ARKIV - ILustrim - Fotografitë e viktimave civile shqiptare të masakrës në Mejë të Gjakovës nga lufta e vitit 1999.

Rimendim i Muzeut Kombëtar të Kosovës në vrullin institucional të memorializimit

Dokumentimi i së kaluarës në muze luan rol thelbësor në ruajtjen e trashëgimisë kolektive. Ndonëse kanë kaluar 25 vite nga bombardimi i NATO-s, Kosova ende nuk ka arritur të krijojë një muze të përhershëm i cili dokumenton ngjarjet e viteve të 90-ta dhe krimet e luftës. Si rrjedhojë, kujtimi i së kaluarës realizohet nga nismat e shoqërisë civile që shpesh kanë qasje më të kujdesshme ndaj ballafaqimit me të kaluarën sesa nismat shtetërore dhe në raste edhe nga muzetë private të individëve, të cilët nuk i janë nënshtruar trajtimit nga profesionistë që përcaktojnë përmbajtjen dhe qëllimin e muzeut.

Në dy vitet e fundit, institucionet e vendit kanë nisur projekte të mëdha për investime kapitale në dokumentimin e ngjarjeve të ndërlidhura me periudhën e luftës – kështu, është shpalosur plani final për rregullimin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, si dhe lajmi për investimin madhor për renovimin e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Ky investim që është më i madhi në 25 vitet e fundit, parasheh rregullime infrastrukturore në depot e objektit historik por edhe në atë që është me interes për fokusin e shkrimit: rikonceptimin e ekspozitës së përhershme.

Ndaras prej këtyre dy projekteve, Strategjia Nacionale për Drejtësinë Tranzicionale e miratuar nga Qeveria e Kosovës në qershor të këtij viti (2024) parasheh si pikë të rëndësishme edhe themelimin e muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe mirëmbajtjen e muzeut “Burgu i Idealit” i hapur tanimë që dy vite.

Në këtë periudhë të vrullshme investimesh dhe diskutimesh mbi programet e muzeve në Kosovë, studiues dhe ekspertë të fushave përkatëse janë të mendimit që përpos investimeve në infrastrukturë, investimet kryesore duhet të ndodhin në përcaktimin e përmbajtjes dhe mesazheve të muzeve që qartazi të sjellin mesazhet e ballafaqimit me të kaluarën dhe të jenë në përputhje me parimet e drejtësisë tranzicionale. Muzeu Kombëtar i Kosovës, që në përmbajtje të tij ka marrë përsipër edhe dokumentimin e luftës së fundit, duhet të vë në pyetje nga fillimi rolin e tij në memorializim, pasi do të vazhdojë të mbetet shtyllë e rëndësishme rrëfyese edhe pas themelimit të nismave të tjera.

Memorializimi si hap i ballafaqimit me të kaluarën

Memorializimi (term përmbledhës për ngritjen e monumenteve, formave të ndryshme për përkujtimin e ngjarjeve të konflikteve) është element kyç në shoqëritë që janë në zhvillim e sipër të një kujtimi kolektiv sa më kompleks. Më tutje, tek shoqëritë që kanë përjetuar shkelje të të drejtave njerëzore, si pasojë e dhunës politike (lufta, konflikte, gjenocid, shtypje) memorializimi është proces ndihmës në parimin e reparacionit, krahas themelimit të komisioneve të së vërtetës, persekutimeve kriminale e reformave të tjera institucionale. Ai ka qëllim që përmes angazhimit në përkujtimin e viktimave të dhunës, të promovohet respektimi i të drejtave njerëzore dhe parandalimi i përsëritjes së abuzimeve përmes dokumentimit të historisë. Qendra Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale e sheh memorializimin si mjet të fuqishëm drejt përpjekjeve për të vërtetën, në shoqëritë e kategorisë së tillë ku janë evidente shtrembërimet e fakteve dhe mohimi i abuzimeve të kryera. Kjo përbën një bazë të fortë të bashkëpunimit të muzeve përkujtues me qendra të hulumtimit, dokumentimit e arkivimit. Për më tej, ekzistenca e institucioneve legjitime të përkujtimit kontribuon në ruajtjen e kujtimit, nderimin e kujtimit të viktimave dhe njohjen e krimeve të kryera ndaj viktimave/të mbijetuarve të padrejtësive. Muzetë në kontekstin e drejtësisë tranzicionale shërbejnë edhe si hapësira të promovimit të vlerave të demokracisë dhe të edukimit të publikut të gjerë.

