Ilustrimi: BIRN/Igor Vujicic

Rikthimi në arkivol: Emigrantët nga Ballkani riatdhesohen pas vdekjes

Emigracioni prej vitesh ka prekur vendet e Ballkanit. Por shumë nga ta që largohen, e dinë se do të kthehen pas vdekjes.

 

Një herë në muaj, Atdhe Gashi e merr rrugën drejt lindjes, nga shtëpia e tij në Prishtinë drejt Mramorit, fshati ku ai u lind para 53 viteve.

Saherë që shkon atje, ai viziton varrin e babait, i cili vdiq vitin e kaluar në moshën 74 vjeçare.

Babai i Gashit, Skenderi, ishte profesor dhe, për më shumë se dy dekada, kreu i Departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Vjenës. Por përkundër se e gjeti veten mirë në Austri, Skenderi vazhdimisht e dinte se trupi i tij do të prehej në Mramor, në fund të një rruge të ngushtë e cila gjarpëron drejt kodrës.

“Ai e shkroi në testament se donte të varrosej këtu,” tha Gashi, një bletar shtatshkurtër, me dyshtetësi kosovare dhe austriake. “Një ditë edhe unë do të varrosem në të njëjtin vend, pranë të afërmve të mi.”

Skender Gashi, një shqiptar i Kosovës, ishte një nga 3,765 kosovarët e vdekur që janë sjellë për t’u varrosur në Kosovës ndërmjet viteve 2017 dhe 2019, sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës.

Me qindra mijëra kosovarë që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në Evropën perëndimore, riatdhesimi itë vdekurve është bërë një industri multi-milionëshe, e përsëritur në shkallë të ndryshme në tërë Ballkanin, nga ku për çdo vit dhjetëra-mijëra njerëz braktisin vendet e tyre të cilat u ngritën nga pluhuri i ish-federatës jugosllave.

Përderisa tërhiqen nga shtetet më të zhvilluara të Evropës perëndimore për shkak të mundësisë për një pagesë më të mirë dhe standard më të lartë të jetesës, shumë nga ta tashmë e dinë se, të vdekur, do të kthehen.

“I varrosur në atdhe”

Ballkani ka një histori të gjatë të emigracionit, së fundmi në formë të qindra- mijëra ‘gastarbaiter’-ëve që braktisën Jugosllavinë socialiste nga vitet 1960 e këtej para se shpërbërja e përgjakshme e shtetit të tyre federal të nxisë një valë refugjatësh. Paqja nuk e ka ndalur trendin; rajoni po pëson hemorragji të të rinjve të ngopur nga varfëria, korrupsioni dhe polarizimi politik.

Në vitin 2013, Astrit Salihu braktisi vendlindjen e tij, Kosovën, dhe shkoi në qytetin perëndimor të Gjermanisë, Dyseldorf, ku e hapi një kompani funeralesh të cilën e quajti Atdhe.

Salihu, 34 vjeçar, merret me rreth 100 kërkesa në vit për kthim të kufomave nga Evropa perëndimore në Ballkan, jo vetëm në Kosovë.

“Ne kryejmë të gjithë dokumentacionin, nga spitali në aeroport,” tha Salihu për BIRN. “Shumica e bashkëatdhetarëve tanë duan që të varrosen në atdhe,” tha ai.

Fshati Mramor afër Prishtinës, ku ishte lindur Skender Gashi

Salihu tha se kostoja për një familje sillet mes 2,500 dhe 5,000 euro, varësisht nga vendi ku ka vdekur personi, sa shpejt familja dëshiron që t’i kthehet kufoma dhe nga faktorë tjerë që e komplikojnë procesin.

“Dy vjet më parë, vdiq një i moshuar malazez dhe e kishte lënë amanet që të mos transportohet me aeroplan por me veturë,” tha Salihu. Kompania ia faturoi atij 4,500 euro. “Ishte pak e çuditshme për mua,” tha ai.

