Andronika Jovanovska dhe Ljubica Bubuleska jashtë rrënojave të shtëpisë së tyre të vjetër në Radushë. Foto: Katerina Topalova/BIRN.

Vuajtjet e pafund të të zhvendosurve nga konflikti i armatosur në Maqedoninë e Veriut

Tetëmbëdhjetë vjet pasi u larguan nga fshatrat e tyre gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001 midis forcave të sigurisë së Maqedonisë së Veriut dhe kryengritësve shqiptarë, familjet e mbetura të zhvendosura nuk kanë marrë ende shtëpi të përhershme, siç parashikohej në marrëveshjen e paqes.

 

“Oh, do të më plasë zemra!” thotë Ljubica Bubuleska teksa rikthehet në vendlindjen e saj, fshatin Radusha në Maqedoninë e Veriut, për herë të parë pas shumë vitesh.

“Nuk ka mbetur asgjë nga shtëpia ime, as edhe një fotografi e prindërve të mi, asnjë mobilie nga ato që janë blerë gjatë viteve,” ankohet Bubuleska.

Më 18 gusht 2001 ky fshat i gjelbër dhe i këndshëm 26 kilometra larg kryeqytetit Shkupit, në kufi me Kosovën, ishte në qendër të betejës më të ashpër të konfliktit të armatosur disa mujor midis forcave shtetërore të sigurisë dhe rebelëve shqiptarë etnikë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Gjatë betejës, 70 policë dhe oficerë të patrullimit kufitar luftuan për 20 orë kundër kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të cilët kishin nisur ofensivën e tyre nga territori i Kosovës.

Pas të shtënave të para, fshati, i cili kishte një popullsi prej më shumë se 2,000 banorë në atë kohë, filloi të zbrazej. Fshatarët e mbushën trenin për në Shkup, duke lënë pas shtëpitë e tyre dhe duke u larguar vetëm me fëmijët. Bubuleska dhe kunata e saj, Andronika Jovanovska, ishin midis atyre që u larguan.

Kur arritëm në Radusha, ata qëndruan për ca kohë jashtë shtëpisë së tyre të vjetër, pa lëvizur dhe të mpirë. Na ishte dashur ca kohë që të gjenim shtëpinë dhe ata thanë se fshati nuk njihej më. “Jemi bërë të huaj në vendin ku dikur jetonim!” përsërisë pa pushim Jovanovska.

Një grua e moshuar pa fytyrat e tyre të panjohura përmes dritares dhe lëshoi një britmë.

“Oh, Bube! Oh Bube! Oh, Bube!” thirri Mexhide Maksudi, fqinja ngjitur me të pasi njohu Bubuleskën, të cilën e ka thirrur gjithmonë “Bube”. Pas vitesh të tëra ndarje, të dy gratë u përqafuan.

Luftimet e tmerruan familjen e Bubuleskës, kështu që ata ikën nga fshati, por Maksudi dhe burri i saj vendosën të qëndronin me fëmijët e tyre. Burri i saj vdiq disa vjet më parë dhe ajo tani jeton në një shtëpi të madhe, të re, plot me nipër e mbesa.

“Radusha nuk është ajo që shihni në këtë shtëpi,” i tha ajo dy kunatave. “Fshati është shkretuar. Jetët tona janë shumë të vështira.”

Ka lot dhe kujtime rreth byrekëve të shijshëm dhe ditëve të ghjata dhe të lumtura të së kaluarës. Në fshat ka rrugë të zbrazura ku mund të dëgjohen vetëm cicërimat e zogjve dhe zukatja e bletëve. Ndalojmë në dyqanet e vjetra ku dikur dy kunatat etnike maqedonase blinin gjëra me kredi nga fqinjët shqiptarë etnikë.

Ata bashkëjetonin mirë, kujtojnë ato, por kujtimet e tyre prishen nga pamjet e shtëpive të shkatërruara dhe vrimat e plumbave bë mure që dëshmojnë ende për luftimet e vitit 2001.

Radusha ka ndryshuar edhe në mënyra të tjera. Ai ishte një fshat me etni të përzierë para konfliktit të vitit 2001, por tani është një zonë homogjene etnike shqiptare. Maqedonasit etnikë nuk janë kthyer pas.