Për rolin dhe rëndësinë e memorializimit në ballafaqimin me të kaluarën, Fondi për të Drejtën Humanitare ka realizuar publikimin “Memorializimi” ku ka analizuar mënyrën se si është praktikuar ky proces në Kosovë në raport me ngjarjet e luftës së viteve 1998/1999. Hulumtimi konstaton në pika kyçe se memorializimi në Kosovë është i karakterizuar me: fokusin në grupet e armatosura, mungesën e qasjes gjithëpërfshirëse në baza etnike, gratë si viktima në kujtesën kolektive, promovimin e urrejtjes.

Roli i Muzeut Kombëtar të Kosovës në dokumentimin e së kaluarës

Gjatë shekullit të 19-të, kohë vendimtare për ndërtimin e shteteve kombëtare, muzetë kombëtare luajtën rol të rëndësishëm në kultivimin e ndjenjës së lashtësisë. Ky rol trajtohet tek libri “National Museums and Nation-building in Europe 1750-2010” që shtjellon se si reprezentimet simbolike të eksponateve të muzeve kryejnë funksione të tilla që ndikojnë që muzeu kombëtar të jetë “manifestim i vullneteve kulturore e politike, në vend të përfaqësimit të drejtpërdrejtë të fakteve historike të një kombi”. Andaj, si i tillë, muzeu nuk është vend neutral.

Në krahasim me zhvillimet botërore, tradita e Muzeut Kombëtar të Kosovës është më e vonshme pasi themelimi i tij bëhet tek në vitin 1949. Në përmbajtjen e tij, muzeu sfidohet edhe nga mungesa e 1,247 artefakteve të cilat janë duke u mbajtur peng në Serbi që nga viti 1999. Krahasimisht, në nivel ndërkombëtar negocimi mbi kalimin e pronësisë dhe restituimin e eksponateve tek shtetet nga të cilat janë vjedhur është temë shumë aktuale, e trajtuar   “Report on the restitution of African cultural heritage” të vitit 2018, i iniciuar nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe me autorë Felwine Sarr dhe Bénédicte Savoy që bëri bujë gjithandej botës, dhe së fundmi në ekspozitën I MISS YOU në Rautenstrauch-Joest-Museum, muzeun e famshëm të kulturave të botës në Köln të Gjermanisë.

Vjollca Aliu që është drejtuesja aktuale e muzeut dhe ka përvojë të gjatë angazhimi edhe në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore, pranon që trendet e transformimit të muzeve imponojnë një  përcaktim të planit të komunikimit të mesazhit me publikun.

Ky kompleksitet [i funksionimit të muzeve] po shtohet kur e shohim cili është trendi i zhvillimit të muzeologjisë në përgjithësi, me theks të veçantë te komunikimi me publikun – si flet muzeu me publikun. Prej menaxhmentit deri te ciceronët, por edhe vetë ekspozita dhe pjesa e edukimit konsideroj që është tepër e nevojshme… Ia them vetes në mënyrë që në një të ardhme kur ekspozita e muzeut do të rikonceptohet këto duhet të trajtohen si prioritete. Ka hapësirë për ndryshime por edhe prurje të reja”- thotë Aliu.

Nuk duhet anashkaluar roli në interesin turistik që e ngjallë një objekt si Muzeu Kombëtar, që është i pozicionuar në kryeqytet dhe në një distancë ecjeje pak minutëshe nga sheshet qendrore. Sipas Aliut, viti 2024 dallohet si viti me më së shumti vizita të grupeve ku një pjesë e madhe e tyre kanë qenë turistë ndërkombëtarë të cilët janë udhëzuar si nga guidat e pavarura e edhe nga ciceronët që ka MKK për navigim nëpër sallat e muzeut. Si pikë kryesore e referimit të kujtimit dhe po ashtu të ndërtimit të kombit, ky muze ngjallë një kureshtje të vazhdueshme jo vetëm nga turistë të jashtëm duke përfshirë diasporën, por gjithashtu edhe për shkencëtarë ndërkombëtarë, të gjithë me interesa specifike karshi këtij institucioni.

