspertë mbi të drejtat e autorit, një kameraman dhe një në departamentin e marketingut.

Akuzat për nepotizëm

Në dy muajt e fundit, Bashota dhe Ngadhnjim Kastrati, Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, u vunë përballë pyetjeve të ashpra lidhur me këto punësime nga dy komisione parlamentare që mbikëqyrin RTK-në.

Bashota pranoi se dhëndri i tij ishte punësuar, ndërsa Kastrati mbrojti punësimin e anëtarëve të familjes Thaçi, duke pretenduar se deputetët nuk duhet të ndërhyjnë në proceset e rekrutimit.

Sidoqoftë, duke i cituar hetimet e BIRN dhe shkeljet tjera, Fadil Hoxha, kreu i Sindikatës së Punëtorëve të Pavarur të RTK-së, me datën 6 maj u takua me Glauk Konjufcën, kryetarin e parlamentit, dhe paraqiti një kërkesë për parlamentin, si organi mbikëqyrës i transmetuesit, për ta shkarkuar bordin.

Përfundimisht, të martën, Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale, Media dhe Zhvillim Rajonal votoi për shkarkim të bordit, pas një rekomandimi nga Komisioni Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Ky veprim hap rrugë për fazën tjetër ku parlamenti mund ta shkarkojë të gjithë bordin e RTK në një seancë që do të zhvillohet javën e ardhshme.

Valon Ramadani, anëtar i komitetit nga partia në pushtet Vetëvendosje, deklaroi të martën se RTK ka nevojë për ndryshim.

“RTK-ja ka nevojë për reformë dhe për më shumë përgjegjësi. Buxheti i shtetit i ndan rreth 15 milionë euro në vit dhe ne nuk e dimë se ku po shpenzohen këto para,” tha Ramadani.

Ai po iu referohej pretendimeve se menaxhmenti nuk e ka lejuar Zyrën Kombëtare të Auditimit ta kryejë auditimin në RTK, megjithëse është praktikë e zakonshme që auditori kombëtar t’i kontrollojë institucionet publike.

Megjithëse RTK refuzoi auditimin në të kaluarën, të martën bordi tha se e kishte informuar Zyrën Kombëtare të Auditimit se ishte gati për një auditim financiar, ndërsa përmendte “kufizimet ligjore” nëse transmetuesi duhet t’i nënshtrohet një procesi të tillë.

Armend Muja, deputet i Vetëvendosjes, tha për BIRN se ata rekomanduan shkarkimin e bordit për shkak të “paaftësisë së tyre profesionale dhe dështimit të vazhdueshëm për t’i zbatuar detyrat e tyre”.

Doarsa Kica, kryetare e komisionit për media, lexoi disa nga rekomandimet nga komisioni i buxhetit, i cili renditi një numër çështjesh me bordin.

Kica vuri në duke konstatimin e komisionit të buxhetit se menaxhmenti i RTK-së kishte refuzuar të auditohej dhe dështimin për të qenë në përputhje me procedurat e prokurimit dhe përpilimin e një strategjie afatgjatë të kërkuar ligjërisht.

“Nëse të gjitha këto çështje nuk janë të rëndësishme për ju, kjo është e dhimbshme,” tha Kica, duke shtuar se transmetuesi duhet të japë llogari për marrjen e miliona eurove të parave të taksapaguesve brenda vitit.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e partive opozitare në këto komisione, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, Lidhja Demokratike për Kosovën, LDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, ose po e kundërshtojnë ose po mungojnë në debatin për shkarkimin e bordit.

Një nga përfaqësuesit e PDK-së në komisionin për buxhet, Mergim Lushtaku, tha se gjetjet e komisionit nuk ishin prova të mjaftueshme për ta filluar shkarkimin e bordit.

Lushtaku pranoi që RTK nuk ishte në gjendje të mirë, por këmbënguli që bordi të mos shkarkohej për ato që ai i përshkroi si arsye politike.

Përfaqësuesi i LDK-së në komision, Agim Veliu, i shkarkuar së fundmi si kryetar i degës së LDK-së në Podujevë, ku ishte kryetar i komunës, pretendoi se shkarkimi i bordit ishte një akt politik dhe një përpjekje për ta kapur një media publike që duhet të ishte e pavarur.

Ditën që komisioni parlamentar miratoi kërkesën për ta shkarkuar bordin e RTK-së, Enver Hoxhaj, ushtruesi i detyrës së kryetarit të partisë më të madhe opozitare, PDK, akuzoi Vetëvendosjen dhe Kryeministrin Albin Kurti për përpjekjen për t’i kontrolluar mediat dhe opinionin publik.

“Ajo që ne në PDK kemi paralajmëruar po ndodh; dy gjëra e karakterizojnë këtë qeveri: mashtrimi politik në mungesë të një programi të duhur qeveritar dhe autoritarizmi si e vetmja mënyrë që ata e njohin,” postoi Hoxhaj në Facebook.

Bordi gjithashtu ka thënë që shkarkimi i propozuar është shkelje e Ligjit mbi RTK.

“Lufta politike kundër kësaj medie, e ndërtuar mbi ‘fakte alternative’, është e padrejtë dhe synon ta instrumentalizojë transmetuesin publik për arsye politike,” ishte reagimi i bordit në ditën kur u votua rekomandimi për shkarkimin e tij.

