Foto: Sevdije Kastrati - Dill.

Rrugëtimi nga Kosova në ShBA i Sevdije Kastrati-Dill, shqiptares së parë në Shoqatën Amerikane të Kinematografisë

Kineastja kosovare, Sevdije Kastrati- Dill është anëtarësuar në Shoqatën Amerikane të Kinematografisë (The American Society of Cinematographers – ASC), duke u bërë kështu shqiptarja e parë që anëtarësohet në këtë shoqatë. Lajmi për anëtarësimin e saj është bërë i ditur nga vet shoqata.

ASC-ja është themeluar në Hollywood në Los Anxhelos – SHBA, në vitin 1919, me qëllim të avancimit të artit dhe shkencës së kinematografisë, shkëmbimit të ideve dhe promovimit të artit filmik.

Shoqata mbledhë rreth vetës 440 kineastë nga e gjithë bota të cilët kanë arritje profesionale e integritet në fushën e kinematografisë. Si drejtoreshë e fotografisë, Kastrati – Dill ka qenë pjesë e shumë projekteve filmike që janë vlerësuar edhe në skenat botërore.

Kastrati- Dill është drejtoreshë e fotografisë së shumë filmave, ndër ta edhe “Martesa” dhe “Zana”, të cilët ishin kandidatë për çmimin “Oscar” në kategorinë për film të huaj, pastaj filmat: “Carved”, “Perpetrator”, “Year of the Fox”, “Jess Plus None”, “Vera Dreams of th Sea”, “Open Door”, “Cold November”, etj. Ky sukses e ka bindur ASC-në që kineastes kosovare t’i dërgonin ftesës për të qenë pjesë e një prej shoqatave më prestigjioze botërore të kinematografisë.

Në një bisedë për KALLXO.com, Sevdije Kastrati – Dill thotë se anëtarësimi në ASC është vlerësimi më i lartë që i bëhet një kineasti. Pasi si ka thënë ajo, anëtarësimi në këtë shoqatë kalon në disa filtra, duke u bazuar në arritjen profesionale si dhe në personalitetin dhe integritetin e një kineasti.

“Shpresoj që ky anëtarësim dhe puna ime në përgjithësi të jetë inspirim për gjeneratat e reja. Gjithçka është arritur më shumë punë e përkushtim”- thotë ajo.

Kontakti me kamerën

Kontaktin me kamerën, Kastrati – Dill e pati menjëherë pas luftës.

Kineastja Sevdije Kastrati – Dill ka kryer shollën e mjekësisë në Pejë, por lufta dhe tragjedia familjare që e goditi gjatë luftës e bënë të ndërrojë perceptimin për jetën.

“Në kohën kur jam rrit, nuk ka pas shumë profesione ku gratë ishin të angazhuara. Unë kam studiuar në shkollën e mesme të mjekësisë. Mirëpo, unë isha në moshën 15 vjeçare kur ndodhi lufta në Kosovë dhe përjetova humbjen e nënës Ajshe dhe motrës Luljeta. Kjo përvojë ka ndikuar shumë dhe ka ndryshuar perceptimin tim për jetën”- thotë ajo.

Foto: Sevdije Kastrati – Dill.

Pas luftës, ajo u angazhua në organizatë, “Balkan Sunflowers” në Pejë. Atëherë, thotë ajo, kjo organizatë krijoi një projekt filmik ku ftoi një regjisor nga Amerika për të bërë një film dokumentar me të rinjtë për jetën gjatë luftës dhe pas luftës në Kosovë.

“Ky projekt ka qenë hera e parë kur edhe jam prezantuar me kamerën. Kam pas mundësinë të tregoj përvojën time gjatë luftës dhe kam kuptuar që kamera është një mjet i rëndësishëm. Prej atëherë, kam vazhduar të punoj në këtë profesion”- pohon anëtarja më e re e ASC-së.

Ajo thotë se në vendin e xhirimit ndjehet më së miri.

Krijimi i atmosferës, shtonë ajo, gjetja e kuadrove, bashkëpunimi me regjisor e regjisore, aktorët dhe gjithë ekipin e filmit, është diçka e veçantë.

“Përmes punës tonë, ne si kinematografë kemi ndikim të drejtpërdrejtë në mënyrën se si audienca do ta përjetojë filmin. Ne duhet të punojmë vazhdimisht për të gjetur mënyrën më të mirë për ta paraqitur vizualisht skenarin”- ka thënë kineastja Kastrati – Dill, duke shtuar se angazhime të reja e presin si në Amerikë ashtu edhe në Kosovë.

Rruga drejtë suksesit

Në një bisedë për KALLXO.com, Sevdije Kastrati-Dill thotë se anëtarësimi në ASC është vlerësimi më i lartë që i bëhet një kineasti. Ajo thotë se anëtarësimi i saj në këtë shoqatë mund të merret si inspirim nga gjeneratat e reja të kineastëve. Deri te ky sukses, lineastja thotë se ka kaluar nëpër një rrugë aspak të lehtë.

