Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti | Foto: Atdhe Mulla

Vitia e Rugovistit të Devotshëm

Një qytezë në fushëgropën e Anamoravës. Krejt krejt, një rrugë disi qendrore me një shesh mirë të rregulluar është Vitia dhe paraqitet si një qytet i krijuar vonë – kur është fjala në pamjen që ka – gjatë kohës së Jugosllavisë.

Shtëpia e kulturës vjen si shembull ka plan të njëjtë me atë të nja dy qyteteve të tjera, fjala vjen me atë të Kamenicës që është identike. Pastaj edhe vetë ndërtesat dhe struktura urbane e qendrës së qytetit vërehet me lehtësi se është tepër e re.

Qoftë për shkak të një planifikimi të mirëfilltë modern me rrugë të gjera dhe shumë hapësirë kudo, që do të ishte e pamundur po të ishte ndërtuar mbi strukturën e ndonjë qendre osmane; qoftë për shkak të ruajtjes së kësaj strukture urbane pa shumë ndërhyrje që tregon po ashtu, se nuk kanë kaluar shumë vjet prej se është në këtë gjendje, pasi përndryshe do të ishte ndryshuar dhe nuk do ta kishte këtë thjeshtësi që ka sot.

Vitia njihet për Banjën e Kllokotit dhe burimin e ujit oligomineral për të cilin mendohet se ka veti shëruese. Po ashtu, për tolerancën ndërfetare pasi aty jetojnë komunitete të ndryshme fetare dhe incidentet e shënuara mes tyre janë zero.

Vitia merret si shembull i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare | Foto: Atdhe Mulla
Vitia merret si shembull i bashkëjetesës dhe harmonisë fetare | Foto: Atdhe Mulla

Sot udhëhiqet nga LDK-ja dhe nga kryetari i zgjedhur i kësaj partie Sokol Haliti. Ky është një burrë në moshë të pjekur, i gjatë e me kokë të rruar. Për çudinë time, gjatësia e madhe e njerëzve të kësaj qyteze ishte e theksuar krahasuar me qytetet tjera.

Jo shumë gjëra ndodhin në Viti. Prandaj ishte koha të thelloheshim më shumë në çështjet që do të ngriheshin nga debati. Debati po fillonte.

Kryetarit iu kërkua t’i jepte një notë vlerësuese vetes, por ai insistoi që të mos e bënte duke thënë se këtë do ta bënin qytetarët kur të ishte koha. Por, dhe kjo “por” ka rëndësi, nuk hezitoi të thoshte se premtimet e dhëna i kishte tejkaluar.

Regjia me kërkesë të kryesueses provizore Jeta Xharra vuri në ekranin e madh përpara asamblistëve fotografi të rregullimit të shtratit të lumit Morava si notë pozitive për kretarin Haliti. E po ashtu vuri fotografi të disa rrugëve të shtruara në vitin 2015, të cilat kishin pasur nevojë të arnohen.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti | Foto: Atdhe Mulla
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti | Foto: Atdhe Mulla

Për kryetarin kjo ishte normale madje sqaronte se garancioni prej një viti do të bënte që çfarëdo dëmtimi në këtë vit të parë do të riparohet.

Po çështja është që rruga e ndërtuar para një viti nuk do të duhej të kishte fare nevojë për asnjë ndërhyrje, përveç nëse është shtruar jashtë standardeve dhe për ta ditur këtë nuk duhet të jesh ekspert i asnjë fushe.

Vitia si komunë agrare varet shumë nga bujqësia dhe për këtë arsye dikush nga opozita ngriti çështjen e “infektimit” të siç u tha “tokave bujqësore” nga kanalizimi në fshatin Skifteraj. E këtu po flasim për tokat e kategorizuara si cilësia më e lartë e tokave të punueshme në Kosovë.

Kryetari mundohej të shpjegonte se si kjo çështje ishte e lidhur me problemin e kanalizimeve në tërësi, me të cilin në shekullin 21 përballet krejt Kosova.

Opozita po ashtu shqetësohej për mos-subvencionimin e duhur të bujqësisë e edhe për rrugët e shtruara të ngushta. Por tamam si një rugovist, kryetari me qetësi shpjegonte secilën çështje, herë duke pranuar një pjesë të fajit e herë duke arsyetuar me mungesë fondesh a të ngjashme.