Nismat alternative si kundërpërgjigje ndaj mosangazhimit institucional

Sipas Qendrës Ndërkombëtare për Drejtësi Tranzicionale, janë të shumta rastet ku aktivitetet përkujtimore që udhëhiqen nga shoqëria civile kanë qenë shtysë që shteti të kuptojë detyrat e veta në këtë drejtim. Përdorimi i metodave jo-formale dhe atyre që bazohen në përdorimin e artit si mënyrë shprehjeje janë dëshmuar të jenë mënyra efektive për të arritur audiencë më të gjerë te e cila përçohen informatat mbi ballafaqimin me të kaluarën. Përpjekjet për dokumentimin e kujtesës së luftës në Kosovë nuk janë ndalur asnjëherë përkundër ngecjeve e tejzgjatjeve ndër vite të proceseve nga instancat shtetërore, vonesa të cilat rrezikojnë zbehjen dhe zhdukjen e fakteve të vlefshme drejt vendosjes të së vërtetës. Punë e madhe në këtë aspekt është bërë nga vetiniciativat e familjarëve në çfarëdo forme vetëm për mos ta lejuar zhdukjen e kujtimit të tyre, krahas shoqërisë civile që kanë përkushtuar veten në plotësimin e boshllëqeve sa i përket ballafaqimit me të kaluarën, me fokus në kujtesën e përjetimeve të civilëve të lënë anash nga rrëfimi zyrtar.

Memorializimi i luftës përmes përdorimit të arkivave – Qendra e Dokumentimit Kosovë

Një ndër organizatat e dalluara për veprimtarinë në dokumentim të ballafaqimit me të kaluarën që shtrihet në më shumë se dy dekada është Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Në përbërje të saj, ka edhe Qendrën për Dokumentim – Kosovë, e vendosur në objektin e Bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë dhe që përdorë arkivën e FDHK për t’i transmetuar këto fakte te publiku i gjerë. Me paramendimin e tillë ka nisur ideja e realizimit të ekspozitës që shfaqë fatin e hidhur të fëmijëve viktima të luftës, e titulluar “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” e hapur në maj të vitit 2019, tanimë ekspozitë e përhershme. Përderisa kuratorja Blerta Hoçia shpjegon hapat e konceptimit të ekspozitës, vërehet se ekspozita është e përpunuar në hollësi me të gjitha konsideratat artistike nisur këtu nga përzgjedhja e materialit të brishtë si xhami për vitrinat ekspozuese prapa të cilave gjenden gjësendet e përditshme të fëmijëve, më pas dhoma e errët e paramenduar për të ngjallur ndjenjën e klaustrofobisë e përfshirjes totale në historinë e Gramoz Berishës. Kjo qasje përkon me atë që Ellen Lupton e thotë se muzetë duhen të aktivizojnë disa shqisa, jo vetëm kokërdhokun e syrit, duke e bërë përvojën e vizitës së ekspozitës një përvojë që të zhytë në përmbajtjen e saj. Mes këtyre dhomave gjendet korridori si hapësirë pushimi që në mur ka të listuara emrat e 1,024 fëmijëve të vrarë e 109 fëmijëve të zhdukur, të radhitura në mënyrë të qëllimshme së pari me mbiemrat e pastaj emrat që të grupohen fëmijët e së njëjtës familje, e në këto lista bie në sy edhe përfshirja e fëmijëve të etnive të tjera përveç shqiptarë. Hoçia bën të ditur se të gjitha eksponatet janë origjinale dhe iu janë besuar fondit nga familjarët e viktimave, që vjen si rezultat i marrëdhënies së mirëbesimit të krijuar ndër vite. Në anën tjetër, Hoçia e konfirmon se deri tani nuk ka ekzistuar vullneti i institucioneve lokale apo qendrore që të mbështesin idetë në çfarëdo forme, ndonëse ka pasur premtime për institucionalizimin e ekspozitës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ngjashëm ekspozita e QDK e titulluar “Një Ditë” i është përkushtuar transformimit të hapësirës ashtu që përmes amplifikimit të shqisave me efektet zanore, video-animacione, pastaj përzgjedhjen e kujdesshme të materialeve për rrëfimin e përvojave të treguara nga subjekte anonime. Të dy ekspozitat fokusin e vendosin jo tek rrëfimi zyrtar i heronjve të luftës të glorifikuar me statuja në vende qendrore, por tek kategoria e civilëve të mbijetuar të të gjitha etnive e që jetojnë përditë me pasojat e ngjarjeve traumatike gjatë luftës. Kjo ndërlidhet me mesazhin kyç që përçohet tek libri i autorit Eric Santner i titulluar “History beyond the Pleasure Principle: Some Thoughts on the Representation of Trauma”, që thotë se narrative fetishism [fetishizmi i rrëfimit] në mënyrë të pavetëdijshme apo të vetëdijshme i fshin gjurmët e traumës. Përvoja rrëfehet pa emocionet e rënda që e bëjnë thuajse të pamundur të jetosh përmes saj në mënyrë autentike dhe të ballafaqohesh me të. Thënë më drejt, është e kundërta e pikëllimit. Nëse Muzeu Kombëtar dhe rrëfimi kolektiv dominant e heroik për luftën kanë ndjekur deri tani më shumë rrugën e fetishizmit të rrëfimit, atëherë ekspozitat e QDK tentojnë të shmangin atë dhe të fokusohen më shumë tek tejkalimi i traumës dhe përjetimi i emocioneve si formë ballafaqimi me të kaluarën.

