Rinia kosovare debaton të ardhmen e tyre në tregun e punës

Hendeku midis nevojave të ekonomisë dhe aftësisë së rinisë kosovare po bëhet gjithnjë e më i madh dhe qeveria duhet ta bëjë një hap tutje në këtë drejtim, thanë pjesëmarrësit në emisionin televiziv organizuar nga BIRN.

 

Diskutimi më i fundit në serinë #debatpernime, u mbajt në Prishtinë të enjten e kaluar, duke i bërë bashkë të rinjtë e Kosovës, ministrat e qeverisë dhe organizatat e shoqërisë civile për të diskutuar rolin e të rinjve në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë debat, panelistët  theksuan nevojën për rritjen e shkallës së punësimit dhe për mbështetje  në zhvillimin e aftësive profesionale tek të rinjtë e Kosovës, duke nënvizuar se mbyllja e boshllëqeve në tregun e punës kërkon vendim-marrje të integruar nëpër të gjitha ministritë e qeverisë së Kosovës.

Sipas ekspertëve, pjesë e ketij paneli, 55 përqind e rinisë kosovare janë të kualifikuar për punën që kanë aktualisht, dhe se nevojitet reformë e gjerë arsimore në mënyrë që të evitohet migrimi i të rinjve të kualifikuar.

“Përmirësimet sipërfaqësore nuk janë mjaftojnë. Neve na duhet të reformojmë të gjithë sistemin, duke filluar me planprogramin e ri”, tha Trina Binaku nga OJQ ‘Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut’. “Ne nuk mund ta zgjidhim këtë problem me të rinjtë bazuar vetëm në një perspektivë. Ne duhet t’i ndërlidhim të gjithë mekanizmat që kemi në dispozicion dhe të punojmë së bashku. Zbatimi i këtyre vendimeve është një përpjekje serioze dhe vetëm atëherë do të jemi në gjendje të shohim ndryshime. “

Debati i udhëhequr nga drejtoresha e BIRN-it në Kosovë, Jeta Xharra, ishte pjesë e Asamblesë së tretë vjetore të Kombeve të Bashkuara për të Rinj në Kosovë, një sërë aktivitetesh të dizajnuara për mbështetjen e ndërtimit të besimit dhe bashkëpunimit ndëretnik në Kosovë.

Më shumë se 200 të rinj nga Kosova ishin pjesë e këtij debati, duke i parashtruar pyetje panelit në lidhje me rolin e qeverisë në përmirësimin e qasjes në punësim dhe në cilësinë e arsimit të mesëm dhe të lartë në vend.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka si dhe Shyqiri Bytyqi, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, morën pjesë në këtë debat. Ata diskutuan rolin e ministrive të tyre respektive duke siguruar që kurrikula arsimore e Kosovës të jetë në përputhje me nevojat e tregut të punës në Kosovë.

“Dje, isha në një panair, duke diskutuar me prodhuesit dhe pronarët e bizneseve dhe më duhet të them se është e pabesueshme të dëgjosh vështirësitë e shumta me të cilat ata janë përballur për të gjetur staf të kualifikuar”, tha Lluka. “Të gjithë ne së bashku, duhet të bëjmë identifikimin e aftësive në Kosovë për të ardhmen.”

Në veçanti, panelistët theksuan problemin e të rinjve të komuniteve pakicë për të pasur qasje në punësim.

“Në Kosovë kemi mungesë të zhvillimit të sektorit privat dhe pagat janë më të larta në sektorin publik, andaj është e vështirë të gjesh të rinj që do të punojnë për 150 euro në muaj në sektorin privat, i cili nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar shpenzimet e tyre bazike”, tha Igor Markoviç nga OJQ ‘Aktiv’. “Këto janë probleme të përbashkëta për të gjithë të rinjët në Kosovë, por kur kemi të bëjmë me të rinjtë nga komunitetet pakicë, atëherë, kjo çështje del të jetë edhe më e madhe”.

Në Kosovë, prej 350,000 qytetarëve që aktualisht janë të punësuar, më shumë se 90,000 prej tyre punojnë në institucionet publike shtetërore.

