Rikrijimi dhe shuarja e rockut në 'Qytetin e Minatorëve'

Përderisa në vitet e 60-ta në Liverpool, grupi “The Beatles” kishte lëshuar rrënjët e muzikës rock, shtatë vite më vonë, në vitin 1967, grupi “FAN” në Mitrovicë kishte filluar të influencojë qytetin e minatorëve me një rrymë të re muzikore.

Me fillin e këtij grupi, për shumë vite me radhë Mitrovica u shndërrua në një vatër të rockut ku përveç repertorit të huaj u krijuan shumë këngë autentike, të cilat edhe sot vazhdojnë të bëhen remake nga artistët e rinj.

Nga një “shtëpi” e grupeve të famshme të rockut në Kosovë, këtë zhanër muzikor në Mitrovicë tashmë e mban gjallë vetëm një grup aktiv “Jutbina” dhe shkolla e rockut “Mitrovica Rock School”.

 

Lekë Shala, vokalist i Jutbina Band, grupit të vetëm muzikor aktiv në Mitrovicë, tha se ndryshe nga rocku klasik mitrovicas i periudhës së artë të rockut, grupi i tij ka inkuadruar edhe stile të reja si hop-hopin e post punk brenda stilit të tyre.

Edhe pse ka vetëm katër vite që nga themelimi i Jutbina Band, anëtarët e grupit kanë arritur të sjellin rock që trajton tema sociale, tema të përditshme, politike dhe të sjellin një frymë të re  të rockut në Kosovë.

“Ne e kemi çasjen tonë si secili bend, po na e kemi një çasje ndryshe  për shembull e kemi një këngë  me emrin “Miza” ose HIV pozitiv HIV negativ. Mundohemi të ofrojmë tema të përditshme, që i dëgjojmë çdo ditë,  por i kthejmë në kreativitet i paraqesim më interesant për publikun. Mesazh social kryesisht , jo diçka veç me u anku po me marr edhe të mirën edhe të keqen edhe me lidh në një hajgare, e me kthy në kreativitet”, tha 21 vjeçari.

Sipas tij Mitrovica ka nevojë për një grup që shpreh revoltë ndaj stigmatizimit, por sipas Shalës jo çdo herë njerëzit kanë dëshirë të dëgjojnë veç ankesa dhe të lodhen nga transmetimi i anës së keqe.

“Unë jam pro asaj që ata të keqen mundesh me paraqit me ironi për shembull si kjo puna e Labinot Tahirit me fjalën “s’ka virus”, edhe tash njerzit e marrin e kthejnë në bit, bëjnë hajgare me atë edhe pse kur e dëgjon është diçka shumë shokuese”, tha Shala.

Sipas tij ironizimi i të keqes përmes muzikës e transmeton protestën ndaj këtyre dukurive dhe se  fokusi i këngëve të tyre është të luajnë me mentalitetin, të thehet mendësia.

Mitrovica Rock School (MRS) është shkolla e dytë e rockut në Ballkan e formuar si projekt i Musicians Without Borders dhe Community Building Mitrovica, e cila i bashkon rockdashësit e të gjitha komuniteteve  e krijuar në vitin 2008 me qëllim që përmes muzikës të kapërcehen ndarjet etnike mes të rinjëve.

Kjo shkollë brenda një viti përafërsisht ka 100-120 studentë që ndjekin mësimin. Nga gushti 2008 deri më sot mbi 1 mijë 300 të rinjë kanë marrë pjesë në MRS. Ndërsa, deri më tani shkolla ka pasur 49 bende etnikisht të përziera, prej tyre 24 cover bende dhe  25 bende origjinale. Shkolla ofron mësime në instrumente të ndryshme: gitare, bass gitare, tupana, piano, vokal  dhe ushtrime me bend.

Ekipi i “Mitrovica Rock School” tha për KALLXO.com se interesimi dhe pjesëmarrja e të rinjëve në shkollë është i ngjashëm edhe nga Mitovica e Veriut dhe ajo e Jugut.

