KRU "Hidromorava" në Gjilan, Foto: Hidromorava/Facebook

Rizgjidhet me ‘konkurs’ kandidatja që për 8 vjet ishte Zyrtare e Lartë Financiare në ‘Hidromoravë’

Merita Dauti – Xhelili është emëruar Zyrtare e Lartë Financiare në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘Hidromorava’ në Gjilan. Ajo është zgjedhur përmes konkursit edhe pse në 8 vitet e kaluara e kishte ushtruar të njëjtën pozitë në këtë ndërmarrje.

Në konkursin e shpallur më 26 gusht 2022 kanë aplikuar 16 kandidatë, prej të cilëve tetë i kanë plotësuar kriteret për intervistim. Kandidatja e përzgjedhur Merita Dauti – Xhelili është renditur e para me 71.85 pikë; Giti Kulla Emini e dyta me 61 pikë; Eleonora Thaqi e treta me 59.85 pikë; Rinor Shabani i katërti me 58.14 pikë e kështu me rradhë. 

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, KALLXO.com ka siguruar poentimin që i është bërë kandidates së përzgjedhur si Zyrtare e Lartë Financiare në KRU “Hidromorava”, Merita Dauti – Xhelili. 

Pjesë e Komisionit përzgjedhës kanë qenë anëtarët e bordit dhe kryeshefi i KRU ‘Hidromorava’. 

Anëtarët e Komisionit përzgjedhës e kanë poentuar kësisoji: Ymer Salihu e ka poentuar me 80 pikë nga 100 të mundeshmet; Ferdane Tahiri Sylejmani e ka vlerësuar me 49 pikë në total; Filloretë Gashi Sadiku me 60 pikë; Lindita Fazliu me 75 pikë; Agim Zeka me 84; Arban Hoxha me 70 dhe Habil Zeqiri me 85. 

Pra, Habil Zeqiri, Agim Zeka dhe kryeshefi Ymer Salihu e kanë poentuar me më së shumti pikë kandidaten e përzgjedhur Merita Dauti – Xhelili. Ndërsa Ferdane Tahiri – Sylejmani e ka poentuar më së paku.

Kryeshefi i KRU ‘Hidromorava’, Ymer Salihu, ka qenë njëri nga pesë anëtarët e Komisionit përzgjedhës që e kanë intervistuar Merita Dauti – Xhelilin dhe kandidatët e tjerë për pozitën e Zyrtares së Lartë Financiare. 

Dauti – Xhelili është e njohur e kryeshefit aktual të kësaj kompanie. Vajza e xhaxhit të Ymer Salihu është e martuar me vëllanë e Merita Dauti – Xhelilit.

Salihu ka thënë se ka vite që nuk e ka takuar Merita Dauti- Xhelili. 

“Nuk kam lidhje familjare… Nëse ju e konsideroni lidhje familjare këtë, se kushërina ime është e martuar për vëllanë e Meritës, është diçka tjetër. Jo as afërsi familjare, sepse Merita është e martuar krejt tjetër kund, e çika e axhës tem është e martuar diku tjetër, nuk jetojnë bashkë as kurgjo. Por ka vite që nuk e kam pa” – ka thënë kryeshefi Salihu.

Kryeshefi aktual i kompanisë ‘Hidromorava’, Ymer Salihu dhe Zyrtarja e Lartë Financiare, Merita Dauti-Xhelili në të kaluarën kanë qenë kolegë në një bankë. 

Salihu ka thënë se kandidatja e përzgjedhur në pozitën e Zyrtares së Lartë Financiare në KRU ‘Hidromorava’, e ka përvojën dhe aftësinë profesionale, pasi që ka punuar 8 vjet në pozitën e njejtë dhe ka qenë dukshëm më e mirë se kundërkandidatët e tjerë.

Ai ka thënë se Dauti-Xhelili është zgjedhur në konkursin e dytë, pasi në konkursin e parë nuk kishte asnjë kundërkandidatë prandaj ishte anuluar konkursi. 

KALLXO.com ka kontaktuar me Merita Dauti-Xhelilin, e cila ka thënë se është zgjedhur në këtë pozitë bazuar në përvojën e saj profesionale.

“A e dini ju që atë pozitë unë e kam ushtruar për tetë vite. Nuk ka rëndësi dhe as nuk ka të bëjë, qysh mundeni me besu që kryeshefi i ri ka ndikim, secili kryeshef pavarësisht. Unë këtë kryeshef e kam pasur edhe më herët koleg në bankë. Nuk ka të bëjë me çikën e axhës e qysh po thuni kështu. Secilit kryeshef i konvenon dikush që është me përvojë, pavarësisht asaj intervistat kanë qenë” – ka thënë e përzgjedhura në pozitën e Zyrtares së Lartë Financiare në kompaninë “Hidromorava”, Merita Dauti – Xhelili.

Kryeshefi Ymer Salihu ka thënë për KALLXO.com se konkursi për Zyrtare të Lartë Financiare është shpallur para se ai të emërohej në pozitën e kryeshefit të kompanisë “Hidromorava”.

