
Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com
Rreziku i fshehjes dhe tjetërsimit të pasurisë: Ministria kontrakton një Kompani juridike për 300 mijë euro që të shpejtojë ekzekutimin e Vendimit kundrejt Bedri Selmanit
Rreziku i fshehjes, tjetërsimit të pasurisë dhe ikjes për shlyerjen e obligimeve nga Bedri Selmani për Republikën e Kosovës – rast ky i fituar në Gjykatën e Arbitrazhit – duket se shtyri Ministrinë e Drejtësisë të nënshkruajë Kontratë dhe të përshpejtojë ekzekutimin e Vendimit të Gjykatës.
Ministria e Drejtësisë nëpërmjet platformës elektronike për prokurimin publik në Kosovë E-prokurimi ka bërë të ditur se ka nënshkruar Kontratë për ekzekutimin e Vendimit 2443, MHM HBH, faza e dytë.
Nëpërmjet procedurës së negociuar të prokurimit Ministria e Drejtësisë në cilësinë e autoritetit kontraktues ka nënshkruar Kontratë në vlerë 300,000 euro, me Operatorin Ekonomik nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) “Squire Patton Boggs (US) LLP”.
Paraprakisht, ky dikaster qeveritar i Drejtësisë ka kërkuar nga KRPP (Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik) që t’ju mundësoj inicimin e procedurës se prokurimit për përzgjedhjen e një firme ligjore, që do të bëjë ekzekutimin e Vendimit të ICC në Arbitrazhin Ndërkombëtar – lënda me nr. 24443 MHM HBH, Bedri Selmani kundër RKS-së (Republikës së Kosovës).
Në përshkrimin e shkurtër të lëndës Ministria arsyeton inicimin e këtij aktivitetit të prokurimit.
“Arbitrazhi Ndërkombëtar lidhur me këtë lëndë ka vendosur në favor të Republikës së Kosovës, duke detyruar palën paditëse, Bedri Selmanin që t’i kompensojë shpenzimet e procedurës që i janë shkaktuar Republikës së Kosovës (shpenzimet e arbitrazhit 1,302,165,38 USD dhe 71,653,305 euro; rimbursimi i paradhënies për kostot 175,000.00 USD). Nga firma ligjore “Squire Patton Boggs”, e cila ka qenë e kontraktuar për përfaqësimin e Republikës së Kosovës në arbitrazh, më 05.08.2022 është paraqitur kërkesë, që paditësi Bedri Selmani në mënyrë vullnetare ta bëjë pagesën sipas Vendimit të Arbitrazhit për shpenzimet që i janë shkaktuar RKS-së. Ndërsa, më 12.08.2022, përfaqësuesi ligjor i paditësit Bedri Selmani është përgjigjur kësaj Kërkese përmes e-mailit e që nuk shpreh gatishmëri që të kryejë obligimet në mënyrë vullnetare, sipas Vendimit të Arbitrazhit.” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Po identifikohen asete në Kosovë dhe jashtë
Siç përshkruhet në njoftim, firma ligjore “Squire Patton Boggs”, e kontraktuar për përfaqësimin e këtij rasti, Ministria e Drejtësisë thotë se i ka këshilluar se ekziston mundësia reale që Bedri Selmani mund t’i fshehë asetet apo t’i tjetërsojë me qëllim që t’i ikë pagesës sipas Vendimit dhe ka propozuar që sa më shpejt të fillohen procedurat e ekzekutimit të këtij Vendimi.
Ministria e Drejtësisë tregon se po identifikohen asetet e paditësit që mund të jenë në Kosovë, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
“Avokatura Shtetërore i ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë në Kosovë në identifikimin e aseteve të paditësit dhe familjarëve të tij, të cilat mund të gjenden në Kosovë. Megjithatë kemi informata se Bedri Selmani ka asete në Mbretërinë e Bashkuar, prandaj nevojitet që sa më shpejt të jetë e mundur të angazhojmë një firmë ligjore që do t’i ndërmarrë (t’i vazhdojë) të gjithë hapat procedural për ekzekutimin e këtij Vendimi e që do t’i ktheheshin shpenzimet e krijuara të RKS-së. Meqenëse, kemi një situatë urgjente dhe rrezikun e fshehjes apo tjetërsimit…” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.
KALLXO.com ka siguruar edhe Vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit.
Se a do t’i paguajë mjetet Bedri Selmani sipas Vendimit të Arbitrazhit!? KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me anëtarët e familjes së Bedri Selmanit, mirëpo ka qenë e pamundur. Në anën tjetër pyetja i është dërguar edhe Dr. Yas Banifatemi dhe personave të tjerë të cilët në dokumentin e ICC International Court of Arbitration CASE No. 24443/MHM/HBH, të datës 01.08.2022, evidentohen përfaqësues të Bedri Selmanit në atë proces.
