Foto ilustruese nga Komuniteti rom në Liqenin Artificial të Tiranës. 7 tetor 2015. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Romët: Viktimat e lëna anash të pandemisë në Europë

Të shtrydhur në vendbanime, pa ndonjë kujdes shëndetësor dhe të shkëputur nga kanalizimet, komuniteti rom është veçanërisht i rrezikuar përballë COVID-19. Ndihma për ta është në interesin e secilit.

 

Vendet në të gjithë Evropën kanë hyrë në një bllokadë në përpjekje për të ndaluar përhapjen e COVID-19, duke kufizuar lëvizjen, duke mbyllur shkollat dhe bizneset dhe duke vënë në zbatim distancimin social.

Por jo të gjithë njerëzit jetojnë në kushte që iu mundësojnë atyre të ndjekin rregulla të tilla. Për qindra mijëra romë në Evropën Qendrore dhe Juglindore është gjithçka e pamundur.

Nga Republika Çeke, Hungaria dhe Sllovakia, deri në Bullgari, Rumani, Kosovë dhe Serbi, Romët shpesh kufizohen në lagje të mbipopulluara me qasje të kufizuar në infrastrukturë, përfshirë ujin e pastër dhe ujërat e zeza.

Ata janë në vështirësi e të injoruar nga qeveritë në dekadat e fundit pasi autoritetet kanë lënë pas dore zyrtarizimin e vendbanimeve rome dhe të ofrojnë shërbime themelore. Tani koronavirusi kërcënon pasoja të mëdha për banorët e atyre vendbanimeve dhe shoqërisë në përgjithësi.

Ndikimet ekonomike tek njerëzit e rrezikuar romë gjithashtu do të jenë katastrofike. Ndihma e synuar për komunitetet rome nuk ka qenë kurrë më urgjente.

Pika më evidente është pamundësia e distancimit social me kaq shumë familje rome duke jetuar në banesa të vogla, me shumë njerëz të grumbulluar në një ose dy dhoma. Jashtë, rrugët janë në të njëjtën mënyrë të mbushura me njerëz dhe me pak hapësira të hapura dhe larg njëra me tjetrën.

Në të gjithë Evropën, fëmijët duhet të mbështeten në shkollimin prej shtëpisë dhe mësimin në distancë. Sidoqoftë, shumë familje rome nuk kanë internet, kompjuter ose energji elektrike. Ndërkohë, qendrat lokale të mësimit për familjet në nevojë janë mbyllur.

Nxënësit e shkollave fillore në vende të tilla si Maqedonia e Veriut dhe Serbia mund të përfitojnë nga mësimet televizive, të cilat janë më të qasshme. Por edhe me TV dhe energji elektrike, arsimi i tillë i largët është i vështirë në një banesë me një dhomë apo në një barakë.

Në të njëjtën kohë, prindërit romë që mund të jenë vetë analfabetë nuk kanë mundësi të ofrojnë ndihmën e tyre për shkollimin nga shtëpia. Mund të jetë e pritshme që shumë fëmijë Romë do ta humbasin një vit të plotë shkollor ose të braktisin arsimin krejtësisht.

Pastaj ekzistojnë rregullat të rrepta higjienike të nevojshme për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Në Shqipëri, më pak se gjysma e familjeve rome kanë qasje në ujë të rrjedhshëm në banesat e tyre. Kjo i bën të pakuptimta udhëzimet për “larjen e duarve” 

Shumë romë nuk kanë qasje në shërbime shëndetësore. Në Kosovë, vetëm 10 përqind e romëve të moshës 16 vjeç ose më të vjetër kanë sigurim shëndetësor. Në Shqipëri, kjo shifër shkon në 27 përqind.

Romët përjetojnë rregullisht diskriminim në kujdesin shëndetësor, dhe kjo nuk ka gjasa të ndryshojë në kohën e koronavirusit.

Si shumë të tjerë në Ballkanin Perëndimor, ata janë mësuar të paguajnë “bakshish” (ryshfete të vogla) për të marrë trajtimin që ata nuk mund të përballojnë. Ata gjithashtu duhet të paguajnë për ilaçe, të cilat ngjashëm janë përtej mundësive të tyre.

Përvojat e tilla do të thotë që shumë romë nuk mund të kërkojnë kujdes mjekësor edhe nëse ky kujdes është falas.

Tani mund t’i merrni parasysh pasojat ekonomike të pandemisë për komunitetet rome.

Njerëzve u kërkohet të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur dhe ta respektojnë çdo masë ndalim-qarkullimi. Sidoqoftë, dhjetëra mijëra romë në Ballkanin Perëndimor e bëjnë jetën e tyre përmes vetë-punësimit të pasigurt, duke shitur gjësende në treg, duke mbledhur material skrapi për riciklimin ose duke bërë punë të rënda si argatë ditorë.

Të tjerët udhëtojnë rregullisht në vendet anëtare të BE-së, ose për të blerë produkte që pastaj do i shesin në shtëpi ose për punë të përkohshme (joformale).

Arsyeja kryesore për të cilën ata duhet të mbështeten në burime të tilla të ardhurash është antigjipsizmi apo anticiganizmi (një lloj racizmi specifik ndaj Romëve) dhe diskriminimi që ata kanë përjetuar ndër breza në vendet e tyre të lindjes.

Tani të gjitha këto burime të ardhurash janë zhdukur.

Sipas Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara,KB, shkalla e punësimit për romët varion midis 11 përqind në Bosnje dhe Hercegovinë dhe 22 përqind në Maqedoninë e Veriut.

