Maskë e Karnaveleve të Venecias | Foto: Flickr

Venecia, Zonja e Deteve

I thonë dhe e thërrasin me emra të ndryshëm, herë qyteti lundrues, qyteti i kanaleve, i urave, i dashurisë, qyteti më romantik, qyteti i maskave e herë qyteti më i bukur në botë.

Venecia, apo Venediku, qyteti verior italian, i vendosur në lagunën moçalore veneciane, është krejtësisht unike dhe sharmi i saj ka shumë arsye që i tërheq vizitorët nga bota mbarë. Po sigurisht se ajo edhe është edhe s’është Venecia e panoramave dhe e pamjeve televizive. Numri i madh i turistëve, tollovitë në transportin publik, atë rrugor e ujor, lëvizjet dhe zhurmat e mëdha, jo rrallë i humbin pamjen dhe shpirtin venecian.

Derisa të mbërrish në qytetin lundrues turma të shumta të emigrantëve nga Lindja apo lypës lokalë ta presin rrugën duke të kërkuar një cigare ose të holla, emigrantë të cilët ilegalishit shndërrohen në shitës ambulantë të çantave false ose shitës të lodrave për fëmijë.

Nga rrugët e Mestres përballë, për në kryeqytetin e Republikës Veneciane, raca dhe kombësi nga i tërë globi duket se janë bërë bashkë. Gjuhët po ashtu, siç është edhe qëllimi i turmave që ia mësyjnë sharmit të republikës më të vjetër në histori.

Venecia | Foto nga Pixabay
Venecia | Foto nga Pixabay

Qyteti i lindur nga frika

Ciceronia që anglishten e fliste bukur, por me theks italian, Angela, na thotë se historia e qytetit që do të bëhej një ndër më atraktivët për turistë, ka nisur nga frika. Rrënjët e Venecias datojnë diku në shekullin 5 të erës sonë, me rënien e Perandorisë Romake, atëherë kur barbarë nga veriu i Evropës ia kishin mësyrë ish-territoreve romake.

Kësisoj, për t’u ikur sulmeve, popullsia e kontinentit do të kërkonte strehim në ishujt afër, si në Venecia, Torcello, Lesolo dhe Malamocco. Burrat refugjatë, thotë ciceronja italiane, nisën më pas t’i vendosin familjet përhershëm në hapësirën e lagunës veneciane, larg armiqve të shumtë dhe larg ndikimeve të tjera, duke e nisur kështu historinë e qytetit të kanaleve.

Një thënie në dekoret veneciane thotë se “nëse fiorentinasit njihen si mendimtarë të mëdhenj, venecianët njihen si njerëzit që kanë ngritur me shpejtësi gjithçka nga asgjëja”.

Venediku mesjetar | Pikturë nga Canaletto
Venediku mesjetar | Pikturë nga Canaletto

Shëtitja me gondolë, një detyrim

“Venecia është menduar të shijohet nga uji”, ky përkufizim i thjeshtë është esencial për vizitorët. çdo mikpritës vendor e thotë njëjtë, dhe vërtet, vetëm nëpërmjet ujit që për venecianët vazhdon të mbetet i shenjtë, mund ta kesh pamjen më të bukur të ndërtesave, fasadave, ornamenteve të tjera dhe pamjen e rreth 400 urave mbi kanalet e ishujve. Një shëtitje me gondolë është diçka e pakalueshme për turistët, ndonëse çmimi i huazimit të saj shkon 80-100 euro për gjysmë ore. Gondolierët, jo rastësisht janë ndër punëtorët që në baza vjetore përfitojnë më së shumti nga turizmi, me rreth 100 mijë euro në vit.

Mbretëresha e deteve ose mbretëresha e Adriatikut rron në 118 ishuj, të lidhur përmes urave. Shumë nga ndërtesat e saj thuhet se fillimisht janë ngritur mbi platforma druri. Po të kërkosh në origjinën e krijimit të qyteteve të vjetra, mund të lexosh edhe fakte interesante se shumica e drunjve që shërbyen për të krijuar baza solide për godinat veneciane, janë marrë nga Sllovenia fqinje, Kroacia dhe Mali i Zi.

