Foto: Jakup Krasniqi/ Facebook

Rrugëtimi i Jakup Krasniqit në UÇK dhe politikë

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi të mërkurën e 4 nëntorit u arrestua nga pjesëtarët e misionit të EULEX-it, me urdhër të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij.

Shtëpia e Krasniqit në Prishtinë u bastis mëngjesin e hershëm të ditës së djeshme, përderisa operacioni zgjati gjatë gjithë ditës deri në arrestimin e tij dhe më pas dërgimin e tij në Hagë të Holandës, aty ku gjendet selia e Gjykatës Speciale.

Jakup Krasniqi është kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, ndërsa karriera e tij politike ka nisur shumë kohë më parë, para dhe pas angazhimit të tij të drejtpërdrejt në UÇK.

Kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, Jakup Krasniqi ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Me profesion doktor i historisë, angazhimi i Jakup Krasniqit në politikë nis në vitet e 70-ta, përkatësisht në vitet 1973–1981 ku ishte pjesë e Veprimtarisë politike në Lëvizjen Kombëtare të Kosovës.

Në vitet 1981–1991 Jakup Krasniqi ka qenë i burgosur politik, nga regjimi jugosllav.

Në vitet e 90-ta ai ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në pozitat si anëtar i kryesisë dhe kryetar i kësaj partie në degën në Drenas, si dhe deputet.

Jakup Krasniqi në vitin 1998 dhe 1999 ka qenë zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Gjithashtu ai ka qenë anëtar i Drejtorisë Politike të UCK-së, ndërsa nga nëntori i vitit 1998,  ka qenë zëvendëskomandant për Mbështetje.

Krasniqi në vitin 1999 ka qenë edhe anëtar i Delegacionit të Kosovës dhe i grupit politik në Konferencën e Rambujesë.

Sa i përket angazhimit të tij në parti politike, Jakup Krasniqi pas LDK-së, është bërë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në vitet 2005- 2013 , ai ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së, kurse më 2005 anëtar i Grupit Politik Strategjik nga PDK, në bisedimet e Vjenës.

Në kuadër të angazhimit të tij në PDK, Jakup Krasniqi ka qenë shef i grupit parlamentar të kësaj partie në vitet 2004-2007.

Nga janari i viti 2008 deri në vitin 2014 ai ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës, ndërsa më 2010-n ushtrues i detyrës se Presidentit.

Pas daljes nga PDK-ja, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj themeluan Nismën për Kosovën, e cila tash ka emërtimin Nisma Socialdemokrate.