Markoviç tha se njoftimet për vende të lira pune shpesh nuk janë të përshtatura për minoritetet dhe se dështojnë të bëjnë lëshime në aspektin e kërkesave gjuhësore dhe të transportit. “Sistemi duhet të funksionojë njësoj për të gjithë.”

Panelisti Vladimir Zivkovic, një zyrtar për punësimin të rinjve nga OJQ HELVETAS Swiss Intercooperation, tha se sektori privat duhet të jetë fokusi i politikave të qeverisë.

“Qeveria duhet të përqëndrohet në situatën reale, të shqyrtojë legjislacionin, të respektojë ligjet që i ka krijuar,” tha ai. “Qeveria nuk është vetëm një vend ku mund të gjesh një vend pune, por duhet parë si një instrument përmes të cilit njerëzit mund të zhvillojnë veten”.

Shpresa Agushi nga OJQ RROGRAEK punon me komunitetin rom, ashkali dhe egjiptas. Ajo vë theksin në atë se anëtarësimi në këto komunitete, së bashku me diskriminimin me të cilin ata përballen, mund ta bëjnë punësimin e tyre pothuajse të pamundur.

“Kur individët romë, ashkali dhe egjiptas aplikojnë për një vend pune, institucionet nuk duhet t’u thonë atyre se kjo nuk është punë për ju”, tha ajo. “Kjo ka ndodhur. Kështu që shumë njerëz janë diskriminuar, duke u thënë ‘kërkoni punë të përshtatshme për komunitetin tuaj’ dhe u është ndaluar e drejta për të aplikuar për një vend pune në përputhje me kualifikimet e tyre.

Agushi tha se planet e veprimit të Qeverisë së Kosovës të dizajnuara për ti integruar këto komunitete, nuk po japin rezultatet për të cilat ata kanë nevojë.

“Ne kemi shumë të rinj që marrin arsimin që u nevojitet, por pastaj nuk gjejnë vende pune për shkak të mungesës së zbatimit të duhur të ligjit”, vazhdoi ajo. “Njerëzve duhet t’u jepet kjo e drejtë në mënyrë që njëherë e përgjithmonë t’i eliminojmë këto çështje.”

Sipas ministrit Lluka, sektori i energjisë është një zgjidhje për qeverinë e Kosovës që të eliminojë papunësinë e të rinjve.

“Sektori i energjisë gjeneron rreth tre miliardë euro, dhe nuk ka ndonjë sektor tjetër që do të mund të gjeneronte mundësi më të mëdha punësimi”, tha Lluka. “Nevoja për inxhinierë elektronikë do të plotësohet dhe do të kemi njerëz që do të fitojnë arsimin e duhur. Ne u takuam me Ministrin e Arsimit për të diskutuar për prezantimin e një diplome Bachelor dhe Master në studimet e energjisë “.

Përgjigja e Llukës solli reagime nga turma, duke tërhequr vëmendjen tek mbyllja e fakultetit së fundmi, fakultet ky që kishte të bënte me studimet energjetike në Universitetin e Prishtinës për shkak të mungesës së profesorëve për të ligjëruar këtë lëndë.

Një pjesëmarrës nga Vushtrria, Dafina Krasniqi, e kritikoi ministrin Lluka për përqëndrimin në zhvillimin e termocentraleve si burim kryesor i energjisë së Kosovës, duke thënë se kjo është e kundërta e asaj që të rinjtë në Kosovë presin dhe dëshirojnë nga sektori i energjisë.

“Ministër Lluka, nuk e di nëse mund ta shihni, por e gjithë bota po e lufton ndotjen e mjedisit dhe njerëzit po lëvizin drejt energjisë alternative. Shumë të rinj nga Kosova po ndërmarrin aktivitete për të mbrojtur mjedisin”, tha ajo. “Ministër, pse keni vendosur të ndërtoni një termocentral kur ne po bëjmë përpjekje të mëdha për të shmangur këtë? Ti dëshiron ti hedhësh hy syve të mi dhe brezit im”.

