Varfëria në Drenas: Familja jeton për 40 vjet në barakë

Për katër dekada, familjen e Jeton Ismailit nga Drenasi e ka çelë dita dhe e ka zënë nata në një barakë e cila nuk plotëson asnjë kusht për jetesë.

 

Familja shtatë-anëtarëshe jeton në barakat që gjenden në rrugën ‘Abedin Nika’ afër fabrikës ‘Feronikeli’ në Drenas.

Kryefamiljari ankohet se nuk është i aftë për punë e që mbijetesa me 140 euro nga asistenca sociale është shumë e vështirë.

“Këto baraka që 40 vjet – kundërmojnë kanë erë nga dërrasat, dritaret i kam me llastika se frynë, këtu poshtë është ftoftë”, thotë Ismaili.

Baraka e familjes Ismaili nga Drenasi – Foto: KALLXO.com

Ai thotë se edhe dy djemtë të tij të mitur janë të sëmurë e që tretmani mjekësor është i papërballueshëm për të.

“Kur kam punu në deponia edhe kur s’kam pas, kam shku në shitore, kam marrë veresi, kam punu në deponi, e kam mujt me nxjerr naj dinar[para] kam mujtë me e la borxhin. Por sot që 10 vite dal prapë neper deponia të egra naj hekur a limenkë [kanaçe], plastike e çka të gjej  e tuboj por ato duhet kohë. Në këtë gjendje që jam sot e kam shumë problem. Qe dy muj djalin e dytë e kam smut – ia kam bë analizat, i kanë dal anemik, e kam qu në QKUK i ka marr dy doza gjak, ka nejtë katër ditë e tash çdo dy javë duhet me ia bë analizat. Qato analiza bahen në privatë – 8 euro, 15 euro që unë nuk i kam”, rrëfen ai me lot në sy.

Jeton Ismaili – Foto: KALLXO.com

Ismaili pretendon se Komuna e Drenasit i ka ofruar një marrëveshje për ‘Bonus Banim’, sipas të cilës, banesa paguhet vetëm 50 për qind nga Komuna.

“Më kërkuan me shku atje me bë një marrëveshje me komunën, me m’qit në banesë komuna, 50 për qind me pagu komuna, 50 për qind me pagu unë. Nuk e di sa janë banesat sa janë qiraja, është frika se unë jam i pa punë jetoj më social 140 euro, 30 euro pagujë rrymë e kur të dal në banesë paguj banesën e rrymën, çka po me jetë mu”, tha ai.

Ndërkaq, Komuna e Drenasit në një përgjigje për KALLXO.com ka pohuar se i kanë ofruar këtë marrëveshje/program familjes Ismaili.

“Komuna e Drenasit nuk bën oferta për dhurim të banesës (përjashtimisht banesat e bllokut social që i janë vazhduar kontratat banuesve përmes Kuvendit). Zyrtarët e Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i kanë sqaruar palës programin e bonus banimit që është 50%/50% të pagesës së qirasë së banesës dhe jo dhurim të banesës, kjo duke u bazuar në ligjin Nr.03/L-164 për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit, të Udhëzimit Administrativ nr. 19/2010 për përmbajtjen e bonusit të banimit si dhe Programit Komunal Tre Vjeçar për banim”, thuhet në përgjigjen elektronike të tyre.

Baraka e familjes Ismaili nga Drenasi – Foto: KALLXO.com

Kujtojmë se Drenasi i populluar me rreth 59 mijë banorë, del të jetë mjaft i varfër në krahasim me qytetet e mëdha që kanë numër të madh të banorëve.

Vetëm në muajin gusht të 2019, janë 1 mijë e 94 familje që kanë marrë ndihmë sociale, tregojnë të dhënat e raportit mujor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të siguruara nga BIRN. Po në të njëjtën periudhe kohore, në Pejë, që ka mbi 94,000 banorë, janë 1 mijë e 18 familje që marrin ndihmë sociale.