Konflikti në Maqedoninë e Veriut la 76,000 njerëz të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Shumica e tyre morën apartamente nga qeveria dhe tani, 18 vjet më pas, ka vetëm 26 familje të zhvendosura që nuk kanë strehim të përhershëm, përfshirë ajo e Bubuleskës dhe e Jovanovskës.

Meqë Bubuleska pi duhan dhe ne e presim atë në makinë, ndërsa në radio dëgjohet një këngë nga Dario Pankovski. Vargjet thonë: Ajo që është e imja do të kthehet.” Bubuleska dëgjon fjalët dhe i drejtohet këngëtarit: “Do të vijë, por kur saktësisht, Dario? Kam 18 që e pres nën çatinë e dikujt tjetër.”

Premtimet e qeverisë

Mexhide Maksudi dhe Ljubica Bubuleska në Radushë. Foto: Katerina Topalova/BIRN.

Jovanovska, tani 44 vjeçe, u shpërngul në Shkup kur filloi lufta në Radusha.

Në fillim, shteti i sistemoi njerëzit e zhvendosur nga konflikti si ajo në qendra të përkohshme strehimi, por më pas vendosi t’u sigurojë atyre një pagesë qiraje mujore.

Familja e saj e përbërë nga katër anëtarë aktualisht jeton në Kisela Voda, një lagje e Shkupit, edhe pse ajo është ende zyrtarisht e regjistruar sikur jeton në shtëpinë e saj të dëmtuar nga konflikti në Radusha.

Një plan veprimi i hartuar si pjesë e Marrëveshjes së Ohrit që i dha fund konfliktit të vitit 2001 i siguroi personat e zhvendosur se ata ose mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre, me ndihmë financiare për rindërtimin e pronave të dëmtuara gjatë luftimeve, ose mund të merrnin kompensim.

Njëzetë e gjashtë familjeve të mbetura u është thënë nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale se ata mund të aplikojnë individualisht për strehim social.

Familjet megjithatë druhen se nëse regjistrohen, ato do të ripërcaktohen nga autoritetet si përfitues të ndihmës sociale dhe do të humbasin statusin e personave të zhvendosur brenda vendit që qeveria të mund të thotë se më në fund e ka zgjidhur problemin dhe më pas t’i vendosë në listën e gjatë të pritjes për një apartament.

Një tjetër problem është se apartamentet që do të merrnin do të ishin të pa mobiluar dhe për shkak të mungesës së parave, ata nuk do të ishin në gjendje të përballonin edhe blerjen e sendeve bazë shtëpiake.

Ata gjithashtu ankohen se zyrtarët që u dërguan nga qeveria për t’i vizituar u sollën në mënyrë të paedukuar, duke lënë përshtypjen se mezi po prisnin t’i fshinin nga lista e personave të zhvendosur brenda vendit.

Ministria megjithatë tha se qeveria synon të përgatisë një plan veprimi për të ndihmuar 26 familjet e mbetura të personave të zhvendosur brenda vendit.

“Ka zgjidhje dhe qeveria do të përcaktojë mënyrat për të vepruar ndaj tyre në periudhën e ardhshme,” tha ministria për BIRN në një deklaratë me shkrim.

“Përsa i përket atyre që kanë fituar statusin e një personi të zhvendosur brenda vendit (PZHBV) në vitin 2001, qeveria miratoi një vendim në vitin 2006, sipas të cilit Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale (MTSP) është e detyruar të kujdeset për ta për aq kohë sa ata kanë këtë status dhe, në përputhje me vendimin e lartpërmendur, t’u sigurojë atyre mjete të caktuara financiare për të paguar qiranë e apartamentit dhe faturat e shërbimeve,” shtoi ajo.

Ndërkohë Blerim Bexheti, kryetari i komunës Saraj, komuna në të cilën ndodhet Radusha, tha se ai mund të ofrojë shpresë të re për 26 familjet e zhvendosura.

Bexheti tha se komuna është e përfshirë në një projekt të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale që ka për qëllim zgjidhjen përfundimtare të statusit të personave të zhvendosur brenda vendit, i cili parashikon ndërtimin e apartamenteve në disa vende, të paguara nga qeveria.