Si do të duhej të jetonin ata tani? Në komunën e vetme me shumicë rome në Evropë – Shuto Orizari në Shkup, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut – të gjitha tezgat e tregut dhe dyqanet janë të mbyllura, duke lënë qindra familje pa të ardhura.

Shumë romë me biznese të vogla nuk i kanë regjistruar ato, duke i përjashtuar ata nga mbështetja e mundshme që qeveria ofron për ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Mirëqenia sociale në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor është e kufizuar.

Duhet rikujtuar po ashtu se shumë familje rome nuk kanë as para dhe as hapësirë për të grumbulluar ushqime dhe furnizime higjienike. Edhe sikur të mundnin, si do t’ua shpjegonin prindërit fëmijëve të uritur se ushqimi në shtëpi nuk është për sot por për javën tjetër?

Dhe ne mund të parashikojmë se çmimi i ushqimeve kryesore mund të rritet në javët dhe muajt e ardhshëm.

Antigjipsizmi (racizmi) dhe mungesa e mundësive të ofruara e mban komunitetin Rom jashtë tregut të punës madje shumë kohë para se kriza me koronavirusin të shfaqej. Këtyre ditëve, shanset për jetesë duken edhe më këqija.

Dhe kur pandemia të ketë mbaruar dhe ekonomitë tw fillojnë luftën për ta rimarrë vetën përsëri? Kush do ti punësojë romët atëherë? Edhe më pak kompani dhe institucione sesa që punësojnë sot, pothuajse me siguri. Kur dhe si do të jetë në gjendje komuniteti Rom të rigjallërojë mënyrat e fitimit të jetesës tek të cilat mbështetej para krizës??

Të dhënat shpërfaqin një urgjencë për ndhmë ndaj komuniteteve rome – dhe jo vetëm për të ndihmuar romët.

Ky është një virus që nuk bën diskriminim. Nëse godet vendbanime më të varfra rome, pasojat nuk do të kufizohen vetëm tek njerëzit që jetojnë atje. Autoritetet duhet të përgatiten për implikimet afatgjata të kësaj pandemie.

Ata duhet planifikuar në parandlaimin e hedhjes së fajit tek romët në rast se shkalla e infeksionit në vendet me komunitete të mëdha romë shkon drejt kulmit. Qoftë i motivuar nga thashethemet apo thjesht nga racizmi i thjeshtë, sulmet ndaj romëve kanë ndodhur në të gjithë Ballkanin Perëndimor por dhe më gjerë.

Djegia e vendbanimeve rome dhe dëbimi dhe vrasja e banorëve romë nuk është diçka që ka ndodhur vetëm 300 vjet më parë. Akte të tilla kanë ndodhur gjatë 30 viteve të kaluara gjithashtu.

Disa autoritete lokale dhe kombëtare në Ballkanin Perëndimor janë proaktive – por shumë prej tyre nuk janë.

Ata që janë më proaktivë ofrojnë informacion të denjë për trajtimin e koronavirusit. Ata ofrojnë pako me ushqim dhe sapun higjienik. Ata mundësojnë që pagesat për faturat e energjisë elektrike dhe ujin të zvogëlohen ose të shtyhen për më vonë. Ata i ndërlidhin familjet që klasifikohen si të rrezikuara me infrastrukturë jetësore. Qeveria e Kosovës madje e dyfishoi mirëqenien sociale.

Organizatat e shoqërisë civile rome janë duke u përpjekur të rrisin vetëdijen për virusin brenda komuniteteve lokale. Ato gjithashtu po grumbullojnë fonde për ndihmë dhe po shpërndajnë ndihma humanitare dhe maska.

Autoritetet e tjera po kanë një qasje të kundërt. Për shembull, në Bullgari ata po prezantojnë masa kufizuese, duke i mbyllur romët në geto dhe duke i ndaluar ata të “përzihen” me pjesën tjetër të popullatës. Strategjitë e tilla janë raciste dhe duhet të ndalen.

Mediat duhet të jenë të ndjeshme dhe të shmangin të veçuarit e romëve si “rrezik” për përhapjen e COVID-19. Autoritetet duhet ti monitorojnë mediat sociale për racizmin dhe lajmet e rreme.

Qeveritë e rajonit, së bashku me Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera anëtare, duhet të kuptojnë nevojën për ti përfshirë romët në fushata informacioni dhe asistence dhe të ofrojnë mbrojtje nëse është e nevojshme.

Komisioni Evropian do të sigurojë 411 milion euro vendeve të Ballkanit Perëndimor për të luftuar COVID-19, me 38 milion euro të caktuara për ndihmë të menjëhershme për sektorët shëndetësorë.

Komunitetet e rrezikuara duhet të jenë shënjestra e parë e ndihmës humanitare. Donatorë si Komisioni Evropian duhet të insistojnë që autoritetet të mos e harrojnë komuntetin Rom dhe t’u shpërndajnë ndihma humanitare.

Ndërkohë, kemi nevojë për hapa urgjentë për të përmirësuar kanalizimet nëpër lagjet e komuniteteve rome dhe për ti ndihmuar familjet ekonomikisht. Organizatat e shoqërisë civile duhet të bashkëpunojnë me autoritetet për të vazhduar ndërgjegjësimin, identifikimin e nevojave dhe targetimin e ndihmave.

Në planin afatgjatë, qeveritë, BE, organizatat joqeveritare dhe donatorët duhet të mendojnë se si të përmirësojnë infrastrukturën, strehimin dhe punësimin në sektorin publik dhe privat. Ata duhet të gjejnë mënyra për të inkurajuar ndërmarrësinë dhe për të nxitur një përfshirje më të mirë në shkolla.

Eshtë në interesin e të gjithë neve.