Rritet importi nga vendet e CEFTA-s, Serbia renditet e para

Në vitin 2021, Serbia renditet në vendin e parë prej nga Kosova ka importuar më së shumti mallra nga vendet anëtare të CEFTA-s.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, pjesëmarrjen më të lartë në importet e Kosovës nga vendet e CEFTA-s e ka Serbia me 6.5 për qind, pastaj Shqipëria me 5.7 për qind dhe më pas Maqedonia e Veriut me 5.2 për qind.

Serbia përsëri është renditur në vendin e parë nga rënia drastike e importit nga Serbia që ishte regjistruar në vitin 2019, si rezultat i vendosjes së taksës 10 e më pas 100 për qind nga Qeveria e Kosovës udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj. Kjo taksë më pas u hoq nga Albin Kurti më 1 prill të vitit 2020 për t’u zëvendësuar me reciprocitet.

Serbia kaloi në vendin e tretë në vitin 2020 e më pas të parin për nga pjesëmarrja në shitjen mallrave drejt Kosovës në vitin 2021. Për një vit, importi i Kosovës nga Serbia u rrit 76 për qind.

Në vitin 2021, vlera e përgjithshme e mallrave të importuara në Kosovë kaloi 4.6 miliardë euro, ndërsa eksportet e mallrave nga Kosova kishin vlerë 755.7 milionë euro. Kështu Kosova ka regjistruar një deficit tregtar prej -3.9 miliardë euro, që paraqet një deficit më të lartë se në vitin 2020.

Shkëmbimi i mallrave me vendet e CEFTA-s

Rritje të shkëmbimit të mallrave pati me të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s, me përjashtim të Moldavisë, ku Kosova vazhdon të trajtohet jo e barabartë. Serbia është partneri kryesor për import të mallrave kurse Shqipëria prin si partner në eksport.

Importet nga vendet e CEFTA-s në vitin 2021, arritën në 892,5 milionë euro, ose 19.1 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 45.1 për qind.

Kurse eksportet e Kosovës drejt vendeve anëtare të CEFTA-së arritën në 278,4 milionë euro, ose 36.8 për qind të eksporteve të përgjithshme, ku kishte rritje prej 32.1 për qind.

Partner kryesor i Kosovës për eksport drejt këtyre vendeve ishte Shqipëria me 14.7 për qind, Maqedonia e Veriut me 11.5 për qind, Serbia 5.9 për qind dhe Mali i Zi me 3.3 për qind.

Më shumë u eksportua hekur dhe çelik drejt vendeve të CEFTA-s.

“Sipas kapitujve pjesëmarrje më të lart nga vendet e CEFTA-së kanë te këto grupe të eksporteve: hekuri dhe çelik ku arritën në 55,3 milionë euro, ose rreth (19.9%), artikujt prej hekuri dhe çelik ku arritën në 44,6 milionë euro, ose rreth (16.0%), pijet, pije alkoolike dhe uthullat ku arritën në 25,5 milionë euro, ose rreth (9.2%), etj.”, thuhet te të dhënat e ASK-së.

Në bazë të dhënave të ASK-së del se në vitin 2021, importi nga të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate pati rritje në përjashtim të Moldavisë, e cila pati rënie përkundër importit të vogël që Kosova realizon nga ky vend.

Më së shumti mallra që importoi Kosova nga vendet e CEFTA-s ishin: hekuri dhe çeliku ku arritën në 180 milionë euro, ose rreth 20.2 për qind, lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e destinimit të tyre; substancat bituminoze; dyllet minerale, të cilat arritën vlerën 99,1 milionë euro, ose rreth 11,1 për qind, pijet, pije alkoolike dhe uthllat, të cilat arritën vlerën 61,4 milionë euro, ose rreth 6.9 për qind etj.

Trajtimi i pabarabartë i Kosovës në CEFTA

CEFTA në të kaluarën u krijua për qëllim të eliminimit të pengesave në mes vendeve anëtare dhe në konceptin e ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së shëndoshë.

Në dhjetor të vitit 2006, në emër të Kosovës, UNMIK-u, nënshkroi marrëveshjen e CEFTA-së, ku Kosova u bë anëtare e plotë me 26 korrik të vitit 2007. Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, Kosova ndërroi vulat doganore nga ato të UNMIK-ut në Dogana e Kosovës si dhe vendosi edhe simbolet e reja. Mirëpo ende Kosova vazhdon të trajtohet e pabarabartë në CEFTA. Për shkak të ndërrimit të vulave Kosova, Serbia dhe Bosnja i bënë bllokadë eksporteve të Kosovës drejt vendeve të tyre apo edhe si transit.

Vendet anëtare të CEFTA-s, ku bën pjesë edhe Kosova janë: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Moldavia. Tri nga vendet anëtare të CEFTA-s, Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Moldavia nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës.

Në muajin nëntor të vitit 2017, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, kishte thënë se Kosova do të shqyrtonte mundësinë për t’u tërhequr nga CEFTA nëse nuk merret parasysh kërkesa e saj për përfaqësim të drejtpërdrejtë – në vend që të përfaqësohet nga UNMIK-u.

Njoftimi i Kosovës se ajo mund të tërhiqet nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Evropës Qendrore, CEFTA, për shkak të asaj që shihet si trajtim të pabarabartë, shkaktoi një debat në lidhje me këtë plan dhe me pasojat e tij të mundshme.

UNMIK, i cili përfaqëson Kosovën në CEFTA, i kishte bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të rishqyrtojë kërcënimin, ndërsa shumica e ekspertëve vendas paralajmëronin se një lëvizje e tillë do të rriste çmimet e shumë mallrave të importuara.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt më 10 qershor 2021, tha se në marrëveshjen e CEFTA-s, Kosova vazhdimisht është trajtuar e pabarabartë dhe padrejtë, dhe më pas hodhi në tavolinë një ide të re. Sipas tij, ideja ishte që CEFTA të kalonte në SEFTA [Marrëveshje e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë].

“Nuk mjafton tregu i përbashkët por nevojiten edhe vlerat e BE të vendosen brenda secilit shtet edhe në raportet midis shteteve. Dhashë edhe një propozim si mund të ecim përpara dhe është modeli i marrëveshjes siç është EFTA, që e kanë Lihtenshtejni, Norvegjia dhe Islanda që të hyjmë në marrëdhënie të përbashkëta. Propozimi im është që të kalohet nga CEFTA në SEFTA”, kishte thënë Kurti.