Rrogat 'në detyrë': Rreth 700 mijë euro për qeverinë Haradinaj që nga dorëheqja

Derisa takimet për një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdojnë por s’po prodhojnë ndonjë rezultat, kabineti qeveritar në detyrë po vazhdon të paguhet pa kryer ndonjë punë ekzekutive.

Deri më tani për pagat e kryeministrit, zëvendëskryeministrave, ministrave dhe zëvendëskryeministrave janë shpenzuar rreth 700 mijë euro.

Me 19 korrik të këtij viti, Ramush Haradinaj njoftoi opinionin në Kosovë se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.

Përveç njoftimit për ftesë nga Haga, Haradinaj poashtu lajmëroi edhe dorëheqjen e tij nga posti i Kryeministrit të vendit.

Pak orë pas lajmit për dorëheqje, të gjitha partitë politike në vend u pajtuan për zgjedhje të parakohshme.

Por ato u mbajtën 2 muaj e gjysmë më vonë. Tani kanë kaluar po aq kohë nga zgjedhjet, por ende s’ka marrëveshje për koalicionin qeverisës, pasi që asnjë subjekt politik nuk i arriti numrat për ta bërë vet qeverinë.

Kanë kaluar më shumë se 9 muaj që Qeveria e Kosovës është në detyrë. Duke mos pasur mundësi t’i kryejë detyrat e saj të zakonshme, siç rëndom ndodh me qeveritë që janë në mandat.

Që nga 19 korriku, Qeveria e Kosovës është mbledhur vetëm edhe 4 herë tjera.

Mirëpo, ndonëse nuk kanë pasur punë ‘normale’ për të bërë, ndonëse janë marrë me fushata zgjedhore dhe janë të mangët në të drejtën për të marrë vendime, deri më tani kabineti qeveritar, Kryeministri me zëvendëskryeministrat dhe ministrat me zëvendësministrat kanë marrë paga me vlerë prej 688 mijë e 500 euro.

Qeveria e Kosovës, për shkak se është në detyrë dhe për shkak se Kuvendi është i shpërndarë, puna e tyre është e pa vërejtur.

Në dhjetor të 2017, rreth 3 muaj pas ardhjes në pushtet, Ramush Haradinaj kishte vendosur që përmes një vendimi të Qeverisë të ia rrisë pagën vetes dhe vartësve të tij.

Kryeministri Haradinaj ia kishte ngritur pagën vetës së tij në 2,950 euro.

Që nga dorëheqja e tij kanë kaluar 5 muaj, duke llogaritur edhe muajin dhjetor, ku për pak ditë do të bëhet ekzekutimi i pagave.

Sipas llogarive del që veç Haradinaj, si kryeministër në detyrë ka marrë 14,750 euro paga.

Haradinaj ka edhe 5 zëvendëse. Paga e zëvendëskryeministrit është 2,500 euro. Për 1 muaj 5 zëvendëskryeministrat kanë marrë paga 12,500 euro. Ndërsa për 5 muaj pagat për kryeministra kanë kapur shifrën e 62,500 euro.

Pagat e kabinetit të dorëhequr qeveritar
Ilustrim: KALLXO.com

Qeveria në detyrë numëron edhe 21 dikastere qeveritare apo ministri. 3 nga ministrat mbajnë edhe postin e zëvendëskryeministrit. Pagat e tyre janë llogarit me atë të zëvendëskryeministrit.

Paga e ministrit është 2 mijë euro. 18 ministra për 1 muaj kanë marrë 36 mijë euro paga. Ndërsa për muaj sa janë ministra në detyrë, pagat totale të tyre kanë kapur shifrën e 180 mijë eurove.

Qeveria e Kosovës numëron edhe një numër rekord të zëvendësministrave. Sipas një përgjigje që i është dhënë së fundi Gazetës Jeta në Kosovë, momentalisht janë 75 zëvendësministra.

Paga mujore bruto e një zëvendës ministri është 1,150 euro.

Më shumti buxhet për paga, Qeveria në detyrë ka shpenzuar për këta 75 zëvendësministra.

Për 1 muaj për 75 zëvendësministra Qeveria ka shpenzuar 86,250 euro. Kurse që nga gushti, e duke llogaritur edhe pagën e dhjetorit, vetëm për zëvendësministra janë paguar 431,250 euro.

Haradinaj ishte arsyetuar se ka rritur pagën e tij për shkak se nuk ka pasur para për të blerë rroba dhe kravata.

Kravatat e Haradinajt në 90 Ditë Pune

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!