Rrëfimi i ricikluesit të xhamit

Dukagjin Berisha është një qytetar nga komuna e Gjakovës që merret me ambientin.

Por, pasioni i tij për ruajtjen e ambientit i ka sjellë një ide – të riciklojë xhamin dhe mbeturinat që mbesin prej xhamit.

Që nga viti 2019, Berisha ka themeluar një kompani në Gjakovë, “Kosovo Glass Recycling”, që mbledh xhamin dhe e riciklon atë.

“Kemi filluar në prill të 2019-ës. Ideja është nisur në lagjen tonë, unë duke u marrë me ambient dhe e kam pa që qelqi nuk riciklohet, e këto të tjerat riciklohen. Edhe jam si ndërtimtar dhe më ka lind ideja për me i kombinu këto të dyja, me e bo qelqin si zhavorr edhe me bo produkte prej tij”, thotë Berisha për KALLXO.com.

Berisha thotë se produktin që e nxjerr nga riciklimi i xhamit krijon gjëra të ndryshme.

“Unë kam fillu me riciklu, me mbledh dhe kanë qenë disa ide që diçka mundemi me bo me to, tash kemi fillu me i bo disa tavolina, disa kubëza për shkak se me riciklim me mujtë me arritë diçka si fitim për me e bo një biznis të qendrueshëm, edhe kemi fillu kubëza me maru, tavolina, shanka, e shumë gjëra të tjera”.

Berisha ka thënë se prej që e ka filluar këtë veprimtari, nga Komuna e Gjakovës është ndihmuar me disa kontejnerë, ndërsa përkrahje financiare nuk ka pasur asnjëherë.

“Komuna e Gjakovës më ka përkrahë me disa kontejnerë të vegjël dhe katër kontejnerë të mëdhënj kompania “Çabrati”. Përkrahje financiare ose përkrahje tjetër nuk kemi pasur as prej Komunës e as prej Ministrisë”, tha ai.

Në kompaninë e tij, Berisha ka të punësuar 9 punëtorë si dhe e gjithë familja e tij, gruaja, djemtë dhe vajza.

“Kjo është ideja që riciklimi i qelqit me u zhvillu në krejt Kosovën, por unë kushtet njëherë i kam të vogla, në qoftë se zhvillohet puna dhe ecë biznesi, ne do të dalim në krejt Kosovën që me e riciklu qelqin. Për shkak se kjo është një ide që me e rujtë ambientin, edhe me e pasë qelqin një vend ku mundet me u hedhë, jo me u hedhë por me u ripërdorë, që mes me u hedh në lumenj apo në deponi të tjera”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Dukagjin Berisha ka thënë se sfidat e biznesit të tij kanë qenë deri diku të parashikueshme, por që prapë vullnetin e ka të madh për të vazhduar me këtë veprimtari.

“Vullnetin e kemi shumë të madh dhe e kemi një kënaqësi shumë të madhe që jemi duke kontribu në ruajtjen e ambientit, edhe kënaqësia më e madhe është se si po ka shumë njerëz që po kanë dëshirë me riciklu dhe po kanë dëshirë me e ditë se ku po shkon ai material që riciklohet”, shtoi ai.

Që nga viti 2018 Kosova ka eksportuar rreth 38 mijë kilogramë mbetje të qelqit, në vlerë totale prej 42 mijë e 693 euro.