Rojet Kërkojnë Armë
Xhemshir Nishori, 60 vjeçar, punon që nga paslufta si roje e pyjeve. Ai është sulmuar në muajin shtator nga persona që kishin shkuar për të prerë drurë në malin ku ai bënë roje, në Drenicë.
“Jam sulmuar më 9 shtator, rreth orës 18”, tha roja Nishori. “Kam hasur në pesë persona duke prerë drurë. I kishin tubuar drutë që i bartnin ato nga lartë malit”.
Nishori kishte bërë shumë kilometra në këmbë për të ruajtur malin. Kur kishte parë prerësit kishte filluar të bëjë fotografi, në mënyrë që ta dokumentojë prerjen.
“E kam fotografuar të parin duke e lëshu drurin. Atëherë janë lëshuar edhe katër të tjerë e më kanë sulmuar”, tregon ai. “Donin të më vrisnin. Më shanin, më thoshin ‘nuk guxon me dërgu flet-paraqitje në polici’”.
Roja është munduar të vetëmbrohet me briskun që thotë se gjithmonë e mban me vete. Ata ishin larguar dy-tre metra, pastaj e kishin sulmuar prapë me gurë.
Ky nuk ishte rasti i parë i pengesës në punën e tij për Nishorin. Edhe para një muaji në malin e fshatit Negrovc është gjuajtur me armë.
“Më Kanë gjuajtur me kallash. Plumbi më ka ardhur mbi kokë. Jam ulur për toke se isha në mal e thosha po të më gjej diçka nuk më sheh kush këtu”, tregon roja.
Ai kërkon nga organet kompetente që t’i ofrojnë armë. Përndryshe, thotë ai, pas orës 16 nuk do të dalë në mal për shkak të sigurisë.
Ahmet Zejnullahu, kryeshef i Agjencisë së Pylltarisë, thotë se ka raste të sulmeve dhe kërcënime të shumta ndaj mbrojtësve të pyllit.
“Për shkak të sigurisë së tyre, rojet së shpejti do të pajisen me armë”, thotë Zejnullahu .
Prerja e drurëve në pyjet kosovare |
Mirëpo, jo gjithkund rojet janë viktima. Gjatë muajit gusht, në pyjet e Ferizajt rojet janë zënë duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe mitmarrje nga prerësit ilegalë.
Shukri Jashari, kryeprokuror në Ferizaj, thotë se një pylltar dhe një teknik i pylltarisë janë në paraburgim 30 ditësh për marrje të ryshfetit.
Po ashtu, pyjet e komunës së Deçanit gjatë muajit gusht ishin përfshirë nga djegia. Opozita në këtë komunë akuzon qeverisjen lokale për keqmenaxhim të pyjeve pasi, sipas saj, operatorët që kishin fituar tenderë për prerjen të drurëve kanë dëmtuar pyjet.
“Nëntë operatorëve që vepronin këtu u janë marrë licencat pasi që Agjencioni për Mbrojtjen e Pyjeve ka parë gjendjen alarmante”, tha Jeton Mushkolaj, deputet nga Lidhja Demokratike e e Kosovës në opozitë në asamblenë e Deçanit.
Po ashtu, sipas statistikave të Inspektoratit të Pyjeve të Kosovës, janë 553 proces verbale në lidhje me prerje të pyjeve, 113 vendime, 190 fletëparaqitje (61 për kundërvajtje dhe 29 vepra penale) si dhe janë konfiskuar 1200 metra kub drurë.
Ligji për mbrojtjen e pyjeve, neni 36, që rregullon gjobat, thotë se gjykata mund të dënojë personin që të paguaj gjobë deri në 25 mijë euro për dëmtim të vegjetacionit ose tokës pyjore pa leje nga autoriteti kompetent.