Kuvendi i Komunës së Vitisë | Foto: Atdhe Mulla
Kuvendi i Komunës së Vitisë | Foto: Atdhe Mulla

Gjatë zgjedhjeve kryetari Haliti kishte premtuar nxënës të edukuar në vitin 2013. A ishte këtu fjala për “edukimin” siç e kuptojmë në shqip që do të thotë njëfarë posedimi i një sistemi sjelljesh e shprehish që e bëjnë një njeri të qytetëruar, apo ishte fjala për edukimin siç vjen nga anglishtja që do me thënë arsimim? Kjo s’u sqarua.

Pastaj opozita akuzoi për nepotizëm, por me të drejtë kryetari kërkon emra dhe emra opozita nuk jep. Në këto kondita kryesuesja provizore Xharra ndërron drejtimin e debatit.

Shëndetësia është çështje që merr kohë diskutimi. Opozita insiston në atë se kur vjen fjala te shëndetësia, Vitia ka më shumë fokus në ndërtesa sesa në kuadra e kualitet shëndetësor.

Aty këtu përmenden raste konkrete të mungesës së filan doktorit në filan pozitë dhe është për t’u brengosur fakti se për ndonjë problem që do të duhej konsideruar shkallë e dytë e urgjencës, adresa është QKUK në Prishtinë.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Kjo shkakton ngarkesa të mëdha në qendër, ndërkohë që periferia qoftë për arsye mosofrimi të kualitetit, qoftë për faktin se ky është një perceptim paragjykues, rri e zbrazur.

Sido që të akuzohej, kryetari nuk e humbte qetësinë dhe premtonte se gjithçka do ta bënte me ligj. Por, kryesuesi i asamblesë nga radhët po të LDK-së, ishte nën akuzë të prokurorisë për disa mëditje që dyshohet se u kishte dhënë asamblistëve pa qenë prezent. Është fjala për mëditje dhënë asamblistëve të të gjitha partive.

Është e mrekullueshme sesi prokuroria funksionon në Vitinë e vogël për disa mëditje që përbëjnë qindra euro të zbuluara në raportin e auditorit të përgjithshëm, ndërkohë që gjithë ato zbulime të po këtij auditori nëpër ministri as që janë ndjekur ndonjëherë.

E megjithatë, zbatimi i ligjit nuk duhet të na pengojë, qoftë edhe për një cent të vetëm të keqpërdorur, por do të na çudisë dhe këtë s’na e ndalon asnjë pikëpamje morale, fakti që ligji zbatohet me zell e me profesionalizëm në Viti ndërkohë që nëpër zyrat e qeverisë korrupsioni pas lulëzimit ka nxjerrë frute të majme gjithandej po për t’i këputur, s’i këputi askush.

Në mungesë të aktiviteteve të tjera, Vitia ofron mjedis të përshtatshëm për të... pirë kafe | Foto: Atdhe Mulla
Në mungesë të aktiviteteve të tjera, Vitia ofron mjedis të përshtatshëm për të… pirë kafe | Foto: Atdhe Mulla

Debati u mbyll. Asamblistët e LDK-së i bënin presion kryetarit ndoshta pse nuk ishte më i ashpër ndaj opozitës, por përgjigjet që ai u dha pa e ditur se po dëgjohej nga unë ishin mbresëlënëse. Ai duke u vënë dorën në krah e me një mirësjellje të dashur u shpjegonte atyre se në fakt akuzat e opozitës ishin të rëndësishme për atë vetë, për punën e tyre, por edhe mundohej t’i bindte asamblistët e taborit të vet që të mendonin ashtu si ai.

Rugovist e shkuar rugovisti ishte kryetari i Vitisë. Në ftesën për kafe që sipas zakonit e bëjnë të gjithë kryetarët e komunave për ekipin xhirues, kryetari ftoi edhe gjithë opozitën.

Madje secilin prej tyre e dëgjonte me kujdes, përkulte kokën si për të miratuar çkado që ata thoshin dhe i trajtonte me aq shumë respekt sa nuk kisha parë ndonjëherë politikan kaq të sjellshëm.

Ky është vërtetë një virtyt i një njeriu përbashkues, siç mendohet se ka qenë presidenti Rugova. Jo pse nuk ishte “përplasur” me të tjerët, por se kishte ditur që në rrethana të caktuara të bashkohej me ta.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Dhe vërtet, në këto kushte varfërie e korrupsioni s’mund të presim shumë lajme të mira për punë konkrete në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Po na gëzon dhe na jep shpresë sjellja e mirë e njerëzve dhe trajtimi me dinjitet i tjetrit që mungon me të madhe në shoqërinë tonë sot.