Por ai tha se kompania “është e gatshme të bëjë gjithçka që familja dëshiron, përfshirë edhe thirrjen e një prifti ose imami”.

Besnik Kadriolli, një imam 38 vjeçar kosovar në Monchengladbach afër kufirit të Gjermanisë me Holandën, tha për BIRN: “Interesi është i madh në mesin e shqiptarëve të Kosovës dhe të tjerëve në Ballkan për t’i transportuar familjarët e tyre të dashur në vendet e origjinës”.

Dhe nuk është vetëm gjenerata e parë e emigrantëve por edhe pasardhësit e tyre. Kadriolli kujtoi një rast të vitit 2019 kur një grua kosovare kishte abortuar në Gjermani dhe familja e varrosi në Kosovë fetusin e vdekur. Njerëzit me të cilët ka folur BIRN ishin në dijeni për raste të gjeneratave të dyta dhe të treta të emigrantëve që gjithashtu po varrosen në Ballkan.

Sociologu kosovar Leutrim Sahiti tha se diaspora e komuniteteve të Ballkanit, në veçanti shqiptarët, janë të shquar për “lidhje të forta” që mbajnë me atdheun, “edhe përkundër distancës fizike”.

“Dëshmitë e lidhjeve të forta që diaspora kame vendin e origjinës dhe jo-asimilimin është kthimi i të vdekurve nga diaspora në vendin e tyre,” tha Sahiti për BIRN.

Shqiptarët, tha ai, kanë “lidhje të forta shpirtërore me atdheun, me të afërmit në atdhe” dhe rëndësi e madhe i kushtohet mbajtjes së ceremonive fetare bashkërisht. Për shumë nga ta, cikli i jetës përmbyllet vetëm kur i vdekuri “pushon në paqe në vendlindje”, tha ai.

Industria multi-milionëshe

Ky është një fenomen që nuk kufizohet vetëm te shqiptarët si Gashi, komunitet shumicë në Kosovë.

Sipas gjetjeve të BIRN, kosovarë të vdekur të të gjitha komuniteteve janë riatdhesuar nga shtete edhe më të largëta si Tajlanda, Gambia, Svazilandi dhe Afrika e Jugut, pavarësisht shpenzimeve.

Xhamia e Monchengladbach në Dyseldorf, Gjermani, ku shërben imami Kadriolli. Foto: Imami Kadriolli

Në fshatin Lubinjë në jug të Kosovës, banori 50 vjeçar i këtij fshati Mercan Osmani tregon varret e atyre që kanë vdekur jashtë shtetit dhe janë sjellë aty për t’u varrosur.

Emigracioni ka marrë më shumë se gjysmën e popullatës boshnjake të fshatit, tha ai, “por në fund secili dëshiron të varroset në fshat”, një dëshirë që ai ia atribuon “nostalgjisë”.

“Të dielën e kaluar, një grua është varrosur pasi është sjellë nga Zvicra,” tha Osmani. “U deshën 6 ditë që trupi i saj të sillet në Kosovë për shkak të koronavirusit.”

Në fakt, shumica e fshatarëve kanë emigruar në Zvicër, nga ku fluturimet e shpeshta nga dhe drejt Cyrihut e kanë bërë qytetin një qendër të riatdhesimeve për emigrantët e vdekur nga Ballkani që vijnë nga e gjithë Evropa perëndimore.

“Ata sjellin jo vetëm të moshuarit por edhe të rinjtë,” thotë një fshatar tjetër, 55 vjeçari Refik Kasi. “Sa e di unë, në 50 vitet e fundit vetëm tre njerëz nga Lubinja janë varrosur aty ku kanë jetuar.”

Eurostat, agjencia e statistikave e Bashkimit Evropian, tha për BIRN se nuk mbledh të dhëna për numrin e të vdekurve që transportohen jashtë bllokut për t’u varrosur diku tjetër. As Kosova me një popullsi prej rreth 1.8 milion banorësh nuk di sa qytetarë kanë emigruar.

