Rrëfimi i Trishtë Për Luftën

Kolegji i gjykatësve në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, të enjten dëgjoi dëshminë e dëshmitares Mejhane Baftiu nga Fushë-Kosova. Dëshmitarja u ftua që të dëshmonte në çështjen e të pandehurit Aleksander Bullatoviq, i njohur si Acka.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka akuzuar Aleksander Bullatoviqin për krime lufte kundër popullatës civile. Koha e kryerje së krimeve sipas aktakuzës ishte marsi dhe prilli i 1999-së, në Fushë-Kosovë.

Mejhane Baftiu rrëfeu para kolegjit për ditët e para të luftës, pas fillimit të bombardimeve nga NATO-ja. Dëshmitarja tregoi për Xheladin Idrizin, i vrarë me 8 prill dhe më pas i zhdukur.

Dëshmitarja Mejhane Baftiu kujtoi se gjatë kohës së bombardimeve, pra në ditët e para, kishte qëndruar në shtëpinë e saj në Fushë-Kosovë, ku edhe kishte shtëpinë në fqinjësi me Xheladin Idrizin, Bajram Shalën dhe vetë familjen Bullatoviq.

“Ishte ora 8 e mëngjesit, dola në oborr dhe pash një xhip i zi që u ndal… Nuk mund të shihje se çfarë ka brenda, u ndal para derës së Shahinit (Idrizi). Nga xhipi zbritën katër persona dhe hynë në oborrin e Shahinit”, tregoi dëshmitarja.

Ajo i përshkroi ata që zbritën nga makina si persona të veshur me rrobe me lara të zeza e të gjelbra. Po ashtu, tha se mbanin maska në fytyrë, e dy nga ta tha se kishin dhe mjekra.
“Ata e morën axhën Xhelë dhe e qitën jashtë për krahësh. Ai ishte vetëm në shtëpi”.

“E qitën te dyert e oborrit dhe më panë mua që po i shoh e më thirrën edhe mua që të shkoj aty. Më thanë: ‘Çfarë po pret këtu’. Ju thashë: ‘Juve po ju pres’. Isha e humbur në atë kohë plotësisht dhe isha e frikësuar”

“Më kërkuan lejen e njoftimit, e ju thashë: ‘Çfarë po ju duhet leja ime, nuk kam bërë asgjë, jam në shtëpinë time’. Ata më pas më pyeten nëse jam gruaja e Shahinit (Idrizit), por unë ju thashë se po të isha gruaja e tij do të isha me të, e jo në shtëpinë time”, rrëfente dëshmitarja.

“Katër personat  maskuar më thanë mua dhe plakut (Xheladin Idrizit) se duhet të shkonim në stacion policor në ora 15. ‘Nëse nuk vini, do të vijmë të ju mbysim’…Xheladini tha se nuk vij”, vazhdoi dëshmitarja.

Ajo rrëfeu se si e kishin kërcënuar dhe më pas ia kishin këputur gishtin e vogël të dorës, Xheladin Idrizit. Tregoi se pasi që i kishte lidhur gishtin me një këmishë të vjetër, i kishte humbur edhe vetë ndjenjat dhe për një kohë nuk kishte ditur asgjë për vete.

“Xheladin Idrizit ia vendosën thikën në sy dhe dojshin me ja nxjerr, ndërsa automatin ja mbanin në fyt. E plaku ua ktheu: ‘Edhe kryet me ma hekë, shtëpinë nuk e lëshoj’”.

Dëshmitarja Baftiu tregoi se si asaj gjatë kësaj kohe sa i thoshin ri e sa i thoshin që të shkojë e në një rast ata e kishin pyetur se ku e kishte burrin. “Ju thashë se është në spital. E ata ma kthyen se po gënjeja, se ai është në UÇK”.

“Këta ia pren gishtin e vogël Xheladin Idrizit… Unë ia lidha atë me një këmishë të vjetër pasi që i rridhte gjak gjithë kohës”, rrëfente dëshmitarja përjetimin e saj.

Dëshmitares pasi që i ishin kthyer ndjenjat kishte shkuar te vëllai i të pandehurit, Predrag Bullatoviqit i njohur si Peda, dhe i kishte kërkuar ndihmë për ta dërguar deri në Prishtinë. Peda i kishte dalë në derë i armatosur dhe e kishte ftuar për kafe, derisa i kishte thënë se nuk mund ta dërgonte për në Prishtinë.

Ajo kujtoi se Peda i kishte thënë: “Jo se këta të mitë më mbysin me më pa me ty”.

Rreth orës 14:30, dëshmitarja së bashku me fëmijët e saj kishte lëshuar shtëpinë nga frika se mos po kthehen të maskuarit në orën 15, ashtu siç iu kishin thënë. Në këtë kohë për herë të fundit e kishte parë Xheladin Idrizin teksa ishte në shtëpinë e Bajram Shalës.

Në fund dëshmitarja Mejhane Baftiu tha se nuk e ka parë as Aleksander Bullatoviqin e as vëllain e tij Predrag Bullatoviqin me persona të maskuar.

Seanca e radhës do të vazhdojë të premten.