Rreziku nga ri-publikimet e informacioneve

Raportimi i drejtë dhe i saktë është një ndër parimet bazë të gazetarisë i cili vihet në rrezik në momentet kur gazetaria kalon në formatin e Copypaste dhe mediat nuk kanë politikë editoriale për ri-publikimet e materialeve. Sfida vazhdon të mbetet sundimi i ligjit dhe e drejta e autorit.

Një varg faktorësh kanë mundësuar që në Kosovë gazetaria Copy-paste të lulëzoj dhe bashkë me të edhe rreziku i shprëndarjes zingjirore të informacioneve të cilave nuk u dihet burimi. Një pjesë e madhe e mediave në vend nuk e kanë të publikuar politikën editoriale ndërsa të tjerat nuk kanë arritur të edukojnë gazetarët për të kontrolluar burimin e informacioneve. Si rrjedhojë  dezinformata por edhe informacione të pavërteta shprëndahen me shpejtësinë e dritës pa u llogaritur pasojat.

Një informacion i rremë për një sondazh të Insitutitit amerikan NDI i publikuar në një portal lokal u ri-shprënda në 20 media në Kosovë një pjesë e të cilave edhe antare të Këshillit të Mediave të Kosovës. Materialet u ri-edituan dhe informacioni i rremë u largua në pjesën më të madhe pas denoncimti nga verifikuesit e fakteve mirëpo mësimet nga ky proces janë ende larg.

Mediat në Kosovë nuk kanë politikë të proklamuar editoriale mbi të cilën përcaktojnë se nga cilat mediume marrin informacione të cilat i transmetojnë.

Të paktën kjo u pa edhe në rastin e Televizionit Publik i cili rezultoi se mori informacion nga një gazetë me probleme serioze në Bosnjë e Hercegovinë kur raportoi për financimin e mediave në Kosovë.

Në TV-në publik sipas asaj që doli më pas nuk ka rregulla të cilat kërkojnë verifikime të thjeshta para se të publikohen informacione të huazuara.

Mediumi boshnjak doli të ketë rreth 200 raste kur ishte zënë duke raportuar të pavërteta nga  kontrolluesit e fakteve në Bosnjë. Në një situatë të tillë më e pakta që do duhej të bëhej do ishte t`i tregohej publikut që ky medium nuk është 100% i sigurtë në informacionin e tij.

Historitë e ngjarjeve të ngjashme kur dezinformatat u publikuan në disa platforma janë të shpeshta ndërsa në komunitetin e gazetarëve ende nuk janë diskutuar mekanizmat mbrojtës të tyre.

Shembull se në Kosovë ri-publikohen materiale të cilat prodhohen nga mediat qeveritare Kineze nuk është përkthyer në ndërtimin e politikave editoriale në media që ndalojnë këto ri-publikime.

Ngjashëm politikat editoriale të mediave nuk kanë ndërtuar ende qëndrime të qarta për dezinformatën e Kremlinit apo transmetimit të materialeve të cilat promovojën religjionin politik.

Madje as në kodet e etikës së KPM-së dhe KMSHK-së ende nuk janë ndërtuar norma që sanksionojnë mediat që ri-publikojnë materiale që konfiderohen dezinformata qeveritare.

Në kodin e mediave të shkruara sanksionohet vetëm sponzorizimi por edhe në këto raste ankesat janë të pakta dhe mediat online janë pa pasoja.

Problemet do ishin më të pakta nëse në vend do niste të respektohej njëri nga ligjet bazë Ligji për të drejtën e autorit. Ligji i cili është në fuqi në Kosovë  në normat e tij garanton që mediat të ruajnë pronësinë e lajmit deri në 24 orë ndërsa për materialet e tjera edhe për tërë jetën. Por për shkak të zgjatjes së lëndëve në gjykata mediat profesionale e kanë të vështirë  ti mbrojnë të drejtat e tyre. Në të dhënat e KMSHK-së tregohen deri në 50 raste ku shkeljet janë konstatuar mirëpo palët ende nuk kanë mundur të marrin kompenzimet në gjykatë. Në këtë situatë për të ruajtur audiencën por edhe kredibilitetin mediat duhet të nisin të mbrojnë të drejtat e tyre autoriale dhe të përcaktojnë politika për burimet e sigurta për të mbrojtur fillimisht veten e më pas edhe publikun nga dezinformatat.