Memory Activism si qasje alternative e memorializimit – YIHR dhe forumZFD

Memory Activism [aktivizmi përmes kujtesës] konsiderohet si fushë e re hulumtimi që në thelb ndërthurë kujtesën me çështjet shoqërore. Jenny Wüstenberg, një studiuese e fushës së studimeve të kujtesës, e përkufizon memory activism si një përkujtim strategjik të së kaluarës në mënyrë që të sfidohen (apo edhe të mbrohen) pikëpamjet dominuese mbi të kaluarën dhe institucionet që i përfaqësojnë ato. Një qasje të tillë në programet e tyre që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën po e ndjekin që disa vite edhe YIHR dhe forumZFD.

Youth Initiative for Human Rights është organizatë për të drejtat e njeriut që ka zyrë në Serbi, Kroaci, Mal të Zi dhe Kosovë. Bjeshkë Guri nga kjo organizatë thekson se ballafaqimi me të kaluarën është një ndër shtyllat kryesore të YIHR dhe këtë e arrijnë përmes implementimit të projekteve që kryesisht merren me memory activism dhe kujtesën kolektive përmes edukimit me theks te të rinjtë shqiptarë dhe serbë. Dy projektet më të mëdha memorializuese të YIHR janë Muzeu Virtual i Refugjatëve që është arkivë digjitale online dhe Muzeu i Fëmijëve të Luftës që është muze alternativ në prag të hapjes. Muzeu Virtual është një arkivë digjitale përmes të cilës kujdes i shtuar, sipas Gurit, është vendosur tek personat që nuk kanë pasë mundësi të ndajnë storiet e tyre, duke mbajtur një qasje të ndjeshme ndaj gjinisë ku gratë janë në fokus duke qenë se kontributi i tyre në luftë përgjithësisht është minimizuar. Më tutje, ajo përmend se muzeu respekton parimin e YIHR për gjithëpërfshirje duke pasur intervista që rrëfejnë përvojat si refugjatë të të gjitha komuniteteve etnike, andaj është aplikuar teknika e historisë gojore që të arrihet mbledhja e sa më shumë perspektivave. Guri e sheh si qenësore dëgjimin e rrëfimeve, ofrimin e platformës dhe njohjen e përvojave të të gjithë të prekurve pasi, sipas saj, është bërë dëm i parevokueshëm duke mbajtur rrëfimin zyrtar tek “heronjtë e luftës”, që si pasojë i ka bërë civilët të ndihen se historia e tyre nuk është e vlefshme apo duke ndjerë edhe atë që psikologjikisht njihet si ndjenja e fajit të të mbijetuarit. Muzeu i Fëmijëve të Luftës, në anën tjetër është i bazuar në institucionin e njëjtë të ngritur në Sarajevë, me stafin e të cilit YIHR ka bashkëpunuar për shkëmbimin e praktikave të përdorura për të dyfishuar idenë e paraqitjes së përvojave të fëmijëve që përjetuan luftën, të treguara përmes objekteve, video-dëshmive dhe pjesëza të rrëfyera me histori gojore. Ajo vë në kontrast këtë bashkëpunim pozitiv ndër-rajonal, në krahasim me zhgënjimin e përjetuar shumë herë nga institucionet vendore të cilat në vazhdimësi kanë dështuar të mbajnë premtimet e bëra, edhe pas formalizimit përmes Memorandumeve të Bashkëpunimit duke mos iu siguruar as hapësirë për dy muzetë e tyre dhe duke shkaktuar pengesa dhe lodhje me burokracinë e tyre.