“Bordi i RTK-së ka qenë dhe mbetet i hapur për t’i dhënë përgjigje parlamentit si themelues i RTK-së për çdo çështje që lidhet me fushëveprimin e tij, në çdo situatë dhe rrethanë,” shtoi ai.

Paralajmërime për politizim të mundshëm

Avokatja për media, Flutura Kusari, i tha BIRN se ajo mirëpret iniciativën për ta shkarkuar bordin e RTK-së.

“Keqpërdorimet që kanë ndodhur gjatë dekadave duhet të marrin fund. Është e rëndësishme që ata që janë përgjegjës për shkatërrimin ose lejimin e regresit të RTK-së të mbajnë përgjegjësi,” tha Kusari.

Por, përveç shkarkimit, Kusari tha se mënyra se si koalicioni qeverisës e trajton situatën më tutje është e rëndësishme dhe anëtarët e bordit të ardhshëm nuk duhet të jenë të ndërlidhur politikisht.

“Ajo që duhet të ndodhë më pas është që Vetëvendosje dhe partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës duhet të fillojnë menjëherë procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj dhe që ata që zgjidhen nuk duhet të jenë figura politike. Ata nuk duhet ta zgjedhin askënd që ka e mbështetur Vetëvendosjen, pasi është shumë e rëndësishme që zgjedhja e një bordi të ri të mos vihet në dyshim nga askush”, shtoi Kusari.

Arta Berisha, eksperte mediale, thotë se vitet e fundit RTK ka humbur primatin e saj në skenën mediatike të Kosovës.

“Me buxhetin dhe përgjegjësinë e tij publike, të cilën e gëzon me ligj, RTK duhet të ishte para ndryshimeve që erdhën si rezultat i internetit … dhe të mos mbetet peng i atyre që kanë shkuar shumë larg, duke publikuar përmbajtje mashtruese dhe dezinformuese,” tha ajo.

E ndjeshme nga presioni i qeverisë

Në Raportin e tij të Progresit 2020, Komisioni Evropian vendosi që transmetuesi publik i Kosovës “mbetet i ndieshëm ndaj presionit dhe ndikimit politik”.

“Deri më sot, transmetuesi mbetet i financuar drejtpërdrejt nga shteti, me buxhetin e tij të përcaktuar çdo vit nga Kuvendi [parlamenti]. Kjo minon pavarësinë e saj, dobëson qëndrueshmërinë e saj afatgjatë dhe e lë atë të prirur ndaj ndikimit politik,” tha raporti.

RTK u krijua nga administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara, KB, në Kosovë, UNMIK-u, në shtatorin e vitit 1999.

Fillimisht, RTK u financua përmes pagesave të detyrueshme mujore, duke ua faturuar secilës familje që kishte në posedim një televizor nga 3.5 euro përmes faturës së tyre të energjisë elektrike.

Në vitin 2009, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pezulloi këtë mënyrë të financimit. Në pritje të një ndryshimi në ligj, që atëherë RTK është financuar direkt nga buxheti i shtetit.

Në vitin 2012, katër vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, parlamenti miratoi një ligj mbi RTK por edhe ky ligj nuk e ka zgjidhur çështjen e pronës së saj.

Në vitin 2016, transmetuesi u përball me një ultimatum dëbimi nga Agjencia Kosovare e Privatizimit për okupimin e paligjshëm të lokaleve të Radio Televizionit të Prishtinës, RTP, tashmë të defunksionalizuar.

Sidoqoftë, ky ultimatum nuk u vu në jetë asnjëherë.

“Bordi aktual nuk ka propozuar ndonjë strategji për të siguruar financim të duhur, të qëndrueshëm dhe transparent”, shkroi Komisioni në arsyetimin e tij për shkarkimin e bordit.

I akuzuar shumë shpesh për mbipunësim, në vitin 2020 RTK raportoi 1,024 të punësuar duke përfshirë 806 soh me kontrata të rregullta dhe 216 të tjerë që punojnë me orar të pjesshëm si gazetarë, aktorë ose korrespondentë. Raporti thotë se 68.5 përqind e buxhetit të RTK-së shkon për paga.

Ekspertja përt media Arta Berisha thotë se është e rëndësishme që RTK-ja të ketë profesionistë në radhët e saj ndërkohë që politika nuk duhet të ndërhyjë në punën e saj.

“RTK duhet të ketë autonomi dhe të funksionojë në përputhje me normat profesionale, të orientuara drejt etikës dhe në shërbim të publikut,” tha Berisha.

Flutura Kusari, ndërkohë, mendon se RTK do të kishte një të ardhme nëse ata që janë përgjegjës për “shkatërrimin e saj” dalin përballë drejtësisë.

“Mocioni për ta shkarkuar bordin është vetëm hapi i parë që duhet të pasohet nga një hetim parlamentar dhe penal. Nuk ka të ardhme nëse ata që e kanë marrë RTK-në në prag të shkatërrimit nuk mbajnë përgjegjësi”, përfundoi Kusari.

Ky artikull është publikuar fillimisht në Balkan Insight