Komuna e Shtimes - Foto: KALLXO.com

Rritja e rekomandimeve të Auditorit për Komunën e Shtimes

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur më shumë shkelje në Komunën e Shtimes në vitin 2018 krahasuar me vitin paraprak. Auditori i ka dhënë 17 rekomandimeve kësaj komune për t’i adresuar shkeljet dhe dobësitë e identifikuar gjatë auditimit të pasqyrave financiare të vitit 2018.

Në vitin 2017, Komuna e Shtimes i kishte pranuar vetëm 10 rekomandime nga auditori. Numër të njëjtë të rekomandimeve kishte pranuar edhe në vitin 2016.

Komuna e udhëhequr nga Naim Ismajli, në vitin 2018 ka arritur t’i adresojë 4 nga 10 rekomandimet që kishin pranuar nga Auditori. Komuna e kishte zbatuar një rekomandim për adresimin e dobësive të identifikuara në prokurim, mirëpo nuk e kishte zbatuar rekomandimin për adresimin e parregullsive në menaxhimin e të hyrave.

Përmirësimi i opinionit

Me auditimin e Pasqyrave Financiare Vjetore (PFV), përgjatë periudhës katër vjeçare 2014 deri 2017 , Auditori i Përgjithshëm kishte dal me opinion të pa modifikuar po me theksim të çështjes. Sipas Auditorit, Komuna në këto vite ka pasur probleme me regjistrin e pasurive, kështu duke mos evidentuar edhe  investimet e reja madje duke bërë edhe nënvlerësimin e pasurive ekzistuese.

Ndryshe nga vitet paraprake, në vitin 2018, Komuna e Shtimes ka marrë opinion të pamodifikuar, pra pa theksim të cështjes.

“Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2018 paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë në të gjitha aspektet materiale”, thuhet në raportin e vitit 2018.

Auditori jep opinion të pamodifikuar nëse arrin në përfundimin se pasqyrat financiare janë përgatitur, në të gjitha aspektet materiale, në pajtim me kornizën e zbatueshme financiare.

Shkeljet nëpër tenderë

Në vitet 2014 dhe 2018, Auditori ka gjetur dobësi në prokurim. Në vitin 2014, Komuna në një rast e kishte shpërblyer me kontratë një biznes që nuk ishte i përgjegjshëm, pasi nuk i plotësonte kërkesat e Dosjes së Tenderit. Rasti i dytë i evidentuar kishte të bënte me dhënien e kontratës një biznesi që nuk kishte ofruar siguri të tenderi siç kërkohet në ligj.

Shkelje të njëjtë, Auditori ka gjetur edhe në vitin 2018. Sipas Auditorit, Operatori Ekonomik kishte dorëzuar dëshminë e vërtetimit tatimor në momentin e ofertimit, mirëpo i njëjti ishte me afat të skaduar por që nuk ishte vërejtur nga ana e komisionit vlerësues dhe zyrtarëve të prokurimit. Në raportin e auditimit thuhet se shkaku i një lëshimi të tillë ishte neglizhenca e komisionit vlerësues e më pastaj edhe e zyrtarit të prokurimit.

“Kryetari i Komunës të siguroj kontrolle të shtuara në mënyrë që të bëhet vlerësim i drejtë i ofertave dhe të mos shpërblehen me kontratë operatorë të pa përgjegjshëm”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Në vitin 2017, Auditori kishte konstatuar se Komuna nuk kishte bërë shqyrtimin e nevojës për disponueshmëri të fondeve te disa projekte.

“Kryetari duhet të siguroj që është bërë një rishikim i brendshëm për të përcaktuar pse kërkesa e prokurimit mbi shqyrtimin e DNPDF-së nuk është adresuar dhe të ushtrojë më shumë kontrolle për të siguruar se të gjitha kërkesat nga ligji i prokurimit dhe Udhëzuesi operativ po zbatohen”, thuhet në rekomandimin e auditorit për vitin 2017-të.

Shkeljet në procedurat e rekrutimit

Në Komunën e Shtimes problemi në procedurat e rekrutimit kishte që nga viti 2014. Shkelje të njëjta janë përseritur edhe në vitin 2018. Në raportin e vitit 2018 thuhet se për tetë zyrtarë të cilët janë të angazhuar në Drejtorinë për Emergjencë dhe Siguri, komuna nuk ishte në gjendje të ofrojë dosjet e kompletuara dhe kontratat e këtyre zyrtarëve, në bazë të te cilave kryhet kompensimi i pagave.

“Kryetari të siguroj rishikimin e mundësisë që këta zyrtarë të transferohen në institucionet ku ata punojnë, ose të kompletohen dosjet e tyre në komunë për të krijuar bazë ligjore për ekzekutimin e pagave të tyre. Pagesat e shtesave bëhen vetëm për zyrtarët që parashihen me vendimin e Qeverisë në të kundërtën kompensimet e tilla nuk lejohen”, rekomandon Auditori.

