Rregullatori i Hekurudhave nuk e pezulloi drejtorin edhe pse ishte i akuzuar për 5 vite

Edhe pse nga viti 2015 deri në janar të këtij viti, Abdylkader Muçaj ka qenë në procedurë gjyqësore, ai nuk është pezulluar dhe ka vazhduar ta ushtrojë pozitën e drejtorit të Departamentit Ligjor dhe të Licencimit në Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës.

ARH nuk e ka pezulluar nga detyra Abdylkader Muçajn, siç kërkohet me Ligjin mbi Shërbimin Civil të Kosovës, edhe pse të njëjtit, në muajin tetor të vitit 2015 i ishte ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Prokuroria Speciale pretendonte se Muçaj, si drejtor i Departamentit Ligjor dhe Licencimit në ARH, ka lëshuar një vendim të kundërligjshëm. Vendimi kishte të bënte me revokimin e licencës për transport hekurudhor të mallrave për ndërmarrjen “Railtrans”.

Ligjin mbi Shërbimin Civil të Kosovës i cili ka qenë në fuqi në kohën kur ka qenë duke u zhvilluar procedurë penale ndaj Muçajt, dhe vazhdon të jetë në fuqi pas pezullimit të Ligjit për Zyrtarët Publik, thuhet se nëpunësit civilë pezullohen me pagesë nëse kundër tyre është iniciuar procedurë penale për kryerjen e veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij.

“Nëpunësit civilë pezullohen, me pagesë 50% të rrogës se tij/saj, menjëherë nga detyra nga organi përgjegjës për menaxhimin e personelit të institucionit punëdhënës nëse: kundër tij/saj është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të tij/saj”, thuhet në paragrafin e parë të nenit 69 të Ligjit mbi Shërbimin Civil.

Në muajin maj të vitit 2019, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dënuar Muçajn me 1 vit burg efektiv. Muçaj ishte ankuar kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Gjykata e Apelit në muajin janar të këtij viti e ka shpallur të pafajshëm Muçajn.

Gjykata e Apelit tha se pasi shqyrtoi me kujdes pretendimet ankimore dhe i vlerësoi shkresat e lëndës, gjeti se Gjykata e Prishtinës e ka bërë vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe me këtë gabimisht e ka shpallur fajtor të akuzuarin për veprën penale për të cilën është akuzuar.

Para se Gjykata e Apelit ta lirojë Muçajn nga akuzat, ARH ka thënë për KALLXO.com se Abdylkader Muçaj vazhdon të punojë si drejtor në ARH që nga viti 2011. Po ashtu, në përgjigjen e tyre thuhej se shpresojnë në pafajësinë e Muçajt.

“Ne ju informojmë se në bazë të dhënave zyrtare tek personeli z. Muçaj në ARH ka filluar punën nga viti 2011 dhe kryen punën si Drejtor i Departamentit të Licencimit, në bazë të informatave të lartcekurit z. Muçaj është ankuar në Gjykatën e Apelit dhe ende nuk ka pranuar një vendim të plotfuqishëm nga kjo Gjykatë. Shpresojmë në pafajësinë e z. Muçaj  lidhur me këtë proces, si në kuptim të nenit 31 paragrafi 5 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës”, potencohet në përgjigjen e ARH-së.

Se nuk është pezulluar asnjëherë nga ARH, edhe pse ka qenë në procedurë gjyqësore, e ka konfirmuar edhe vetë Abdylkader Muçaj. Muçaj ka thënë për KALLXO.com, se ARH nuk e ka pezulluar për shkak se nuk ka pasur dilema se vendimi ka qenë i ligjshëm.

“Jo nuk kam qenë asnjëherë i pezulluar, ngase për Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave, nuk ka pasur asnjëherë dilema se ky vendim i këtij institucioni, i cili ka qenë i aprovuar nga Bordi Mbikëqyrës para se të nënshkruhet formalisht nga ana ime, ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm. Fatmirësisht një gjë  e tillë tashmë është vërtetuar me vendim të plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit”, ka thënë Muçaj për KALLXO.com.

Poashtu, Muçaj ka thënë se është duke përgatitur padi për Prokurorinë Speciale dhe Gjykatën Themelore të Prishtinës për shkak se sipas tij, këto dy institucione ia kanë shkelur të drejtat dhe liritë.

“Për shkeljen flagrante të drejtave dhe lirive të njeriut në rastin tim, fillimisht nga Prokuroria Speciale, e cila pa asnjë bazë ligjore dhe asnjë provë të vetme ka krijuar rast penal të pa qenë, e vazhduar në mënyrë po aq arbitrare nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në kundërshtim të hapur me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe ligjeve tjera të aplikueshme, unë tashmë kam filluar me përgatitjen e Padive të nevojshme, në mënyrë që këta shkelës të drejtave dhe lirive të njeriut të mbahen përgjegjës dhe llogaridhënës, dhe se situata të ngjashme të mos përsëriten ndaj askujt tjetër në vendin tonë”, ka deklaruar Muçaj.

Më tej, drejtori Ligjor dhe i Licencimit në ARH, Abdylkader Muçaj ka shtuar se Gjykata e Apelit e ka konfirmuar se nuk ka pasur vepra penale në veprimet e tij dhe të institucionit ku punon ai.

“Pas gjithë kësaj sage të turpshme të dy institucioneve të lartcekura, ashtu siç keni mundur të kuptoni nga njoftimi zyrtar, Gjykata e Apelit ka konfirmuar dhe vërtetuar se: jo vetëm se nuk ka pasur vepër penale apo shkelje të ligjit në këtë rast, por se të gjitha veprimet e mia dhe të institucionit, kanë qenë në përputhje me Ligjit, aktet nënligjore, dhe autorizimet institucionale zyrtare”, ka përfunduar Muçaj.

Deri në muajin shtator të vitit 2019, në fuqi ka qenë Ligji mbi Shërbimin Civil. Më 12 shtator të vitit 2019 ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publik.

Avokati i Popullit kishte parashtruar kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë në disa prej neneve të këtij Ligji.

Kushtetuesja e ka miratuar ankesën e Avokatit të Popullit për masë të pezullimit deri në më 28 shkurt 2020 dhe gjithashtu ka pezulluar zbatimin në tërësi të këtij Ligji.

Nga pezullimi i Ligjit për Zyrtarët Publik prapë është në fuqi Ligji mbi Shërbimin Civil.