“Që nga themelimi i saj Mitrovica Rock School përmes muzikës ka arritur t’i sjellë së bashku të rinjët nga jugu dhe veriu i Mitrovicës përmes programit të bendëve etnikisht të përziera, ku përfshihen aktiviteteve me studentë nga jugu dhe veriu e siç janë: ushtrimet me bende të përziera, javët e trajnimit për bende të përziera si dhe punëtoritë e përziera”, tha ekipi i shkollës.

 

Lekë Shala, njëherazi edhe student i kësaj shkolle tha se jo rastësisht është formuar kjo shkollë në Mitrovicë. Por, sepse janë disa nga muzikantët dhe profesorët më të njohur si Edon Ramadani, Erhan Bulka, Nesim Maxhuni që e kanë prejardhjen prej Mitrovicës dhe që kanë intervenuar, e lobuar që me sjell shkollën në Mitrovicë.

Tutje, Shala autor i albumit Xhungël Urbane në lidhje me sa zbehjen e rockut në Mitrovicë tha se ky zhanër ka rënë  jo se  shqiptarët nuk dijnë të ofrojnë rock të mirë por se influencat në botë janë duke ndryshuar.

“Por tash hip-hopi është influencë botërore. Por sa i përket audiencës ka festivale të ndryshme që marrim pjesë. Publiku është i vogël kryesisht për shkak se nuk ka provital”, tha ai.

Jutbina Band përpos këtij albumi është duke punuar edhe për albumin e dytë i cili pritet të finalizohet deri në fund të vitit.

Pesë të rinjët e grupit kanë marrur pjesë në festivalet e organizuara në Kosovë si BeerFest, AndrosFest, DokuFest, Green Festival e në organizime të ndryshme.

“Po nëse kishte me pas prodhimtari më të madhe, ne po dëshirojmë me përgatit  një album sivjet, që me siguri ka fundi i vitit del. Tash nëse kishte me pas edhe bende tjera, njerëz, vende ku luhet kitarja ish rrit prodhimtaria edhe debatet për rockun”, tha ai.

Sipas MRS në ditët e sotme muzika rock nuk është muzika kryesore (mainstream) por gjithmonë ekziston një grup i të rinjëve që janë të interesuar për muzikën alternative dhe kërkojnë  mënyra të ndryshme për ta shprehur veten.

Ata thanë se si shkollë mundohen të jenë të hapur për të gjitha stilet e ndryshme të muzikës dhe të ndihmojnë studentët të zhvillojnë aftësitë e tyre muzikore duke  mbështetur individualitetin e tyre.

Shala tha se rocku i viteve të arta nuk mund të kthehet por nëse krijohen grupe të reja ai mund të rikrijohet.

Në një krahasim në mes rockut të atëhershëm dhe të tanishëm tha se grupet e Mitrovivës si MAK, FAN e TNT kanë prodhuar rock klasik dhe balada por që nuk ka qenë muzikë revoltuese e revolucionare që të krijoj mosbindje.

“Temat kryesisht i kanë pasur për dashuri, që nëse i dëgjon prej Haki Misinit, grupin FAN, grupin TNT, Marigonën e këto kanë qenë shumë për dashuri e mbas luftës përpos hip-hopit që ka ardhur si ndikim na në Jutbinë e kemi ndërlidh edhe post-punk”, tha ai.

Sipas tij dallimi në mes rockut të Prishtinës me të Mitrovicës është se Prishtina ka pas post-punk që është zhanër më i rëndë i rockut, është më reaksionar, kërkon ndryshim, protestë, revoltë ndërsa mitrovicasit kanë pas traditë balada si për shembull Haki Misini me këngën “ Leskovik”,  “Moj e Mira te Pojata”.

Ai tha se këto janë popullore po zakonisht i kanë marrë kompozitorët të shkollës të muzikës për shembull Fahri Beqiri, Rafet Rudi i kanë kthyer pak a shumë në klasike.