“Nuk e di a keni informata, Merita ka punuar këtu që 8 vite edhe është rizgjedhë në këtë pozitë. Unë kur kam ardhur këtu, kam ardhur më 20 tetor, pas dy jave menjëherë ka qenë intervista, nuk kam mujt me pas ndikim sepse edhe konkursi është shpallë para se me ardhë unë” – ka deklaruar më tej Salihu.

Kryesuesi i bordit të drejtorëve, Habil Zeqiri, ka thënë se bordi ka pasur të drejtën mos ta shpallë konkursin fare dhe t’ia vazhdojë mandatin Merita Xhelili – Dautit. Zeqiri më tej ka thënë se nuk kanë qenë në dijeni se kryeshefi dhe kandidatja e përzgjedhur janë njohur më herët.

“Jo, këtë lidhje nuk e kemi ditur dhe nuk kemi informata që kanë lidhje familjare. Ne nuk e kemi ditur. Të tjerët nuk i kanë plotësuar kriteret, unë besoj që është zgjedhur kandidatja më e mirë, ajo ka pasur përvojë disavjeçare më herët aty” – ka thënë Zeqiri përmes telefonit.

Gjetjet e Auditorit për ‘Hidromoravën’ në vitin 2021

Në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘Hidromorava’ janë 9 gjetje, dhe kryesisht kanë të bëjnë me fushën financiare. Për zbatueshmërinë e tyre, ZKA do të njoftojë në raportin që do ta publikojë në vitin 2023.

Gjetjet përfshijnë mbivlerësim të shpenzimeve të periudhës për shumën prej 241 mijë e 110 euro; mosaplikim i provizionimit të llogarive të arkëtueshme; mospërputhje në mes vlerës së pasurive afatgjata të prezantuara në pasqyrat financiare me shënimet në kontabilitet apo llogaritje e gabuar e shpenzimeve të zhvlerësimit.

Në lidhje me këto gjetje, Dauti – Xhelili, e cila ka mbajtur pozitën e Zyrtares së Lartë Financiare në kompaninë ‘Hidromorava’ në 8 vitet e fundit, e ka pranuar që këto gjetje bijnë në përgjegjësinë e saj, por që nuk ka pasur të bëjë me ndonjë shkelje apo keqpërdorime.

“Është e pamundur, tash normal ka pasur edhe keq-regjistrime dhe mospërputhje mirëpo bazë materiale për keqpërdorim nuk ka pasur. Sikur të kishte pasur, bordi i drejtorëve nuk kish prit me dalë rekomandimet e me iu faturu, por ato normalisht kishin ardhur deri te shkarkimi i zyrtarit” – ka thënë ajo përmes telefonit.

Sipas saj, një ‘peshë e madhe’ e gjetjeve të Auditorit është mosvlerësimi i aseteve të ndërmarrjes, që sipas Dauti – Xhelilit, nuk është bërë që nga viti 2007. 

“Normal që Auditori e qet atë, sepse vlerësime të aseteve ne kemi pasur në vitin 2007, për çka ne nuk kemi bo rivlerësim të aseteve se unë kam dashtë ne me qenë një kompani kredibile e bën vlerësimin e aseteve ashtu qysh duhet, se ne duhet të dakordohemi dhe me ATK-në, domethënë peshën më të madhe e ka kjo. Asetet e kompanisë nuk paraqesin pamje të drejtë sepse është me u rivlerësu, sepse ne kemi asete që ato e kanë vlerën zero mirëpo ato janë në përdorim” – ka deklaruar ajo për KALLXO.com.

Kurse kryeshefi i KRU ‘Hidromorava’, Ymer Salihu, ka thënë se ndërmarrja ka zbatuar rreth 70% të rekomandimeve të Auditorit. 

“Ne kemi qenë në Komision parlamentar, domethënë në javën e parë që unë e kam filluar punën, kemi qenë në Komision parlamentar për Raportin e Auditimit, unë kryesuesi dhe Merita. Edhe aty është konstatuar se prej të gjitha gjetjeve, 70% të rekomandimeve janë plotësuar. Edhe prej ZKA-së ka pasur fjalë miradije që i ka zbatuar rekomandimet, gjetjet dy që janë bërë, kjo për vlerësimin  e aseteve, këtë e kanë të gjitha KRU-të” – ka thënë Salihu.

Në vitin 2021, KRU ‘Hidromorava’ ka marrë 17 rekomandime nga Zyra Kombëtare e Auditimit, sipas raportit të publikuar në vitin 2022, 13 prej tyre i ka zbatuar, ndërsa në 4 nuk ka filluar zbatimi. Derisa në vitin 2020 kishte marrë 11 rekomandime, prej tyre sipas ZKA-së i ka zbatuar 6, në 4 nuk ka filluar zbatimi, ndërsa një është zbatuar pjesërisht.

Bordi i Drejtorëve të ndërmarrjes është emëruar nga Qeveria Kurti në mars të vitit 2022 ndërsa kryshefi Ymer Salihu ka filluar punën në tetor të  vitit 2022.