Korab Krasniqi nga programi në Kosovë i Forum Ziviler Friedensdienst (Forumi i Shërbimit Civil Paqësor) po ashtu e sheh si proces të pamundur bashkëpunimin me institucionet publike shkaku i mekanizmave të shumta burokratike të tyre, ligjeve jo mirë të definuara, kualifikimeve jo të duhura të stafit që si përfundim kanë ndikuar që mos të ekzistojë një narrativë e etabluar siç duhet që 25 vite, thotë Krasniqi. Ky hezitim institucional u bë i dukshëm edhe gjatë realizimit të këtij projekti hulumtues pasi punonjës relevant institucional të kontaktuar në lidhje me temën nuk shfaqën gatishmëri apo nuk konkretizuan përgjigjet në kërkesat për bashkëbisedim.

Ndër shtyllat e programit të vendosur në Kosovë që nga 1999 është Ballafaqimi me të Kaluarën. Këtu Krasniqi tregon se si e ndërthurin hulumtimin për të krijuar urën me art, kulturë e muzeologji që të dëgjohen tregimet në një masë më të gjerë të shoqërisë që ka përjetuar konfliktin. Shembull është “Bebëzat e Mallit”, ekspozitë që është vendosur në hollin e hapësirës së Ministrisë së Drejtësisë e cila përveç fotografisë përdorë teknikën e historisë gojore me copëza intervistash duke shfrytëzuar lokacionin, siç thotë Krasniqi, “të dërgohen [këto histori të përjetimeve të luftës, aty] ku përgjegjësia më shumë graviton”. Tek kjo ekspozitë si dhe tek të tjera aktivitete të organizatës theksohet se qasja është gjithmonë jo e pjesshme ndaj përfaqësimit të të gjitha grupeve të prekura nga lufta. forumZFD shpesh ngjarjet i organizon në bashkëpunim me palë të tjera, siç ka qenë rasti me ekspozitën “data: mars” e realizuar në bashkëpunim me Programin për Studime dhe Hulumtime Gjinore në UP në vitin 2018, e cila për një muaj pati risjellë në kujtesë aktivizmin, organizimin dhe mobilizimin politik të grave në vitet e 90-ta. Në fakt, kjo ekspozitë është shfaqur në hapësirën e Muzeut Kombëtar, dhomën që shfrytëzohet për organizime të jashtme e quajtur si “dhoma e bardhë”. Organizatorët kujtojnë përvojë të hidhur bashkëpunimi me MKK ku gjatë vizitave të drejtuara për vizitorë nga stafi i muzeut, është anashkaluar dhoma në tërësi dhe objektet dhe inventari i ekspozitës janë hedhur jashtë pas përfundimit të datës së fundit të saj.

Në një këndvështrim tjetër mbi përfshirjen e palëve të treta apo siç iu referohet si “të huajt” (shoqëria civile, zyrtarët ndërkombëtarë dhe organizatat humanitare) një raport i United States Institute for Peace vlerëson se ndonëse roli i tyre është i rëndësisë së veçantë në ofrimin e konsultimit për memorializim, këto palë duhet të jenë të kujdesshme që mos të kalojnë kufijtë e kompetencave të tyre dhe të kenë kujdes ndaj njohurive kulturore mbi vendin ku punojnë. Proceset të cilëve u ndihmojnë, duhet të jenë të iniciuar dhe kontrolluar nga vendasit që të jenë kuptimplota për ta. Kjo vihet në pah edhe nga Guri e cila përmend si shembull përdorimin e fjalës “reconciliation” [pajtim] nga ndërkombëtarët pas luftës në Kosovë, të marrë nga kontekstet e shteteve të tjera që kanë përjetuar luftë por që tek konteksti ynë pajtimi ka mundur të përçohet gabimisht si tejkalim i situatës pa kaluar në mekanizmat e duhura të ballafaqimit.

