Ibrahim Rugova e Isa Mustafa - Foto: Facebook/LDK

Rrugëtimi i Isa Mustafës për në majat e LDK-së

I ka mjaftuar vetëm njëherë hyrja në garë në 2010, që dy herëve tjera Isa Mustafa të rizgjedhet kryetar i LDK-së pa frikën e humbjes.

Guximin e tij, Mustafa e ka mbështetur në statutin e partisë. Ky statut ia mundësonte komoditetin e të qenurit vet në garë, pa kundërkandidat.

Edhe në 2015-ën edhe sot, ka pasur persona brenda LDK-së që kanë provuar t’i dalin përballë Isa Mustafës për të ia marrë postin, mirëpo janë penguar nga statuti i partisë.

Pika 2, e nenit 25 të Statutit të LDK-së, thotë se për të qenë kandidat duhet të marrësh të paktën 50 përqind, plus një delegat të votave që është një konfirmim se je i pranuar për t`u kandiduar.

“Kandidimi për kryetar bëhet në Kuvend. Secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 përqind, plus 1 votë të delegatëve të pranishëm”, thuhet në statutin e LDK-së.

Kjo ka qenë tema më e nxehtë e diskutimit tash e një kohë brenda kësaj partie nga akterë të ndryshëm.

Edhe sot, njëjtë si në 2015, u provua të ndërrohet kjo pikë statutare, por që mbet vetëm tentativë.

Ndonëse me Isa Mustafën kryetar partie, LDK për herë të parë dhe të vetme udhëheqi me Qeverinë për një mandat të shkurtuar para kohe, vet Mustafa nuk ka fituar asnjë palë zgjedhje.

I ardhur në krye të partisë në vitin 2010, pas një gare me Fatmir Sejdiun, Isa Mustafa e ka provuar veten në disa zgjedhje, por pa triumfuar asnjëherë.

Në krye të LDK-së, Mustafa kishte ardhur gjatë kohës sa ishte duke shërbyer si kryetar i Komunës së Prishtinës, ndërsa në zgjedhjet e tjera e deri më tani, Mustafa asnjëherë s’kishte arritur të dilte fitues i zgjedhjeve.

Karriera e tij politike, tani më ka shkelur disa dekada. Ai ka kaluar një rrugë të gjatë që nga koha kur ishte lider i ri në ish-Jugosllavi deri te pozita e shefit të qeverisë së Republikës së Kosovës.

Madje, ky fakt, iu përmend sot (03.08.2019) edhe nga bashkëpartiakja, Melihate Termkolli, e cila e solli në kujtesë kohën kur Mustafa kishte qenë ministër i Qeverisë që udhëhiqej nga Rrahman Morina. Një politikan kosovarë kontrovers i asaj kohe.

“Në krye të LDK-së e kemi njeriun që ka qenë ministër i Rrahman Morinës dhe nuk është aspak e çuditshme”, tha Tërmkolli në një konferencë për media, pasi kishte dështuar hyrja në garë e Fatmir Sejdiut.

“Unë kam qenë ministër i Republikës së Kosovës. Kam punuar për Kosovën. Me Rrahman Morinën, veç nëse ka Melihatja ndonjë lidhje telefonike”, iu përgjigj Mustafa Termkollit pasi u rizgjodh kryetar i LDK-së.

Karriera e Isa Mustafës deri më 1999

Fillet e para në politikë, Isa Mustafa i kishte nisur me Partinë Komuniste Jugosllave që në atë kohë drejtohej nga Josip Broz Tito.

Mustafa ishte zgjedhur në atë kohë kryetar i Rinisë Shqiptare të Partisë Komuniste Jugosllave.

Me këtë titull, Mustafa kishte marrë pjesë edhe në homazhe të vdekjes së liderit komunist jugosllav, Tito-s.

Isa Mustafa duke bërë homazhe para arkivolit të Josip Broz Titos

Pas kësaj, më 1984, ai u bë lider i Këshillit Ekzekutiv të Komunës së Prishtinës, një pozicion që e mbajti për katër vjet. Derisa Jugosllavia filloi të shpërbëhej, anëtarët e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës filluan të përjetonin presion të madh për të treguar besnikërinë ndaj Serbisë.

Shumë u përjashtuan nga partia dhe u akuzuan për veprime antishtetërore, mirëpo Mustafa kishte vazhduar aktivitetin politik.

Kundërshtarët e tij politik edhe sot e “dënojnë” pozicionin që ai mori në dhjetor 1989, kur u bë sekretar për Zhvillimin, Shkencën dhe Informacionin në ‘Qeverinë Provinciale të Kosovës’ të drejtuar nga Jusuf Zejnullahu në atë kohë.

Në diskursin e sotëm politik, kjo gjë mbetet e debatuar, sepse ndodhi pasi Serbia, nën qeverisjen e Sllobodan Millosheviqit, ia mori Kosovës autonominë e gjerë që kishte shijuar sipas Kushtetutës së vitit 1974.

Isa Mustafa më vonë kishte shëbyer edhe si ministër i Ekonomisë dhe Financave në qeverinë në mërgim të Kosovës, të themeluar nga Ibrahim Rugova, që për kryeministër kishte Bujar Bukoshin.

