Ilustrim - KALLXO

Rreziku që mund t`u kanoset mediave

Në politikat e tyre editoriale mediat duhet të kenë standarde se cilat burime i përdorin dhe nga cilat burime ri-publikojnë lajme.

Java e fundit u shoqërua me një diskutim të gjerë pasi Televizioni publik publikoi një lajm të marrë nga një medium, i cili në Bosnje dhe Hercegovinë kishte dhjetëra raste kur ishte hasur në lajme të pavërteta nga verifikuesit e fakteve.

Të dhënat tregojnë që në Kosovë mediat hezitojnë të ndërtojnë politika editoriale mbi të cilat i udhëzojnë stafin për burimet e sigurta të informacionit. Si rrjedhojë një lajm i pavërtetën për një sondazh për partitë politike u ri-publikua plot 16 herë në mediat të cilat janë edhe anëtare të KMSHK-së në Kosovë.

Burimet kredibile të cilat mediat i përdorin në shkrimet e tyre janë shtylla kryesore me të cilën ato krijojnë besueshmëri tek lexuesit.

Përveç kësaj, parimet dhe standardet profesionale të gazetarisë kërkojnë që burimet të jenë të sakta dhe të verifikuara.

Një burim i pasaktë të cilën mediat mund të iu referohen mund të jetë ‘shpërndarës’ i një narrative të caktuar apo edhe lajmeve të rreme.

Pikërisht përmes këtyre burime në Kosovë mediat mund të jenë pre e shpërndarjes se lajmeve të rreme.

Profesori universitar, Alban Zeneli, tha se në muajt e fundit është vërejtur një tendencë që burimet të keqpërdoren duke pasur cak ‘sulmet’ ndaj kundërshtarëve.

“Mediat online kanë kapacitet të vogla të njerëzve që i angazhojnë për të siguruar burime jashtë Kosovës. Pse operojnë kështu? Arsyeja është mungesa e kapaciteteve njerëzore, korrespodentëve në vende të ndryshme të botës. E dyta, lidhet me pamundësinë financiare për të realizuar këtë dhe pastaj kemi vërejt një tendencë në vitet e fundit, më saktë, muajve të fundit që këto burime të keqpërdoren me qëllim për të sulmuar kundërshtarët e ndryshëm në Kosovë e kryesisht në sferën e politikës”- tha ai.

Kjo identifikohet edhe në raportin ‘Vorbulla e rrenave’ të publikuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë.

“Një pjesë e konsiderueshme e mediave online funksionojnë pa redaktorë apo standarde editoriale. Si rezultat, gazetarët e rinj ose të papërvojë shpesh publikojnë materiale pa kryer analiza të plota në lidhje me besueshmërinë e burimeve të tyre”- thuhet në raport.

Profesori Zeneli theksoi se rrezik i shpërndarjes së lajmeve të rreme dhe narrativave me prapavijë të caktuar janë edhe lajmet e përkthyera nga gjuhët e tjera në mediat në Kosovë.

“Për përdorimin e burimeve ka shumë rëndësi edhe të përkthyera është fjala. Kur përkthejmë nga gjuhët e huaja, e sidomos nga gjuha serbe duhet me pas shumë parasysh redaksitë tona që duhet të kenë njerëz të cilët e njohin kontekstin e rrethanave sepse shpeshherë mund të ndodh që të transmetojmë narrativa të rreme të Serbisë. Dhe kjo nuk ka ndodhur njëherë por disa herë”- thotë Zeneli.

Në raportin, ‘Vorbulla e rrenave’ thuhet se mediat në gjuhën shqipe e serbe publikuan komunikata të Kremlinit që lidhen me ngjarjet në Ballkan e që kishin origjinë nga burimet mediale të kontrolluara nga Kremlini.

BIRN kishte identifikuar burime të shumta që vijnë nga Rusia të cilat influencojnë narrativat e propagandës dhe dezinformimit rreth Kosovës.

“Një pjesë e konsiderueshme e mediave online funksionojnë pa redaktorë apo standarde editoriale. Si rezultat, gazetarët e rinj ose të papërvojë shpesh publikojnë materiale pa kryer analiza të plota në lidhje me besueshmërinë e burimeve të tyre”- thekson raporti.

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) më 22.07.2024 shpërndau një artikull të medias boshnjake ‘Slobodna Bosna’, i cili citohej si hulumtim për ndikimin e presidentit serb në mediat në rajon duke përfshirë edhe Kosovën.

Në shkrimin e ‘Slobodna Bosna’ të publikuar e përkthyer nga RTK, thuhet se janë dy media në Kosovë të kontrolluara apo financuara nga Vuçiq.

Kjo nxiti reagime të shumta në vend duke marrë shkas edhe postimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, në rrjetin social facebook.

Në postimin e Zybës, i cili ka shpërndarë lajmin e RTK-së, përmenden emrat e dy mediave në Kosovë që sipas ‘Slobodna Bosna’ kanë lidhje me Vuçiqin.

Por në linkun aktual të lajmit të RTK-së, nuk shihen emrat e dy mediave. RTK ka mohuar të ketë edituar tekstin.

Lidhur me mediumin boshnjak “Slobodna Bosna”, KALLXO.com ka pyetur Darko Brkan nga “Raskrinkavanje.ba” – një platformë për kontrollin e saktësisë së informacionit dhe dezinformatave në hapësirën publike të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Brkan ka thënë për KALLXO.com se “Slobodna Bosna” ka një histori të gjatë dhe se ka qenë një nga revistat politike më me ndikim në Bosnjë e Hercegovinë.

Megjithatë, Brkan ka theksuar se pasi ka kaluar ekskluzivisht në medium online kanë vërejtur shumë praktika manipuluese në publikimin e tyre dhe besueshmëria e tyre është bërë e dyshimtë.

“Slobodna Bosna”, sipas Brkan, ka qenë ndër botuesit më të vlerësuar, ndonëse konsideron se nuk janë të pazakonta llojet e ndryshme të manipulimeve mediatike në shkrimet e këtij mediumi.

“Gjatë disa viteve që Raskrinkavanje ka kontrolluar faktet e mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në rajon, ne kemi vlerësuar rreth 200 artikuj nga ‘Slobodna Bosna’, gjë që i vendos ata ndër botuesit më të vlerësuar në Raskrinkavanje. Ai është një medium që ndoshta nuk është në krye për sa i përket prodhimit të dezinformatave vetë, por mund të themi se nuk është e pazakontë të shohësh lloje të ndryshme manipulimesh mediatike në shkrimet e tij”- ka thënë Brkan.

Profesori universitar, Alban Zeneli tha se RTK publikoi lajmin e ‘Slobodna Bosna’ pa asnjë verifikim dhe standard profesional.

“Në këtë kontekst edhe lajmi i fundit i Radio Televizionit të Kosovës i cili është publiku pa asnjë verifikim, asnjë standard profesional ka ndiku që të sulmoj media të tjera në Kosovë duke e përdor një aset publik”- tha Zeneli.

Në mars të këtij viti #KallxoPërnime transmetoi hulumtimin ‘Rreziku nga dezinformatat e Kinës dhe Rusisë’.

Në këtë hulumtim thuhet se “Kosova rrezikohet seriozisht nga dezinformatat dhe narrativa me bazë në Rusi dhe Kinë”.