Në e-mailin e pranuar nga Dr.Yas Banifatemi, lidhur me këtë çështje, thuhet se nuk e përfaqësojnë më Bedri Selmanin dhe nuk mund të përgjigjen.
“Faleminderit për mesazhin tuaj. Ju lutemi vini re se ne nuk jemi më përfaqësuesit ligjorë të z. Bedri Selmani. Prandaj, nuk mund të përgjigjemi në kërkesën tuaj.” – thotë Banifatemi.
Kronologjia e rastit
Më 04.08.2022, KALLXO.com raportoi se Kosova e fitoi rastin kundrejt ish-deputetit Bedri Selmani, i cili kishte kërkuar 65 milionë euro nga Kosova në Arbitrazhin Ndërkombëtar.
Në rrjetin social Facebook, ministrja e Drejtësisë në vend, Albulena Haxhiu kishte shkruar se pas më shumë se dy vjetësh betejë ligjore si pasojë e nje padie të inicuar nga një person Republika e Kosovës ka triumfuar në Arbitrazh Ndërkombëtar.
Ministrja Haxhiu kishte njoftuar edhe për hapat që po ndërmerren nga institucioni që ajo udhëheq.
“Avokatura Shtetërore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në bashkëpunim me firmën ligjore që përfaqëson Republikën e Kosovës në Arbitrazh, kanë filluar tashmë hapat e radhës për ekzekutimin e Vendimit të Arbitrazhit dhe inkasimin e shpenzimeve.” – citohet të ketë shkruar ministrja Haxhiu, në rrjetin social Facebook.
Selmani këta miliona i kërkoi si kompensim për dëmet e pretenduara nga ai për “shpronësimin e investimeve” për hotelin “Victory”, Auto Prishtina – Auto Kosova dhe pompat e benzinës “Kosova Petrol”.
Rasti ishte dërguar në Arbitrazh nga Bedri Selmani, pasi Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte larguar nga pronat shoqërore: Hotel Victory, Auto Prishtina – Auto Kosova dhe disa pompa të benzinës “Kosova Petrol”, që ishin të shtrira në disa qytete të Kosovës. Largimi nga këto prona është bërë meqë AKP-ja që menaxhon me pronat shoqërore e ka konsideruar uzurpator ish-deputetin e PDK-së, Bedri Selmani.
“Agjencia Kosovare e Privatizimit, në vazhdën e aktiviteteve për lirimin e aseteve të Ndërmarrjeve Shoqërore nga uzurpatorët, sot ndërmori aksionin për lirimin e asetit të Ndërmarrjes Shoqërore ‘Auto Prishtina’, i njohur si Hotel Victory dhe të disa aseteve të tjera të kësaj Ndërmarrjeje.” – thuhej në komunikatën e AKP-së, të lëshuar më 03.06.2016.
Bedri Selmani e kishte dorëzuar padinë ndaj Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Paris të Francës, më 29.04.2019.
Qeveria Haradinaj, më 19.07.2019, e kishte autorizuar Ministrinë e Drejtësisë që drejtohej në atë kohë nga Abelard Tahiri i PDK-së, për inicimin e procedurave të negociuara pa publikim të njoftimit për Kontratë për përzgjedhjen e përfaqësuesit të autorizuar për mbrojtjen e Kosovës në Arbitrazh ndaj Bedri Selmanit.
Në vitin 2016, saktësisht më 03.06.2016, Policia e Kosovës ia kishte vënë shiritat hotelit “Victory” dhe ia kishte kthyer pronën Agjencisë së Privatizimit. E njëjta e ka nxjerrë në shitje përmes likuidimit Ndërmarrjen “Auto Prishtina” – pjesë e të cilës është edhe “Hoteli Victory”.
Vajza e Bedri Selmanit, Mimoza Selmani, si menaxhere e këtij Hoteli pati thënë për media se bastisja e “Hotel Victory” është bërë pa vendim gjyqësor.
Kush është ‘Squire Patton Boggs (US) LLP’?
Sipas të dhënave të publikuara “Squire Patton Boggs (US) LLP” është një Kompani ndërkombëtare ligjore, me gjithsej 45 zyra në mbi 20 shtete. Ajo u formua në vitin 2014 nga firmat ligjore shumëkombëshe “Squire Sanders me Patton Boggs”, me qendër në Uashington D.C.
Në sajtin zyrtar të Kompanisë, e cila përfaqëson Kosovën në Arbitrazh, përmendet se Kompania “Squire Patton Boggs (US) LLP” ka arritur të fitojë rastin në një mosmarrëveshje investive në vlerë 380 milionë euro nga një investitor privat gjerman. Duke detyruar kështu paditësin të paguajë mbi 2 milionë dollarë për tarifat dhe shpenzimet e shkaktuara për mbrojtje.
Tutje, për ta mbrojtur Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit me Kompaninë në fjalë, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar Kontratë për përfaqësim ligjor kundrejt padisë së Blerim Devolit “Iute Credit” dhe “Contour”.