Rritja masive e numrit të votave të diasporës ndër vite

Që nga zgjedhjet e para pas shpalljes së pavarësisë, ato të vitit 2010, diaspora kosovare vazhdimisht ka rritur interesimin për të marrë pjesë në proceset zgjedhore në Kosovë.

Rritja e numrit të votuesve nga diaspora është shoqëruar edhe me disa lehtësime të vogla të procesit të votimit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Përderisa deri në vitin 2017, votuesve nga jashtë Kosovës KQZ-ja ua dërgonte fletëvotimet dhe informatat për votim përmes postës fizike, nga ai vit iu mundësua diasporës që të aplikojnë dhe votojnë edhe përmes postës elektronike.

Ky ndryshim sado i vogël, ka ndikuar në rritjen e interesimit për të votuar.

Në vitin 2010, zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ishin mbajtur më 12 dhjetor. Në këto zgjedhje pjesëmarrja ishte 45.29% apo shprehur në numra ishin 706 mijë e 137 votues.

Në atë vit, nga diaspora ishin aprovuar 5 mijë e 15 aplikime për të votuar, ndërsa ishin pranuar 1 mijë e 460 të tilla. Një numër mjaft i vogël në krahasim me vitet pasuese.

Në zgjedhjet e parakohshme të cilat ishin mbajtur më 8 qershor 2014 kishin marrë pjesë në votime 734 mijë e 54 qytetarë.

Kurse nga diaspora 15 mijë e 951 pako të fletëvotimeve ishin pranuar me anë të postës, ndërsa ishin aprovuar 10 mijë e 648 të tilla.

Në zgjedhjet e parakoshme për Kuvend të Kosovës të vitit 2017, atë vit kur edhe pati ndryshime të vogla në procesin e votimit për diasporën, numri i aplikimeve ishte pak a shumë i njëjtë si në zgjedhjet  paraprake të vitit 2014.

Zgjedhjet ishin mbajtur më 11 qershor 2017 dhe numri i qytetarëve që kishin marrë pjesë në këto zgjedhje ishte 779 mijë e 729 qytetarë, nga 1 milion e 888 mijë votues potencialë.

Nga diaspora ishin pranuar 15 mijë e 118 pako të fletëvotimeve, ndërsa 9 mijë e 157 prej tyre ishin aprovuar.

Në vitin 2019 ka vazhduar rritja e interesimit të qytetarëve që jetojnë jashtë Kosovës për të marrë pjesë në zgjedhje.

Në atë vit, zgjedhjet ishin mbajtur më 6 tetor. Në ato zgjedhje kishin votuar 826 mijë e 916 qytetarë.

Nga diaspora, 35 mijë e 887 aplikime ishin aprovuar, 24 mijë e 523 pako të fletëvotimeve ishin pranuar, ndërsa ishin 13 mijë e 241 vota të pranuara, pa llogaritur ato nga Serbia.

Zgjedhjet 2021, viti kur diaspora votoi më së shumti

Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës të 14 shkurtit 2021, u thye rekordi sa u përket votave nga diaspora.

Në këto zgjedhje u pranuan 74 mijë pako të fletëvotimeve, ndërsa 53 mijë e 600 u aprovuan. Ky është numri më i lartë deri më tani i votave të diasporës, që kur mbahen zgjedhjet në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Procesi i votimit të diasporës në këto zgjedhje u shoqërua me mjaft polemika, pas një vendimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Vendimi parashikonte që KQZ-ja të telefononte qytetarët që aplikojnë për të votuar, për të konfirmuar nëse të dhënat e shënuara ishin të sakta. Sipas vendimit, nëse pas 3 thirrjeve të KQZ-së qytetari i diasporës nuk përgjigjej, e humbte të drejtën e votimit.

Këtë, organizata që monitoron procesin e votimit dhe numërimit të diasporës ‘Germin’, e kishte konsideruar antikushtetuese dhe kishte paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Më pas, duke parë që nuk kishte mundësi teknike për realizimin e thirrjeve dhe konfirmimin e të gjithë aplikuesve të diasporës për të votuar, KQZ-ja vendosi që aplikimet të pranohen edhe pa konfirmim përmes thirrjeve.

Në zgjedhjet e vitit 2021 u refuzuan rreth 28% e aplikimeve nga diaspora, ndërsa momentalisht KQZ-ja është duke e kryer procesin e numërimit të votave me kusht.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, ishin disa shkaqe për refuzimin e fletëvotimeve nga diaspora.

“Arsyet kanë të bëjnë me faktin se ato janë dërguar nga votues të refuzuar në periudhën e aplikimit; nga votues të paidentifikuar (votim grupor); nga votues që kanë bashkangjitur dokumente jo-valide apo nga votues që kanë dërguar fletëvotime nga dy herë”, kishte thënë Elezi.

Fokusi në zgjedhjet lokale

Në vjeshtën e vitit 2021 Kosovën e presin edhe zgjedhjet lokale.

Duke marrë parasysh rritjen e interesimit të diasporës për votim në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021, organizata ‘Germin’ thotë se qëllimi tash është që edhe në zgjedhjet lokale të vazhdojë interesimi i njëjtë.

“Ka plot nga anëtarët e diasporës të cilët janë më shumë të interesuar dhe ndikuar drejtpërdrejt për dhe nga qeverisja lokale  në vendet nga ata vijnë se sa qeverisja qendrore”.

Sipas kësaj organizate, një ndër problemet kryesore që janë hasur në këto zgjedhje, si dhe në zgjedhjet e kaluara, ka qenë procesi i aplikimit për regjistrim, që sipas tyre, duhet të bëhet në mënyrë manuale dhe merr shumë kohë. ‘Germin’ ka edhe një propozim për zgjidhjen e këtij problemi.

“Ne kemi propozuar që kjo gjë të bëhet online përmes ndonjë linku të ofruar nga KQZ që do t’ua lehtësonte punën edhe aplikantëve edhe KQZ-së”.

Ndërsa një tjetër propozim i tyre për lehtësimin e procesit të votimit nga jashtë është edhe votimi fizik apo përmes postës drejt në misionet diplomatike të Kosovës, ambasada apo konsullata.

Sipas ‘Germin’, rritja e numrit të votuesve, edhe pse jo domosdo, mund të lidhet me faktin e ikjes së qytetarëve gjatë viteve të fundit.

“Demografia e këtyre votuesve nga diaspora është diverse, dhe nuk ka të bëjë vetëm me valën e fundit masive të migrimit, por me gjenerata të tëra që jetojnë në diasporë me vite”, thonë nga organizata ‘Germin’.