‘Vihuela’, shkolla e kitaristëve të ardhshëm (VIDEO)

 

Kitara mbetet një prej instrumenteve më të dashura për të rinjtë dhe fëmijët.

Shumë të rinj me interes për kitarën kanë nisur mësimin te shkolla e muzikës, “Vihuela” në Prishtinë.

Kjo shkollë nisi punën nga viti 2001, në fillim si shkollë e veçante për kitarë. Më vonë shkolla filloi edhe mbajtjen e mësimit për piano, violinë dhe solo këndim.

Për dy dekada shkolla “Vihuela” ka arritur të nxjerrë mbi 750 instrumentistë- kitaristë  të cilët sot janë pjesë e bendeve të ndryshme dhe fitues të çmimeve ndërkombëtare.

Në kuadër të kësaj shkolle organizohen edhe dy festivale të rëndësishme: Festivali i Muzikës për Fëmijë dhe Festivalin Ndërkombëtar për Kitarë.

Naser Dula, themelues dhe drejtues i “Vihuelës” tregon për KALLXO.com se këtë shkollë e frekuentojnë nxënësit prej moshës 7 deri në 18 vjeç.

Sipas tij, shkolla ofron një program të larmishëm mësimor.

“Këtu janë nxënësit që vijnë edhe për muzikën klasike, por nxënës që vijnë edhe për zhanër tjera të muzikës. Është shumë lehtë nëse duan ta mësojnë kitarën, dhe pastaj orientohen pak ka muzika etno, muzika xhaz, pop, e kështu me radhë”, ka thënë ai.

E nxënësit kësaj shkolle janë të kënaqur me kushtet dhe mësimdhënien në këtë shkollë.

Lind Ibishi ka gjashtë muaj që mëson kitarën.

Edhe pse nuk është i përcaktuar nëse do të bëhet një kitarist profesioni, ai thotë se nuk do t’ i ndahet këtij instrumenti.

“Gjithnjë e kam dashur këtë instrument, por kurrë nuk e kam gjet guximin, atëherë dhe kur e gjeta dhe për ditëlindje më dhuruan një kitarë, dhe kështu fillova”, është shprehur ai.

Ai synon të mësojë të luajë edhe në instrumente të tjera.

“Tani jam vetëm me kitarë, por më vonë kisha dashur të mësoj edhe një instrument më tradicional, çiftelinë, p.sh”, ka thënë nxënësi Ibishi nga Prishtina, për KALLXO.com.

Ndërsa, Dina Kaja nga Prishtina thotë se kitara ka qenë pasion i saj që nga mosha shumë e re.

“Ka pasur qejf qysh i ka pasur 5 vjet më shku (mësuar) për kitarë”, ka thënë Dina Kaja., për KALLXO.com.

Ajo ka dy vjet që mëson kitarën në këtë shkollë.

Aktualisht shkolla vazhdon mësimin sipas udhëzimeve të institucioneve për mbrojtje nga COVID-19.

Profesor Dula thotë se shkolla që ai drejton nuk e praktikon mësimin online pasi, siç ka thënë ai, kjo metodë e mësimit doli të jetë e pa efektshme.

“Në muzikë, pa qenë prezent fizikisht nuk mund asgjë të tregohet, sepse një instrument ka shumë metoda të punës se si punohet. Puna pedagogjike dhe metodike gjithmonë varte sipas nxënësit që ka talent, dikush e shpreh në fillim, dikush në mes, prandaj duhet të punohet shumë më shumë intenzivisht me te”, ka thënë Dula.