Ilustrim - Foto: Atdhe Mulla

Veteranët e UÇK-së paralajmërojnë protesta kundër aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit

Ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thonë se do të dalin të protestojnë kundër aktakuzës për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë guerilas, duke i quajtur akuzat një ofendim për luftën e tyre për pavarësi.

 

Për më shumë se dy dekada nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, veterani i luftës Xhevdet Qeriqi ka udhëhequr demonstrata për të kërkuar të drejtat dhe pensionet që ai thotë se ish-shokët e tij të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i meritojnë.

Qeriqi tha se ai tani është gati të dalë përsëri në rrugë pas njoftimit muajin e kaluar se prokurorët e krimeve të luftës kanë ngritur një aktakuzë prej dhjetë pikash në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, duke kërkuar që gjykata të konfirmojë akuzat kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe nëntë ish-guerilasve të tjerë të UÇK-së, përfshirë ish-kryetarin e parlamentit Kadri Veseli.

Aktakuza është e pabazë, e padrejtë dhe politike, këmbënguli Qeriqi. “Për ne, akuzat e tilla janë të papranueshme. Por ata do të dështojnë që të provojnë se UÇK-ja ka kryer krime”, tha ai.

Akuzat shënojnë kulmin e më shumë se tre viteve hetime nga prokurorët e Hagës, detajet e të cilave deri tani janë mbajtur të fshehta.

Presidenti Thaçi i ka hedhur poshtë akuzat si një përpjekje e dëmshme për të hedhur baltë mbi luftës e Kosovës për liri nga shtypja serbe, luftë kjo që u mbështet në fund nga sulmet ajrore të NATO-s në vitin 1999. Ai tha se do të japë dorëheqjen vetëm nëse një gjykatës konfirmon se ai do të dalë në gjyq.

Dhomat e Specializuara të Kosovës u krijuan në vitin 2015 nën një presion të madh nga BE-ja dhe SHBA-ja pas një raporti në vitin 2010 nga raportuesi i Këshillit të Europës Dick Marty, në të cilin ai akuzoi anëtarët e UÇK-së për rrëmbim, vrasje dhe ndalim të paligjshëm të serbëve dhe romëve, si dhe të shqiptarëve të Kosovës që konsideroheshin si kundërshtarë politikë ose bashkëpunëtorë të shtetit serb.

Disa zyrtarë të lartë jugosllavë dhe serbë u dënuan nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë, edhe pse presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç para se të merrej një vendim në gjykimin e tij. Gjyqet e ish-luftëtarëve të UÇK-së janë shoqëruar me kanosje të dëshmitarëve dhe vetëm një person është dënuar që atëherë.

Shqiptarët e Kosovës e konsiderojnë gjykatën të njëanshme

Dhomat e Specializuara të Kosovës – e ashtuquajtura “Gjykatë Speciale” – janë me seli në Hagë dhe stafi i saj përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, por funksionojnë si pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, me mandat të adresojë pretendimet për krime të kryera nga anëtarët e UÇK-së midis viteve 1998 dhe 2000.

Krijimi i Gjykatës Speciale u votua në parlamentin e Kosovës, por shqiptarët e Kosovës, në tërësi, e kundërshtojnë atë.

Nasim Haradinaj, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Kosovës, përsëriti mendimin e mbajtur gjerësisht në vend se gjykata është e njëanshme dhe gjithashtu këmbënguli se javën e ardhme veteranët e luftës dhe ish të burgosurit politikë do të protestojnë kundër aktakuzës.

“Ne nuk do të protestojmë për Thaçin, Veselin apo të tjerët. Ne do të protestojmë për UÇK-në”, tha Haradinaj për BIRN.

“Nuk po kërcënojmë dhe as detyrojmë askënd të protestojë, por duam të shohim se kush interesohet vërtet për vlerat themelore të luftës sonë”, shtoi ai.

Zyrtarët në Dhomat e Specializuara kanë thënë shpesh se do të gjykohen individë, jo UÇK-ja apo lufta e saj.

“Dhomat e Specializuara nuk do të gjykojnë asnjë grup etnik. Ato nuk do të ndjekin penalisht asnjë organizatë. Dhomat e Specializuara do të gjykojnë dhe do të mbajnë përgjegjës vetëm individë”, tha për BIRN në vitin  2017 kryetarja e gjykatës, Ekaterina Trendafilova.

Por Haradinaj tha se nuk ka kuptim të thuhet se UÇK-ja nuk ishte nën sulm.

“E gjithë hierarkia e UÇK-së është atje … i gjithë zinxhiri komandues i UÇK-së po gjykohet”, u shpreh ai.

Prokurorët pretendojnë se Thaçi dhe të tjerë janë “penalisht përgjegjës” për rreth 100 vrasje, si dhe tortura dhe zhdukje me forcë, shumica e të cilave kanë ndodhur pas përfundimit zyrtarisht të luftës.

Disa nga viktimat ishin rekrutë të UÇK-së, të dyshuar si tradhtarë ose që besohet se i përkisnin ose mbështetnin rivalët politikë dhe ushtarak të UÇK-së, veçanërisht partisë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Forcës së Armatosur të Republikës së Kosovës.

Përveç Thaçit dhe Veselit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk janë zbuluar ende emrat e të dyshuarve të tjerë.

Deri më tani, më shumë se 150 ish-anëtarë të UÇK-së janë thirrur për t’u marrë në pyetje si të dyshuar ose dëshmitarë nga prokurorët e Hagës, dhe besohet se aktakuzat e para të konfirmuara nuk janë larg.

Veterani i luftës Xhevdet Qeriqi pohoi se Thaçi dhe të tjerë kanë qenë përgjegjës për shumë keqbërje gjatë viteve të tyre të sundimit të pasluftës në Kosovë, por tha se pavarësisht kësaj, ai do të dalë të protestojë në rrugë, sepse Dhomat e Specializuara nuk duhet të ndjekin penalisht anëtarët e UÇK-së ndërkohë që kriminelët serbë të luftës janë të lirë.

“Ne do të shohim përsëri se besueshmëria e gjykatës po cënohet nga objektivi i saj monoetnik. Drejtësia nuk mund të jetë arritja e saj, sepse për viktimat e vërteta të krimeve të luftës nuk do të ofrohet drejtësi”, tha ai.