Në 3 nga 12 rastet e audituara, Komuna e Shtimes ka angazhuar dhe paguar këta punonjës në kohëzgjatje mbi 6 muaj si dhe këto marrëveshje nuk ishin për ekspertë të fushave përkatëse po për pozita të zakonshme si bashkëpunëtor për rini dhe sporte dy zyrtarë dhe mirëmbajtës i kompleksit memorial një punonjës. Një dukuri e tillë sipas menaxherit të personalit ka ndodhur për shkak të nevojave komunale, për staf për një periudhë të caktuar.

Në Ligjin për Shërbimin Civil, thuhet se emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura “Marrëveshje për shërbime të veçanta” dhe Ligjin e punës ku thuhet se kontrata pune për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se 120 ditë brenda 1 viti.

“Kryetari duhet të sigurojë se hyrja në marrëveshje për shërbime të veçanta/kontrata për pune specifike bëhet në përputhje të plot me kornizën ligjore dhe koha e angazhimet në këto raste nuk tejkalon afatet e përcaktuar me ligje. Po ashtu kryetari duhet të sigurojë se angazhimet e tilla bëhen vetëm në rastet kur ka kërkesa specifike”, theksohet në rekomandimin e Auditorit në vitin 2018.

 Ulja e borxheve të Komunës ndaj bizneseve

Borxhi i Komunës së Shtimes ndaj bizneseve në vitin 2018 ishte 80 mijë euro. Edhe pse ka rënë shuma e borxhit krahasuar me dy vitet e fundit, borxhi nuk ka arritur në vlerën e viteve 2014 dhe 2015 kur silleshin rreth 35 mijë euro.

Përderisa në vitin 2014 dhe 2015, detyrimet e Komunës ndaj furnitorëve silleshin diku te 35 mijë euro, në vitin 2016 dhe 2017, shuma e tyre është rritur mbi 100 mijë euro duke bërë që edhe Auditori t’i japë një rekomandim Komunës së Shtimes që t’i trajtojë me kujdes obligimet.

Në fund të vitit 2014, vlera e obligimeve financiare të mbetura ishte 38,702 euro, ngjashëm me shifrën e vitit paraprak prej 39,910 euro. Krahasuar me vitin 2014, ku shuma e obligimeve ishte 38,702 euro, Komuna ka arritur që t’i zvogëloj obligimet e papaguara në 33,350 euro në vitin 2015.

Obligimet e papaguara në vitin 2016 janë rritur për 152,123 euro krahasuar me vitin 2015 kur këto detyrime ishin 33,550 euro. Në rritjen kaq të madhe të obligimeve, sipas Auditorit, kishte ndikuar një faturë e muajit dhjetor në vlerë prej 99,997 euro, të cilën Komuna nuk kishte arritur ta paguaj me kohë dhe ishte bartur si obligim në vitin e ardhshëm. Pasqyra e detyrimeve të papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2016 ishte 185,673 euro.

Pasqyra e obligimeve të papaguara ndaj furnitorëve në vitin 2017 ishte 106,646 euro. Obligimet e papaguara, krahasuar me vitin 2016 kur ishte 185,673 euro, janë zvogëluar për 79,027 euro apo 57%. Pjesa më e madhe e obligimeve të papaguara, 85,526 euro kanë të bëjnë me obligimet e mbetura për furnizim me ujë.

Ndërsa në vitin 2018, borxhi i Komunës ndaj bizneseve ka rënë nën 100 mijë euro, saktësisht 80 mijë euro apo 26.6 mijë euro më pak se në vitin 2017.

Rritja e borxhit ndaj Komunës

Edhe pse borxhi i bizneseve ndaj Komunës kishte shënuar ulje të vazhdueshme nga viti 2014 deri në vitin, ky trend ka ndryshuar në vitin 2018. Borxhi ndaj Komunës ka shënuar rritje për 57 mijë euro nga viti 2017 në vitin 2018.

Përderisa borxhi ndaj Komunës në vitin 2014 ishte 779,000 euro, në vitin 2017 ky borxh ka rënë në 398,000 mijë euro.

Rënia e borxheve ndaj Komunës ka vazhduar edhe në vitin 2017. Nga 458 mijë euro sa ka qenë në fillim të vitit 2017, ato kanë rënë në 398,000 euro. Ulja e vlerës së të arkëtueshmeve është si rezultat i pranimit të të hyrave nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për shpronësimin e tokave komunale.

Por përsëri ky borxh është rritur në vitin 2018. Nga 398 mijë euro, borxhi është rritur në 455 mijë euro. Gati 100 për qind e këtij borxhi, apo 454 mijë euro kanë të bëjnë me tatimin në pronë dhe nga qiraja në pronë kurse pjesa tjetër nga Qiraja e hapësirave publike etj.