Pamje nga aksioni i Prokurorisë në Gjilan, si vazhdimësi e aksionit të Karaçevës, Foto: KALLXO.com

“Rrezet” e Karaçevës: Si u zgjerua operacioni i djeshëm në Pejë, Gjilan e Prizren

Pas një hetimit të gjatë të Inspektoratit Policor të Kosovës, me autorizimin e Prokurorisë në Gjilan, mëngjesi i 1 tetorit i ka gjetur prokurorë, policë e inspektorë së bashku në një operacion i cili është i dyti pas atij që ka është zhvilluar më 18 shtator në fshatin Karaçevë, në afërsi të kufirit Kosovë- Serbi.

Por kësaj radhe, operacioni kishte shënjestra tjera në komuna tjera të Kosovës.

Policia e Kosovës dhe organet tjera ligjzbatuese me autorizimet e Prokurorisë së Gjilan që nga orët e hershme të mëngjesit kishin filluar aksionin e 1 tetorit i cili u zgjerua në disa qytetet të Kosovës, si Gjilan, Peje, Prizren, Suharekë dhe Podujevë.

Prokuroria në Gjilan ne një konferencë për media në fund të operacionit ka treguar se kanë arrestuar 24 persona.

“Ky aksion ka qenë vazhdimësi e operacionit nga Karaçeva, i cili kishte rezultuar me 37 persona të arrestuar. “Aksioni i sotëm ka të bëjë me kontrabandim të mallrave, blerjen dhe fshehjen e sendeve të përfituara nga veprat penale. Në aksionin e sotëm janë ndaluar 24 persona të cilët dyshohet se janë përfshirë në aktivitete kriminale”, ka thënë kryeprokurori i Gjilanit Jetish Maloku.

Kryeprokurori i Gjilanit tregon detaje nga aksioni i sotëm i nisur në Karaçevë

Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në 57, nga ta 12 zyrtarë policorë përderisa disa persona të tjerë vazhdojnë të mbeten në arrati.

Pas arrestimeve të para në Karaçevë dhe shkatërrimin e një rrjeti të dyshuar kriminal, cak i bastisjeve kanë qenë edhe lokacionet e tjera në disa qytete të Kosovës.

Bastisjet i kanë përcjellë nga afër prokurorja e rastit Rozelida Manastiri dhe Shefi i Divizionit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion Bardhyl Haxhimustafa.

Pas aksionit në Karaçevë, bastisje në Pejë, Prizren e Gjilan në fabrika të mishit (FOTO)

Zgjerimi i aksionit në disa qytetet të Kosovës, si Gjilan, Pejë, Prizren, Suharekë dhe Podujevë erdhi për shkak të dyshimeve të bazuara se në këto lokacione janë zhvilluar veprimtari kriminale, përfshirë kontrabandimin me mallra, vënien në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor, blerjen, pranimin ose fshehjen e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale dhe organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Cak i bastisjes në Pejë nga Policia e Kosovës ishte një industri mishi që dyshohej se kishte mallra të kontrabanduara e gjithashtu edhe krerë të lopëve të kontrabanduara nga Serbia.

Pejë, aksion bastisje në industrinë e mishit

Në aksionin e Pejës, pjesëtarë të Policisë e Kosovës ishin të shoqëruar edhe nga Inspektorati Policor, Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Fillimisht ka nisur bastisja në zyrën e kësaj kompanie ku janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e parave të gatshme ne kasafortën e kompanisë.

Derisa bastisja ishte duke vazhduar, zyrtarët e ATK-së kanë kontrolluar hyrjet dhe daljet gjatë dy viteve të fundit e po ashtu kanë kontrolluar librat e tjera të kontabilitetit.

Bastisja për disa orë ka vazhduar edhe me zyrtarët nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, të cilët në fermën e kësaj kompanie kanë gjetur mos përputhje të dokumenteve apo librezave të krerëve të lopëve me ato aktuale që gjendeshin në fermë.

Inspektimi dhe kontrolli ka vazhduar edhe brenda fabrikës ku bëhet përpunimi i mishit dhe produkteve tjera.

Inspektorët e AUV kanë obliguar pronarin që një sasi e mishit dhe disa produkte tjera të asgjësohen pasi që nuk kanë qenë ne përputhje me rregullat e tregut.

Fotografi dhe mostra në këtë industri mishi kanë marrë edhe zyrtarët e Doganës së Kosovës.

Policia e Kosovës në fund të aksionit e ka arrestuar pronarin e kësaj industrie mishi  e i cili brenda 48 orëve pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin e masës së sigurisë.

Arrestimet kanë vazhduar edhe në qytetet e tjera të Kosovës. Para gjyqtarit të procedurës paraprake për caktimin ose jo të masës së paraburgimit presin të dalin edhe 23 persona të tjerë të cilët u arrestuan ditën e djeshme.

Nga personat e mbetur në kërkim që ende nuk janë kapur nga organet e rendit ka të atillë që janë përfshirë kontrabandimin me mallra, e po ashtu persona që janë marr me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.