 

Ekspozita në muzeun ‘Reporting House’ – BIRN, Paper Gallery dhe Prishtina Bienale

Format alternative të memories kolektive dhe informatave të bazuara rreth periudhës që karakterizon gjithë atë çfarë ndodhi në vitet 90-ta përbëjnë një mënyrë tjetër për të arritur tek një narrativë më gjithëpërfshirëse. Për të shënuar përvjetorin e çlirimit të Kosovës, me 10 qershor 2024 në ambientet e ish Shtëpisë së Mallrave ‘Gërmia’ – në Prishtinë, u hap muzeu dhe rrjedhimisht ekspozita ‘Shtëpia e Reporterëve’. Ky muze që qëndron i hapur për publikun, si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storie televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV (NHK, TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV spanjoll) dhe Frontline Television News.

Këto reportazhe rrëfejnë ngjarjet e luftës përmes punës në front të gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to duke u mundësuar kështu audiencës së gjerë më shumë se 30 orë xhirime televizive, fotografi e artefakte nga periudha e konfliktit në Kosovë. Në një artikull për Ballkan Insight, producentja e kësaj ekspozite, Jeta Xharra (BIRN) kishte deklaruar që “Kjo hapësirë do të ju shërbejë njerëzve që të vijnë të vizitojnë ekspozitën dhe të tregojnë përvojën e tyre’’.

Kontribuesit e kësaj ekspozite përfshijnë fotografë e artistë të shquar nga vende të ndryshme, duke ofruar një perspektivë të gjerë si arkivë dokumentimi dhe mësim mbi mënyrën se si historia është treguar deri sa ka qenë duke ndodhur. Ngjashëm, Muzeu i Fotografisë së Luftës në Zagreb të Kroacisë, pati përdorur lenten e fotografëve për rrëfimin e ngjarjeve të luftës, me moton e fortë “Lufta përket në muze!”.

‘Reporting House’ vizitohet nga dhjetëra e qindra vizitorë përditë, me komente e përshtypje pozitive duke e vendosur kështu ekspozitën në një vend tashmë referues të memories kolektive dhe tregimit mbi atë se çfarë realisht ka ndodhur në dekadën që i ndërroi kahjen historike Kosovës. Roli i ekspozitës veçse është vlerësuar gjerësisht, madje duke u konsideruar edhe si ‘draft i parë i historisë’ i cili duhet të ketë një shtëpi të përhershme. Në fakt edhe vendosja e ekspozitës në ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” përçon mesazhin e rikthimit të hapësirave publike për ngjarje të hapura, siç kanë qenë diskutimet e shumta të organizuara këto muaj.

‘Reporting House’ do të vazhdojë të mbetet e hapur edhe për një periudhë të caktuar duke iu ofruar kështu mundësinë qytetarëve, pa dallim, që të kenë mundësi të mësojnë rreth luftës nga burime të verifikuara, burime këto që flasin mbi të vërtetën dhe faktet – ashtu siç kanë ndodhur, ashtu të tregohen.

Ekspozita Bazë e Muzeut Kombëtar të Kosovës

Në shtator të këtij viti, Muzeu Kombëtar komunikoi se do të mbyllë dyert për vizitorë për një periudhë njëvjeçare. Por, si ishte gjendja e “Ekspozitës Bazë” para mbylljes e çfarë duhet të ndryshojë? Në rrafshin përmbajtësor të paraqitjes së artefakteve, si dhe aspektin teknik dhe ekspozues të prezantimit kishte parregullsi të shumta. Hapësira ekspozuese me ndriçim jo të duhur dhe të pamjaftueshëm, përshkrime pranë artefakteve të pakuptueshme për vizitorët e huaj pasi nuk janë në gjuhë të tjera duke i bërë të ndihen, siç shprehet një vizitore, sikurse janë “në një dhomë që mban vetëm një koleksion armësh dhe uniformash të vjetra”. Vjollca Aliu përmend faktin se institucioni ka në staf edhe ciceronë të cilët flasin disa gjuhë dhe që navigojnë vizitorët në vizitat e tyre, por në fakt të intervistuarit e dallojnë si sfidë mungesën e një stafi të trajnuar që do të ishin ekspertë të fushës. Kjo pikë adresohet edhe tek dokumenti i Strategjisë Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore 2017-2027 që vlerëson të nevojshme ngritjen e kapaciteteve duke mbajtur “programet trajnuese për ciceronë dhe kuratorë muzeal, menaxherë, laborantë dhe profesionistë të tjerë të fushës”.