Emri i Isa Mustafës ishte përmendur në vazhdimësi në mesin e shumë emrave për llogaritë që ishin dhuruar në atë kohë për qeverinë në ekzil, i njohur ndryshe si “Fondi 3%”.

Sipas raportimeve për atë kohë, ky fond kishte arritur deri në 100 milionë marka gjermane.

Ngjitja e Mustafës në LDK-në e pasluftës

Pas përfundimit të luftës, Isa Mustafa ishte larguar nga politika. Ai madje nuk ishte parë as në takimet e mbledhjet e LDK-së.

Ai kishte filluar aktivitetin e tij në LDK, vetëm pas vdekjes së Ibrahim Rugovës.

Ai i ishte kthyer politikës në 2006-ën, me ftesën, e tani kundërshtarit të tij më të madh brenda partisë, Fatmir Sejdiut.

Ishte ky i fundit, që në 2007-ën e kishte propozuar Isa Mustafën për kandidat të LDK-së në Prishtinë.

Mustafa ishte zgjedhur kryetar i kryeqytetit për dy mandate dhe këto ishin fitoret e vetme zgjedhore që ai i kishte arritur.

Ai kishte arritur ta fitonte garën në Prishtinë kundër Fatmir Limajt që në atë kohë ende ishte pjesë e PDK-së.

Ai vazhdoi të shërbente si kryetar i Prishtinës për dy mandate, derisa në 2013-ën, një figurë e re politike e kishte befasuar LDK-në dhe opinionin kosovarë kur e kishte mundur në balotazh.

Në atë kohë Vetëvendosje me Shpend Ahmetin kandidat, kishte marrë udhëheqjen e Prishtinës, për të cilën Isa Mustafa deklaronte se e fiton “Me duar në xhepa”.

Në 2010, Isa Mustafa do ta “tradhtonte” atë që e ktheu në politikë, Fatmir Sejdiun, duke i dalë kundërkandidat në zgjedhjet e brendshme të partisë, madje duke ia marrë edhe primatin e të parit.

Mirëpo ndryshimi i lidershipit të partisë në atë kohë, nga Fatmir Sejdiu tek Isa Mustafa nuk solli ndryshim të madh.

Mandati i Mustafës si lider i LDK-së nuk rezultoi në ringjalljen dramatike të fatit të partisë. Në zgjedhjet e 2011-ës, ajo fitoi vetëm dy vende më shumë në parlament.

Mustafa i kishte hyrë garës edhe në vitin 2014 me LDK-në për zgjedhjet parlamentare, por prapë kishte përfunduar si partia e dytë me e votuar. Përsëri Hashim Thaçi dhe PDK kishin dalë partia më e votuar.

Isa Mustafa në 2014-ën kishte udhëhequr bllokun opozitar bashkë me Vetëvendosjen, AAK-në dhe Nismën për 6 muaj, derisa ai kishte vendosur t’i “tradhtoj” partnerët, duke hyrë në qeveri më Hashim Thaçin.

Kushti i Isa Mustafës, në 2014, kishte qenë posti i Kryeministrit.

Ndonëse LDK i kishte humbur zgjedhjet, arriti të marrë drejtimin e Qeverisë, për shkak të pamundësisë së PDK-së për të krijuar ndonjë koalicion tjetër.

Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi pas arritjes se marreveshjes për koalicion në vitin 2014

Isa Mustafa kishte qenë kryetar Qeverie për 2 vite e gjysmë, nga dhjetori i 2014, deri në maj të 2017, kur u shkarkua nga partnerët e koalicionit.

PDK kishte votuar për shkarkimin e Isa Mustafës bashkë me opozitën, LVV, AAK e Nisma.

Isa Mustafa ishte zgjedhur përsëri kryetar partie në vitin 2015-të, përmes aklamacionit (pa kundërkandidat).

Njëjtë sikur ditën e sotme (03.08.2019) me Fatmir Sejdiun, në 2015-ën kishte ndodhur me Vjosa Osmanin.

Ky është mandati i tretë radhazi për Isa Mustafën në krye të LDK-së.

Isa Mustafa para vetes tani ka një sfidë. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen brenda pak javëve për shkak të dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga detyra e kryeministrit.

Për shkak të shëndetit të tij, Isa Mustafa mund të vendos të mos kandidoj për kryeministër, qysh zakonshëm ka ndodhur me partitë politike në Kosovë, ku kryetari i partisë është edhe kandidati për kryeministër, përjashto zgjedhjet e para dy viteve.

Koalicioni parazgjedhor i LDK-së me AKR-në dhe Alternativën kishte nxjerrë kandidat për kryeministër, Avdullah Hotin.

Gjithashtu edhe Lëvizja Vetëvendosje kishte nxjerrë kandidat për kryeministër Albin Kurtin, ndonëse kryetar i partisë në atë kohë ishte Visar Ymeri.

Isa Mustafa është edhe anëtar i Akademisë së Shkenacave dhe Arteve të Kosovës.

Isa Mustafa kryetar i ri i LDK-së

.