Vozitje me gondolë në Venecia | Foto: Wikimedia Commons
Vozitje me gondolë në Venecia | Foto: Wikimedia Commons

Rregulli 1: të humbësh në labirinthin venecian

Gjëja e parë që këshilluesit turistik ta thonë për Venecian është një fjali e thjeshtë: “Është bukur të humbësh në Venecia”. “Nëse nuk humb, diçka s’është në rregull!”.

Në qytetin labrint e gjen veten dhe i sheh të tjerët të humbur, edhe kur në duar e ke hartën, tabelat jo të pakta apo mjete të tjera drejtimi, duket se është e pamundur të mos humbasësh ditëve të para.

Nëse të qëllon të pyesësh një vendas pranë kafeneve apo dyqaneve, një përgjigje të ngjashme do e marrësh çdo herë: “You are in Venice!” (Je në Venecia).

Rregulli numër një është i këndshëm, megjithëse mund të jetë sfilitës: “Humb dhe mos u mërzit nëse ke humbur, sepse çdo humbje të zbulon një rrugë të re, diçka të re”, thotë një tabelë në rrugicat veneciane.

Qyteti i maskave

Në secilën rrugë e në secilin qoshk të Venecias ka një dyqan maskash, ose të paktën edhe një shitës ambulantë maskash. Aq të shumta janë dyqanet e maskave e aq të bukura janë ato në Qytetin e Karnavaleve, saqë secili duket ndryshe-ndryshe, megjithëse gati të gjithë kanë të njëjtat produkte, me të vetmin ndryshim cilësinë dhe dizajnin.

Historia e maskave të Venecias është e pasur, aq sa edhe ngjyrat e tyre. Maskat sot, tërheqëse për turistët, dikur nuk ishin vetëm ornamente e as nuk shërbenin vetëm gjatë festivaleve të maskave. Historia na mëson se shoqëria e shtresave të larta veneciane dikur, i përdornin ato edhe në jetën e përditshme, si mbulesë për të humbur identitetin dhe mundësinë e realitetit “pa identitet dhe pa rregulla”.

Përtej, thuhet se figura e mbuluar shpesh zgjidhte jetën e paskrupuj e të pamoralshme nën kallëpin e një maske. Sot maska veneciane, është sinonimi i një kulture dhe i zanatlinjve venecian, dhe një atraksion i jashtëzakonshëm turistik.

Karnavalet e Venecias | Foto: Wikimedia Commons
Karnavalet e Venecias | Foto: Wikimedia Commons

Piazza San Marco, mes rrëfimeve legjendare e historive bizare

Vizitorët e humbur në mesin e bukurive të sheshit San Marco, mund të mos e din se “në asnjë rast” nuk bën të kalohet ndërmjet shtyllave të pallatit kryesor të sheshit, Pallatit të Dukës. I ndërtuar në stilin e arkitekturës gotike veneciane, ndërtesa shërbeu si rezidenca e Dukës së Venecias, autoritetit suprem të Republikës Veneciane.

Godina e një rëndësie të jashtëzakonshme historike, kulturore e arkitekturore, e kthyer në muze në vitin 1923, është një ndër atraksionet kryesore të qytetit.

Por vizitorët e sheshit të Shën Markos, bën me dije ciceronja, mund të mos e dinë atë që çdo banorë venedikas, apo banorët bestytës, e dinë mirë: “Ndërmjet harqeve nuk guxon të kalohet – sjell fat të keq!”. Në shekujt e historisë së Republikës, hapësira ndërmjet harqeve ka shërbuer si hapësirë e ekzekutimeve publike.

Pallati i Dukës është i lidhur edhe me të famshmen Urën e psherëtimave, një prej pjesëve më romantike të Venecias. Ura me gurë të bardhë, e cila kalon mbi Rio di palazzo, e lidh Burgun e ri me dhomën e marrjes në pyetje në Pallatin e Dukës.

Piazza San Marco (Sheshi Shën Marku) | Foto: Flickr

E ndërtuar në vitin 1600 nga Antonio Contino, emrin “Ura e psherëtimave” (Ponte dei sospiri) e ka trashëguar nga shkrimtari anglez Lord Bajron, meqë pamja nga ajo, do të ishte e fundit të cilën të dënuarit do e shihnin para se të nisnin vuajtjen e dënimit.