Lluka u përgjigj duke i thënë se: “është e lehtë të thuhet se duam vetëm energji ekologjike (të gjelbër), por ne duhet të gjejmë një ekuilibër”.

“Ne po planifikojmë të mbyllim termocentralin 800 megavatësh ‘Kosova A’ dhe po hapim termocentralin 400 megavatësh të ‘Kosova e Re’ vetëm për pasur stabilitet me energji,” vazhdoi ai. “Ne nuk po flasim për teknologjinë e vjetër, kjo është moderne, dhe ne duhet të plotësojmë nevojat e bizneseve dhe prodhuesve”.

Sipas Bytyqit, Ministria e Arsimit po zhvillon modelin e saj të udhëzimit të karrierës për të siguruar që të rinjtë të kenë qasje në informata lidhur me tregun e punës në Kosovë.

“Me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ne kemi një memorandum mirëkuptimi për të identifikuar problemet dhe jemi ende duke punuar në këtë drejtim. Për shembull, të gjithë studentët që vijnë nga shkollat tona profesionale, gjejnë punë”, tha Bytyqi. “Me një fokusim tek të rinjtë, ne kemi ndërtuar qendrat e karrierës dhe kudo që kemi vendosur këto qendra, studentët shkojnë për të marrë udhëzime.”

Taulant Nikçi, një student i juridikut në Universitetin e Pejës, u ankua se, megjithëse universiteti i tij thotë se ka udhëzime për karrierë që u duhet studentëve të universitetit, prapë, një gjë e tillë, sipas tij, është e paarritshme.

“Tema mbi këshillimin në karrierë nuk ka përmbajtje,” tha ai. “Kursi mbi këshillimin është i përfshirë në internet, por në programin mësimor ka vetëm datën e fillimit të këtij kursi, nuk e ka përmbajtjen se ku duhet gjetur”.

Si përgjigje, Ministri Bytyqi pranoi se kishte mangësi në sistem.

“Ne po punojmë në lidhje me këtë. Kërkohet informacion i vazhdueshëm dhe mund të jetë subjekt i ndryshimeve në secilin vit”, u përgjigj Bytyqi. “Këshilltarët e karrierës duhet të jenë të trajnuar dhe përditësuar me të dhëna. Udhëzimi mbi karrierën në nivel universiteti mbaron tani, sepse njerëzit tashmë kanë vendosur se çfarë karriere do të kenë. “

Disa në Kosovë kanë marrë arsimimin në duart e tyre. Mungesa e edukimit të duhur seksual e shtyri panelisten Eurisa Rukovci që të themelojë aplikacionin online ‘SHNET’, aplikacion ky që ofron arsim dhe vetëdije për të gjitha gjërat që kanë të bëjnë me shëndetin seksual. Sipas Rukovcit, elementëve sensitivë të edukimit rinor nuk u është kushtuar kujdes i mjaftueshëm

“Ky është një problem shumëdimensional dhe kurrikula është një faktor serioz”, tha ajo. “Është subjekt i ndryshimeve të vazhdueshme, dhe kjo do të thotë që mësuesit nuk dinë si ta ligjërojnë atë siç duhet, dhe shumë prej tyre thjesht nuk duan ta bëjnë një gjë të tillë”.

Sipas panelistëve, një prej elementeve themelorë të reformës në arsim, është që komunitetet në Kosovë ti flasin të dy gjuhët, gjuhën serbe dhe gjuhën shqipe.   

“Ekziston një izolim shoqëror ndërmjet komuniteteve në Kosovë, ata nuk e njohin gjuhën e njëri-tjetrit dhe kur anëtarët e këtyre komuniteteve takohen, ata janë të detyruar të flasin në gjuhën angleze”, tha Binaku. “OJQ-të ofrojnë kurse falas, por nuk ka ndonjë iniciativë nga qeveria. Gjuha serbe është gjuhë zyrtare, prandaj duhet të përfshihet në kurrikulë”.

“Qeveria duhet të përqëndrohet në përmbushjen e nevojave të të rinjve, dhe jo në nevojat e tregut,” përfundoi ajo.