“Ka kaluar një kohë e gjatë dhe realiteti është se ne duhet të jemi të vetëdijshëm se fëmijët e këtyre familjeve tashmë janë rritur, që do të thotë se janë ata që vendosin se ku duan të jetojnë,” tha Bexheti.

“Shteti duhet ta zgjidhë statusin e tyre. Kur them “shteti” nuk e përjashtoj autoritetin lokal, sepse institucionet shtetërore duhet të bashkojnë forcat dhe ta mbyllin këtë çështje,” shtoi ai.

Megjithatë, ai tha se nuk kishte detaje rreth numrit të familjeve që do të ristrehoheshin.

Fshatra të zbrazura

Blerim Bexheti, kryetari i komunës Saraj. Foto: Katerina Topalova/BIRN.

Shumë fshatra të tjerë ku u zhvillua konflikti i vitit 2001 janë shpopulluar njësoj si Radusha.

Kryetarët e komunave thonë se shifrat e Ministrisë së Brendshme të publikuara këtë vit nuk japin një pamje të plotë, sepse njerëzit si Jovanovska janë ende zyrtarisht regjistruar si banorë në fshatrat e tyre edhe pse ata janë shpërngulur në vende të tjera. Shumë prej tyre madje janë larguar nga vendi.

Bexheti megjithatë tha se ndryshimet në strukturën e popullsisë, me largimin e maqedonasve etnikë dhe kthimin në shumicë të shqiptarëve etnikë, si edhe rënien numrit të banorëve në këto zona të prekura nga konflikti, nuk duhet t’i atribuohet trazirave në vitin 2001.

“Nuk besoj se kjo luftë kontribuoi në spastrimin etnik të këtyre vendeve. Sipas mendimit tim, kjo ka qenë kryesisht e ndikuar nga rrethanat socio-ekonomike,” tha kryetari i komunës së Sarajit.

“Asnjë zhvendosje nuk është shkaktuar për arsye etnike,” këmbënguli ai.

Bexheti, i cili gjithashtu ka qenë për tre vjet ministër drejtësie, theksoi se këto zona pas konfliktit janë lënë pas dore dhe se shteti nuk po ndihmon në rivitalizimin e tyre.

“Duke pasur parasysh nevojat aktuale, është e nevojshme të rriten mjetet financiare për të gjitha komunat të cilat u prekën nga lufta në vitin 2001,” tha ai.

Një ofertë e hidhur

Tre vjet më parë, Instituti Antropologjik i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup botoi një studim i cili tha se vendi tani ka rreth 600 persona të zhvendosur brenda vendit si rezultat i konfliktit të vitit 2001, nga 76,000 që lanë shtëpitë e tyre në atë kohë.

Një projekt i BE-së për integrimin e refugjatëve me një buxhet prej 746,000 euro është nisur për të stimuluar planet për zhvillimin ekonomik lokal dhe për të zhvilluar aftësitë e refugjatëve dhe të personave të zhvendosur brenda vendit për t’i ndihmuar ata të gjejnë punë. Megjithatë, projekti 18-mujor nuk përqendrohet në kthimin në shtëpitë e tyre të personave të zhvendosur.

Në gusht të këtij viti, 26 familje do të vijnë nga mbarë vendi për të protestuar jashtë ndërtesës qeveritare të Maqedonisë së Veriut në Shkup, duke shënuar 18 vjetorin e ditës që ata u larguan nga shtëpitë e tyre.

Jovanovska dhe Bubuleska do të marrin pjesë në protestë, së bashku me djemtë e tyre të rritur që ishin foshnje në kohën kur nënat e tyre u larguan bashkë me ta nga fshati i tyre.

Përveç premtimeve të pa plotësuara që kanë dëgjuar për pothuajse dy dekada, të dyja gratë këmbëngulin se nuk do të heqin dorë nga lufta e tyre për shtëpitë e tyre derisa autoritetet të gjejnë një zgjidhje.

“Do të përgatis një tortë të hidhur. Dhe do t’ia çoj qeverisë!” deklaroi Jovanovska me lot dhe zemërim në sytë e saj.

“Sapo të hanë kafshatën e parë, do të provojnë hidhërimin që na ka gërryer neve përbrenda gjatë gjithë këtyre viteve.”

 

Ky artikull u realizua si pjesë e skemës së grantit të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN, mbështetur nga Komisioni Europian.