Psherëtima e tyre e fundit në liri do t’i jepte asaj dekada më vonë, një vend të veçantë kureshtjeje për vizitorët.

Por përveç rrëfimeve bizare, legjenda lokale thotë se të dashuruarve u garantohet dashuri e përjetshme, nëse gjatë perëndimit të diellit qëndrojnë nën urë, të ulur në një gondolë dhe puthen derisa bien këmbanat e bazilikës së Shën Markut.

Legjenda gjithsesi se ka shërbyer si një storie e jashtëzakonshme frymëzimi në literaturë dhe në kinematografi.

Ngjitur me Palazzio Ducale, rri Bazilika e Shën Markut, një nga godinat fetare mahnitëse, në të cilën pikturat e veshura në arë marrin nuanca të ndryshme, varësisht kohës së vizitës.

Një tjetër legjendë lokale thotë se tregtarët venecian në vitin 828 e kishin vjedhur trupin e njërit nga të katërt apostujt, Shën Markut, në Aleksandri, Egjipt. Legjenda vazhdon, ndërkohë që vizitorët e shumtë shijonë pamjet e pikturave monumentale të artistëve si Bellini, Giorgione, Tiziano, Tintoretto, Veronese apo Tiepolo, në mesin e rrëfimeve legjendare.

Pallatet dhe vilat e moçme veneciane shtrihen përgjatë kanalit të madh | Foto: Flickr
Pallatet dhe vilat e moçme veneciane shtrihen përgjatë kanalit të madh | Foto: Flickr

Venecia është e shtrenjtë aq sa është e bukur

Venecia e bukur, si çdo pikë e madhe turistike botërore, është “e bukur” edhe nga xhepi. Një drekë e darkë e zakonshme veneciane është tepër e shtrenjtë, një copë picë, e quajtur “pizzeta” kushton sa një picë e plotë, ndërkaq kafenë zor ta gjesh më lirë se 10 euro.

Pse qyteti është kaq i shtrenjtë është fakti se turizmi aty është shumëfishuar në 15 vitet e fundit, thonë agjensitë turistike. Por jeta e shtrenjtë dhe tollovia e madhe, dhe të 20 milionë turistët që e vizitojnë Venecian në vit, kanë bërë që banorët ta braktisin qytetin, kryesisht si pasojë e ngritjes së çmimit të jetesës, qirasë, ushqimit dhe transportit, por edhe si pasojë e mbylljes së bizneseve dhe mundësive të punësimit, përpos atyre turistike.

Numri i banorëve të Venecias që deri para tri dekadave ishte 120 mijë, sot ka rënë në 55 mijë. Banorët lokalë ankohen se shpirti i qytetit po vdes, por zgjidhjen e këtij problemi nuk e thotë askush.

Franco, burrë i dalë në pension, thotë se “Do të duhej që Venecian ta bëjmë me hyrje, sepse janë turistët shkaktarët e shumicës së telasheve për banorët, rritjes së qirave që afekton rezidentët e përhershëm, dhe janë po ata që po e ndotin qytetin, e edhe ujërat e tij”.

Edhe çmimet e transportit dhe shërbimeve të tjera, nuk janë të njëjta për të gjithë – për turistët çdo gjë është shumëfish se për banorët venecianë.

Çift turistësh në Venecia duke 'përjetësuar' momentin në selfie | Foto: Pixabay
Çift turistësh në Venecia duke ‘përjetësuar’ momentin në selfie | Foto: Pixabay

Me gjasë, me bukurinë e pashoqe veneciane, nuk vjen edhe bujaria.

Venecia, kryeqyteti i Republikës së qetë Veneciane, qendra e një superfuqie politike e tregtare përgjatë shekujve, një superfuqi ndikuese në arkitekturën botërore, shtëpia e eksploruesve mesjetarë siç ishte Marco Polo, shtëpia e dashnorit me famë Casanova, sot është një superfuqi turistike.

Thuhet shpesh se Venecia është një arritje unike artistike.

“Zonja e deteve”, e cila e shtriu ndikim larg përtej lagunës së saj, në Adriatik e në Mediteran, historikisht është konsideruar një lidhje në mes të Lindjes dhe Perëndimit, ndërmjet Islamit dhe Krishterimit, dhe në trupin e së cilës jetojnë pafund monumente dhe dëshmi të së shkuarës.