Ekspozita Bazë” e hapur në shkurt të vitit 2018 në Muzeun Kombëtar të Kosovës, prezantoi koleksione të objekteve të trashëgimisë dhe historisë së vendit tonë si dhe eksponate nga periudha të ndryshme kohore nga neoliti e deri tek shpallja e pavarësisë së Kosovës. Kjo ekspozitë është përpiluar nga grupi punues i thirrur me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS, i përbërë nga ekspertë të fushave relevante për muzeologjinë. Sipas dy të intervistuarave që kanë qenë pjesë e këtij grupi punues, Vjollca Aliu dhe Zanita Halimi, kjo ekspozitë kurrë nuk u quajt dhe nuk u ideua si ekspozitë e përhershme pasi grupi ka qenë para presionit kohor që të arrihet hartimi i konceptit para përvjetorit të pavarësisë së Kosovës dhe në rrethana të tilla konceptimi ka synuar që të jetë ekspozitë tentavisht dinamike, që të mund të jenë të mundshme intervenimet e vazhdueshme në të dhe të integrojë praktika të reja vizuale për interaksion me vizitorët. Të dyjat theksojnë se kati I që përmban pjesën e arkeologjisë ka përfunduar si pjesa më mirë e etabluar e propozimit, ndërsa kati II që përmban artefakte për historinë moderne të Kosovës nuk është realizuar në formën ideale dhe ka qenë shpesh cak i kritikave. Për këtë pjesë përgjegjës kishte qenë historiani Gazmend Riza por që rrugës është tërhequr nga procesi dhe rolin e tij e marrin Sadik Krasniqi dhe Besnik Raci, pjesë e stafit të Muzeut Kombëtar duke përzgjedhur artefaktet që janë pjesë e koleksionit të muzeut. Si përfundim, uniforma ushtarësh, pjesë bombash e armatime të tjera por edhe donacione ndaj muzeut nga emra si Madeleine Albright fituan këndet qendrore në ekspozitë. Vetëm në një shikim të dytë tek njëra nga vitrinat pranë asaj që është e përshkruar si “Motori Legjendar i Adem Jasharit” vërehet se si janë fërfëlluar një grumbull gjërash, ndër to rroba me çfarë duket shenja gjaku dhe me mbishkrimin thuajse të fshehur e të printuar në një letër të thjeshtë që pa ndonjë paralajmërim për përmbajtjen thotë “Dëshmi nga dhuna serbe, armë të ftofta, heshta, shiringa, gjurmë të dhunimeve, etj”. Një paraqitje e tillë të lë të acaruar e në mosbesim për jo-profesionalitetin dhe konsideratën për dëmet emocionale që mund të shkaktojë. Në anën tjetër, edhe çdo përpjekje për dinamizëm dhe praktikë të re të ekspozimit ka mbetur pa mirëmbajtje.

Siç sugjeron shkrimi mbi rolin e Muzeut Kombëtar të Kosovës në formësimin e kujtesës kolektive nga sociologia Bleona Kurteshi, për këtë muze përfshirja e një narrative më gjithëpërfshirëse pa i përjashtuar këtu edhe aspektet ushtarake dhe politike është sfidë por që mund të tejkalohet me bashkëpunimin me komunitetin dhe studiuesit e shkencave shoqërore. Sipas saj, kjo kontribuon në ofrimin e një kuptimi më empatik dhe të nuancuar të anës njerëzore të luftës. Për më tej, Muzeu Kombëtar duhet të jetë një hapësirë dinamike e përditësuar me zhvillimet globale të muzeologjisë meqë fatkeqësisht deri tani na ka lënë të jemi dëshmitarë të vdekjes së kulturës së muzeve në Kosovë.

Miranda Mehmeti është në përfundim të studimeve Bachelor në Departamentin e Sociologjisë, në Universitetin e Prishtinës. Kureshtja në analizimin e çështjeve të ndërlidhura me shoqërinë i është ngjallur veçanërisht nga përvoja profesionale disa vjeçare në fushën e kulturës dhe angazhimit qytetar përreth. Tenton të zgjerojë njohuritë e saja të përgjithshme përmes konsiderimit të përdorimit të qasjeve multidisiplinare.

Ky hulumtim u zhvillua në kuadër të projektit “Ballafaqimi me trashëgiminë e konfliktit në Kosovë” financuar nga Ambasada Britanike përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për zhvillim (UNDP), implementuar nga BIRN Kosovo, dhe si i tillë paraqet vetëm qëndrimet e autores dhe në asnjë formë nuk paraqet qëndrimet e donatorëve.