Ndërsa, Jutbina sikurse rocku i Prishtinës ka revoltën, post-punk-in, kulturën e protestës dhe inkuadron tingëllimin apo të ashtuquajturin grunge i cili të bën të revoltohesh.

Para pak javësh ka dalur në treg libri “Historiku i muzikës rock në Mitrovicë 1960-1998” i realizuar nga organizata joqeveritare Ad Libitum.

Bazuar në të dhënat e librit, rock grupi “MAK” ishte formuar në vitin 1973 nga pavarësimi i anëtarëve të grupit “Kristalet e Trepçës” dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978. Emri “MAK” vjen si ide nga Xhevdet Gashi në kuptimin e lulës “MAK” (lules së kuqe) mirëpo më vonë etiketohet si “Muzicientët ambicioz kosovar”.

Ky rock grup u formua nën ndikimin e rock grupeve të mëdha botërore si “Deep Purple”, “The Beatles”, dhe artistit Jimy Hendrix.

Kjo rrymë muzikore ndikoi edhe tek të rinjtë nga Mitrovica dhe si rezultat i kësaj kishte lindur fryma  muzikore “hard rock” edhe në Kosovë duke krijuar dhe kultivuar një frymë të re muzikore qe mbërthente brenda afshin folklorik. Disa nga kryeveprat muzikore të tyre janë: “Tri gota”, “Moj e mira te Pojata”, “Qenke rritë moj s’të zën Këmisha”, “Leskoviku”, etj.

Dy anëtarë të grupit “MAK”, Haki Misini dhe Mehmet Tupella janë vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

TNT kishte performuar  në ballot që demonstroheshin të premteve e të shtuneve  me publik prej 400-500 persona në ambiente të ndryshme si: “Shkollë e Mjekësisë” në Mitrovicë, “Sallë e Vallëzimit” në Zveçan, “Kej Lushtë” në Mitrovicë.

Lekë Shala tha se ajo që i duhet rockut është që të organizohen sa më shumë ndeja “underground” të cilat do ia shtonin benefitet rockut dhe do të zgjeronin tregun dhe debatet për këtë zhanër.

Sipas Shalës rocku i vjetër ka filluar të dëgjohet shumë edhe si nostalgji si për shembull këngët e vjetra të Elita 5, grupit 403, etj.

Por, për këtë rënie të tregut të rockut ai nuk e fajëson muzikën komerciale që sipas tij është muzikë të cilën kanë aftësi ta bëjnë të gjithë, por trendet dhe influencat botërore.

“Këtu është tek cilësia dhe sasia. Që të bësh rock duhesh me pas njëfarë kulture, duhesh me mësu një instrument, mandej duhesh me pas bend e duhet me bashkëpunu me 3 -4 veta, duhesh të  mësosh të punosh me instrumentistë, të punosh në bend, përpos që luan me kitarë duhet me qenë në dijeni se si me inkorporu tingullin në bendin tënd”, tha ai.

Grupet më të njohura në Mitrovicë që nga viti 1960 deri më 1998 të cilat u formuan nën ndikimin e rrymave të muzikës së grupit “Nirvana” e “Metallica” janë grupet: FAN, MAK, TNT, Aranea, Lucifer, Krater, Engjujtë e Natës, Engjujtë e Rinisë, Feniks, Erupcioni, Marigona, Horoskop, Art Bend, Exon, Yankee, Korak, Jet Set, Kontakt, Kobra, Viktory, Feniks 2, Band of Gipsy, Bontempi, Friends, Marshalli, Kristalet, Marqussi.

Nga të gjitha këto grupe sot aktiv është vetëm grupi TNT me anëtarë të rinj brenda grupit, grupi Marigona i cili nuk është shumë aktiv përpos lansimit të këngës së fundit “Vet s’më le”. Ndërsa si grup i ri aktiv në Mitrovicë është vetëm Jutbina.