'Rezistenca’ e Vetëvendosjes për ta lëshuar qeverinë

Pas vendimit të Presidentit Hashim Thaçi për t’i dhënë mandatin për formimin e qeverisë, partisë së dytë të dalë nga zgjedhjet e fundit, Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shfaqur sinjale se do t’u kthehen rrugëve e shesheve për ta sfiduar me protesta këtë vendim në kërkim të zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.

LDK-ja propozoi Avdullah Hotin kandidat për kryeminisër të ardhshëm, përderisa LVV-ja ka bërë të ditur se vendimin e presidentit Thaçi do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Kësisoj, pushteti i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti thuhet të ketë për qëllim parandalimin e formimit të qeverisë së re deri në zgjedhje, si dhe shkarkimin e Presidentit për shkelje kushtetuese, për shkak të mënjanimit të partisë fituese të zgjedhjeve.

LVV-ja as nuk dërgoi emër dhe as nuk e refuzoi të drejtën të mandatojë dikë për kryeministër, ndërsa Kushtetuta nuk përcakton ndonjë afat kohor se kur duhet që subjekti fitues t’i japë emrin e mandatarit kreut të shtetit.

Ndërkohë, përkrahës të partisë së Kurtit përmes rrjeteve sociale kanë paralajmëruar protesta për zgjedhje të reja, pas 4 majit kur edhe zyrtarisht përfundojnë masat për kufizim të lëvzijes lidhur me situatën nga coronavirusi.

Analisti politik Belul Beqaj vlerëson, se pozicioni aktual i Lëvizjes Vetëvendosje është përpjekje e vazhdueshme për të rezistuar instalimin e qeverisë së re.

“Në njërën anë, intensifikimi i shkarkimit dhe demontimit të elementeve të ‘shtetit të kapur’, në anën tjetër instalimi sa me intensiv i bashkëmendimtarëve edhe bashkëpartiakëve në institcione të fushave të ndryshme vendimarrëse. Kjo tendencë nuk mund të arsyetohet, por mund të kuptohet se po bëhet në garë me qeverinë e re që synon t’i kthejë pozicionet e personave që kanë qenë në funksion të ‘shtetit të kapur’”, thotë ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Qeveria në detyrë edhe këto ditë ka vazhduar me shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike, për të emëruar të tjera të përkohshme, e thirrur në “çkapjen e shtetit”. Por emërimi i katër prej tyre, të cilët janë anëtarë të LVV-së ka ngjallur reagime të ashpëra ndaj qeverisë në detyrë.

Ndërkaq, njohësja e çështjeve të sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj thekson se pa marr parasysh cila administratë është në pushtet, situata momentale është gjendje emergjente shtetërore, e cila kërkon me domosdoshmëri që të gjithë liderët politik me qenë të unifikuar sa i përket luftimit të pandemisë.

“Asnjë agjendë tjetër nuk duhet me qenë prioritet, në krahasim me luftimin e pandemisë. Fatkeqësisht, realiteti është ndryshe edhe shihet që prap në Kosovë në nivelin e lidershipit politik ekziston një mungesë e pjekurisë politike”, thotë ajo për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kjo situatë sipas saj është e dhimbshme dhe i dekurajon qytetarët.

“Përgjegjësia natyrisht më e madhe për stabilizimin i ka rënë qeverisë në pushtet, sepse ata e kanë fituar votën e popullit dhe është dashur të sigurohen që të parandalohet degradimi i situatës poltike, gjë që nuk ndodhi”, shton ajo.

Qeveria Kuri u rrëzua nga Kuvendi i Kosovës përmes një mocioni të mosbesimit me 25 mars, i inicuar nga LDK-ja si partner qeverisës.

Protesta në kohë të pandemisë?

Pas thirrjes për të protestuar kundër qeverisë së re dhe për shkuarjen në zgejdhje, kryetari i Lëvizjes Vertëvendosje Albin Kurti, është shprehur se thirrjet nuk janë organizuar nga partia e tij dhe se një gjë të tillë ai nuk do ta bëjë si kryeministër në detyrë.

“Ne nuk e kemi organizuar një gjë të tillë dhe nuk është se afirmojmë një gjë të tillë. Si kryeministër në detyrë, unë nuk jam person që organizoj protesta. Nëse do më duhet të rikthehem në pozitën e kryetarit të LVV-së në kuptimin aktiv të fjalës, atëherë duhet të mbledhim kryesinë dhe t’i marrim vendimet, por kjo nuk është protestë që e kemi iniciuar ne”, tha Kurti të enjten në emisionin Jeta në Kosovë.

“Qytetarët s’kanë qenë kurrë më të zemëruar, unë si ndaloj dot të protestojnë, mirëpo nuk mund të them që kjo protestë është organizuar nga ne”, shtoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje që prej themelimit të saj njihet për organizimin e protestave kundër kauzave të ndryshme politike në kohën para dhe pas pavarësisë së Kosovës, në krye me liderin e saj, Kurtin. 

Ndërsa, sipas Belul Beqajt nëse protestat orgaizohen në kohën e pandemisë, do ta zhvlerësojnë argumentin e deritanishëm se prioriet i kësaj qeverie ka qenë lufta kundër pandemisë.

“Prandaj, pres që çështja e protestave të jetë skenar pas përfundimit të pandemisë. Në këtë mënyrë do të kthejë triumfalisht VV-në si faktore vendimtare në të ardhmen e afërt!”, shtoi ai për Gazetën JnK.

Ai tutje thekson se protestat që mund të zhvillohen në kohë të pandemisë e zhvlerësojnë aktivetetin dhe fokusin e deritanishëm të Qeverisë Kurti.

“Përkundrazi protestat në kohën e pandemisë mund të përdoren si argument i kthimit të ‘shtetit te kapur’ se pushtet ishte synimi i vetëm i VV?! Kjo nuk përjashton protesta nga ambientet e mbyllura në forma të ndryshme: transparente, kundërshtime të zëshme në kohë të caktuar, rezistencë elektronike, konferenca online…”, tha Beqaj.

Kurse, Besa Kabashi-Ramaj vlerëson se në këtë situatë protestat janë “gabim trashanik”, dhe se pa marrë parasysh çka ndodhë në aspektin politik, gjithçka siç thotë ajo, duhet të vendoset në plan të dytë.

“Sepse nuk mundesh që deri sot me shfrytëzu mjete të cilat edhe i mohojnë të drejtat dhe liritë bazike të njerëzve, natyrisht për me i mbrojtë ata prej shpërndarjes së pandemisë dhe mandej me leju me ndodhë protesta”, thotë ajo për Gazetën JnK.

Sipas saj, ndonëse protestat nuk do të organizoheshin nga Vetëvendosje, ky subjekt politik do të kishte përgjegjësi morale.

“Edhe protesa mund të shprehet në një formë tjetër që nuk kërkon tubime fizike. Protesta që është e drejtë e çdo qytetari mund të ndodhë natyrisht kur të stabilizohet situata. Kjo është një pandemi, nuk është çështje e vogël, bota po ballafaqohet me të”, tha ajo.

Me arsyetimin e ekzekutivit në detyrë, se në mes sheshit të qytetarëve dhe oborrit të qeverisë nuk duhet të ketë pengesa, të enjten u larguan rrethojat e oborrit të këtij institucioni.

Ndërkohë një rikthim i protestave nga ballkonet për vazhdimin e punës së qeverisë në detyrë, është thirrur për të premten në mbrëmje përmes Facebook-ut.