Vetëm Gjermania, megjithatë, në mesin e 83 milionë banorëve të vet numëron rreth 463 mijë banorë me përkatësi nga Kosova, 415 mijë nga Bosnja dhe 316 mijë nga Serbia, sipas MEDIENDIENST INTEGRATION, një shërbim informativ për gazetarët e specializuar në çështje që kanë të bëjnë me emigracionin dhe integrimin.

Në tri vitet e fundit, 925 kosovarë të vdekur janë transportuar nga Gjermania për t’u varrosur në Kosovë, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Zyra federale e statistikave në Gjermani nuk ishte në gjendje ta konfirmojë sa kufoma transportohen nga Gjermania çdo vit, por raportet thonë se bëhet fjalë për dhjetëra mijëra nga të gjitha pjesët e botës, përfshirë edhe Ballkanin.

Nëse çmimi mesatar për ta transportuar një trup të pajetë në Kosovë është 3 mijë euro, atëherë kosovarët kanë shpenzuar më shumë se 12 milionë euro në tri vitet e fundit për t’i sjellë të vdekurit në vendlindje, duke e rritur numrin e kompanive të funeraleve të fokusuar gati ekskluzivisht në bartjen e kufomave përtej kufijve.

Kosova kishte të regjistruara më pak se 10 kompani funeralesh. Tani i ka 71.

Kostoja nuk është pengesë

Vendi fqinj, Mali i Zi, gjithashtu ka një diasporë të gjerë. Ministria e jashtme tha se vlerësohet se sa shtetas malazezë jetojnë jashtë, aq jetojnë edhe brenda kufijve të shtetit- rreth 630 mijë- por nukka të dhëna se sa të vdekur janë sjellë për t’u varrosur në vend çdo vit.

Po kështu, Shqipëria vlerëson se 1.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë, përderisa popullata në vnd arrin në 2.8 milionë, por autoritetet në Tiranë gjithashtu thonë se nuk kanë të dhëna se sa shqiptarë të vdekur jashtë shtetit janë riatdhesuar për së vdekuri.

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, megjithatë, tha për BIRN se janë lëshuar dokumente për 522 raste vitin e kaluar të transferit të maqedonasve që vdiqën jashtë shtetit, 684 në vitin 2018 dhe 599 në vitin 2017.

BIRN ka kërkuar informacionin e njëjtë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë por nuk ka marrë ndonjë përgjigje deri në kohën e publikimit të artikullit.

Izolimet e imponuara në tërë kontinentin për ta luftuar shpërndarjen e COVID-19 mund ta kenë ngadalësuar biznesin e sjelljes së kufomave për t’u varrosur në Ballkan, por depresioni pasues ekonomik mund të nxisë një emigracion më të madh nga rajoni.

Në Mramor, Gashi tha se për shumë veta, kur të vijë koha, paratë nuk do të paraqesin telashe që të sillen për t’u varrosur në Ballkan.

Ai përmend një mik, nipi 20 vjeçar i të cilit ishte vrarë në Suedi, aty ku u lind dhe u rrit. “Familja pagoi 18 mijë euro bileta aeroplani për të ardhur të gjithë në varrim,” tha Gashi.

 

Jeton Musliu është gazetar aktualisht duke punuar si redaktor i lajmeve në transmetuesin publik, Radio Televizioni i Kosovës, RTK. Më parë ka qenë redaktor në gazetën e përditshme Tribuna, gazetar në Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese në Kosovë dhe në gazetën e përditshme Express. Gjatë karrierës, ai ka bashkëpunuar me media të ndryshme ndërkombëtare dhe ka fituar shumë çmime vendore dhe ndërkombëtare në gazetari hulumtuese.

 

Ky artikull është prodhuar si pjesë e Iniciativës Resonant Voices në BE, e financuar nga Fondi i Bashkimit Evropian për Siguri të Brendshme- Policia. Përmbajtja e kësaj storje është përgjegjësi vetëm e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të merret si pikëpamje e Bashkimit Evropian.