“Në kohën kur kam shkuar në studime në AFI, nuk kam pas përkrahje prej institucioneve e as nuk kam familje të pasur me e pagu shkollimin tim. Kam marr kredi për mbi 100 mijë dollarë. S’ka qenë hiq lehtë për mua, por me durim e punë të madhe kam xhiruar filmat, projekte të ndryshme dhe në vitin 2021 kam përfunduar edhe pagesën e kreditit”- thotë ajo.

Kastrati – Dill thotë se anëtarësimi ASC kalon në disa filtra.

Ajo thotë se anëtarësimi në ASC bëhet vetëm me ftesa. Sipas saj, kandidatët e propozuar duhet të kenë arritje profesionale në kinematografi.

“Tre anëtarë të shoqatës nominojnë një kandidat, të cilët ata besojnë se ka dëshmuar arritje artistike në fushën e kinematografisë. Më pas janë disa faza deri të anëtarësimi. Së pari, para komitetit të anëtarësimit bëhet prezantimi i portfolios së kandidatit dhe pastaj votimi. Nëse votimi është pozitiv, nominimi kalon tek bordi (ASC) për shqyrtim dhe pas aprovimit nga bordi, nominimi kalon tek të gjithë anëtarët që janë rreth 440 për momentin nga gjithë bota”- ka thënë Kastrati-Dill.

Kineastja Kastrati – Dill thotë se anëtarësimi në ASC sjell shumë benificione për çdo anëtar të saj.

“Të kesh shkronjat ASC pas emrit, është nder dhe përgjegjësi, diçka që të jep edhe më shumë kredibilitet si kinematografe. Je në mesin e kinematografëve të njohur dhe të vlerësuar për punën e tyre në krejt botën, që kanë xhiruar filma të njohur dhe të suksesshëm. ASC ka shumë komitete dhe unë definitivisht planifikoj të jem e përfshirë, veçanërisht në aspektin e edukimit te brezave të ardhshëm”- është shprehur ajo.

Si e sheh Kastrati – Dill kinematografinë kosovare

Sevdije Kastrati – Dill thotë se kinematografia në Kosovë në 10- vitet e fundit ka pas suksese te mëdha. Shumë filma, sipas saj kanë shënuar premiera për Kosovën në festivalet më të njohura dhe kanë fituar shpërblime.

“Jam falënderuese për udhëheqësit e QKK-së si Arben Zharku dhe tash Blerta Zeqiri për punën e palodhshme në avancimin dhe promovimin. Kjo industri kushton, nuk është lirë për të bërë film. Buxheti ka pas rritje në vitet e fundit, që është për mirëseardhje, por nuk është i mjaftueshëm se edhe çmimet janë rritur”- ka potencuar ajo.

Arti, dhe në këtë rast filmi, shton ajo, është mjet i rëndësishëm për përfaqësimin e shtetit.

“Besoj që e kemi dëshmuar se dimë të bëjmë filma. Po ashtu, edukimi i gjeneratave të ardhshme është shumë i rëndësishëm. Shumica e krijuesve të suksesshëm në vitet e fundit kanë studiuar jashtë Kosovës dhe kanë një kulturë të filmit në aspekt ndërkombëtar”- ka thënë kineastja.

Kastrati- Dill tha se promovimi dhe përkrahja e skenës filmike është sukses jo vetëm për komunitetin e filmit, por për gjithë shtetin.

Kineastja Sevdije Kastrati – Dill gjatë xhirimeve.

Biografi

Në vitin 2009, Sevdije Kastrati-Dill u transferua në Los Anxhelos për të studiuar kinematografi në Institutin Amerikan të Filmit, duke u diplomuar në vitin 2011. Filmi i saj i shkurtër “The Return” fitoi çmimin më të mirë ndërkombëtar në Sundance në vitin 2012. Puna e Sevdijes filloi në dokumentarë, një fushë që ajo vazhdon ta eksplorojë mes filmave artistikë.

Dokumentarët e saj të fundit, “Killing County”, në Hulu, eksplorojnë brutalitetin e policisë në Bakersfield, Kaliforni. Puna e Sevdijes ka tërhequr vëmendjen globale, me filma si “Martesa”, i cili u bë kandidat për çmimin “Oscar”  për kategorinë e filmit më të mirë të huaj më 2018; “Nëntori i ftohtë”, i cili u shfaq premierë në San Sebastián dhe “Zana”, i cili u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Toronto dhe ishte hyrja e Kosovës për “Oscars” në vitin 2020.

Filmi ku ajo është drejtoreshë e fotografisë, “Vera Dreams of the Sea” mahniti audiencën në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia dhe fitoi filmin më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio në vitin 2021, si dhe çmimin Ingmar Bergman në mesin e çmimeve të tjera në vitin 202. “Perpetrator” u shfaq premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin në 2023 dhe pati premierën e tij në Amerikën e Veriut në Festivalin e Filmit “Tribeca”. Filmi i saj i fundit, “Carved”, është publikuar në Hulu dhe “Disney+”.

Sevdije Kastrati – Dill është anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit dhe IATSE Local 600.