Të rejat që vërshuan Kuvendin zotohen të punojnë për rininë

Deputetet e reja të Kosovës nën moshën 30 vjeçare, shpalosin angazhimin e tyre politik në mes paragjykimeve, sfidave dhe mënyrës se si e shohin ato politikën.

Ky vit shënon një dekadë që kur Arjeta Fejza filloi aktivitetin e saj politik brenda Lëvizjes Vetëvendosje. 27-vjeçarja e cila ka garuar për deputete në zgjedhjet e 14 shkurtit ka arritur të sigurojë një vend si deputete në Kuvendin e Kosovës.

Për të, duke qenë e angazhuar në politikë për afër 10 vite, jeta e saj politike nuk do të ndryshojë aq shumë nga përvojat e mëparshme.

“Unë nuk e shoh politikën si karrierë dhe do të qëndroj në politikë për sa kohë që mendoj se mund të kontribuoj. Nuk kam plan afatgjatë ose plan B”, tha ajo për KALLXO.com.

Fejza do të jetë në mesin e 44 grave deputete që u votuan më së shumti në këto zgjedhje, nga të cilat 23 janë nga Vetëvendosje dhe “Lista GUXO”. Fejza mori më shumë se 11,600 vota dhe kuota e diskriminimit pozitiv ishte e panevojshme që ajo të siguronte një vend në legjislativ.

Ndonëse ajo këmbëngul se qëllimet e saj nuk do të ndryshojnë gjatë angazhimit politik,  natyrshëm  rutina e saj do të ndryshojë. Ajo tashmë veçse ka pezulluar pozitën e saj si mësuese e Filozofisë dhe Logjikës në gjimnazin Frang Bardhi në Mitrovicë.

Megjithatë, ish-mësimdhënësja e filozofisë thotë se arsimi së bashku me rininë dhe mbështetja për kauzat e grave do të mbeten prioritetet e saj kryesore gjatë punës së saj të re.

Arjetë Fejza, deputete
FOTO- Urim Krasniqi

“Rinia do të jetë prioriteti im” thotë ajo. “Duke qenë nga fusha e arsimit dhe duke qenë afër sistemit problematik me të cilën ndeshen fëmijët tanë, sistem që nuk i profilizon, nuk i avancon, nuk i mbështet në atë që ata duan”, thotë ajo.

Në fokus sipas saj do të jetë krijimi i politikave sociale që ndihmojnë gratë.

“Unë besoj që ne kemi shumë nevojë që të diskutojmë fillimisht, të përkahim vajzat dhe gratë drejt një mundësie të barabartë, me iniciativa konkrete, me qasje më të lehtë në shkollim e punësim”, shton ajo.

Shkalla e papunësisë tek gratë në Kosovë është e lartë. Sipas një raporti të vitit 2020 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vetëm 14.1 përqind e grave në moshë pune janë të punësuara në ekonominë formale.

Sidoqoftë, Fejza beson se ky realitet mund të ndryshojë nëse shtyhen përpara politikat që synojnë avancimin e të drejtave të grave.

“Unë besoj se me politikat gjinore, ne mund të ndikojmë që vajzat të jenë më të angazhuara në institucione duke dhënë bursa – bursa që kanë një fokus gjinor dhe veçanërisht në shkencat natyrore kështu që më vonë ne mund të bëjmë të mundur lidhjen e kësaj me tregun e punës dhe ato  do të ishin më të pavarura ekonomikisht”, thotë ajo.

Për të, të gjitha këto politika janë shkrirë në programin e Vetëvendosjes dhe se arsimi i hershëm dhe hapja e çerdheve të reja janë thelbësore për ta shtyrë këtë program përpara.

Sidoqoftë, Fejza është kritike ndaj partive politike dhe ankohet se gjatë fushatës elektorale ajo pa një qasje ‘diskriminuese’ ndaj grave dhe kandidatëve të rinj.

“Kur shkoja në takime të ndryshme kisha përshtypjen se grave u thuhej ‘politika nuk është për gratë’ dhe pastaj kur takova të rinj gjithashtu kisha përshtypjen se atyre u thuhej gjithashtu ‘politika nuk është për të rinjtë”, thotë ajo.

Sidoqoftë, përkundër domosdoshmërisë së saj për t’u marrë me çështje që përqendrohen te gratë dhe të rinjtë, ajo zotohet të shtyjë përpara edhe çështjen e të drejtave të punëtorëve.

“Prioriteti im tjetër është të merrem me të drejtat e punëtorëve dhe veçanërisht  të sektorit privat.”

Ajo thotë të jetë tronditur nga kushtet e mjera të minatorëve kur ajo i ka vizituar.

“Mua më ka ra rasti të hyjë në Trepçë dhe t’i shoh zhveshtoret dhe banjot e minatorëve. Ka qenë një për gjërave ma të tmerrshme që kam parë në jetën time.  Në vendin ku minatorët lahen ose thajnë rrobat ngjasojnë me burgje e me kampe. Edhe burgjet janë më të mira”, thotë ajo.

“ Ta thejmë patriarkatin

Ndryshe nga ish-mësimdhënësja e filozofisë për të cilën do të jetë hera e parë që do ulet në Kuvendin e Kosovës, për studenten e e Diplomacisë, Fjolla Ujkani, kjo është hera e dytë që bëhet deputete.

24-vjeçarja u zgjodh për herë të parë deputete në zgjedhjet parlamentare të tetorit 2019 kur fitoi rreth 8,000 vota. Ndërsa, në zgjedhjet e 14 shkurtit ajo arriti të rrisë numrin e votuesve duke u votuar mbi 11,300 vota që i siguruan asaj ulësen e deputetes.

Karriera e saj në politikë shkon përtej vitit 2019 pasi në vitin 2017 kur  ishte vetëm 20 vjeç ajo ishte anëtare e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë dhe përfaqësonte Vetëvendosjen.

Sidoqoftë, ajo ndihet e habitur për rrjedhën që ka marrë jeta e saj politike. “ Është i vetmi profesion në të cilin kurrë nuk e kam parë veten, në gjithçka tjetër përveç politikës”, thotë ajo për KALLXO.com.

“Kur jam ndeshur me padrejtësi dhe kur kam filluar të studioj Shkenca Politike e kam parë që mund të ndryshoj diçka përmes politikës. Pasi që kam studiuar Shkenca Politike e kam kuptuar që do merrem me politikë. Por, që do të depërtoj aq shpejt asnjëherë nuk e kam menduar”, thotë ajo.

Fjolla Ujkani deputete
FOTO-Urim Krasniqi

Ujkani thotë se përvoja që ka fituar do ta ndihmojë atë që tani të shtyjë me fuqishëm objektivat e saj. “Edukimi dhe luftimi i patriarkatit në Kosovë do të jenë dy prioritetet e mia në Kuvendin e Kosovës”, thotë ajo.

Duke qenë vetë në mesin e 50 përqind të popullsisë së Kosovës nën moshën 25 vjeç, ajo këmbëngul që shteti duhet të investojë veçanërisht në rini e sidomos në ata që mbarojnë shkollën e mesme. 

Jo vetëm në kuadër të shkollave profesionale po çdo i ri dhe e re që përfundon shkollën e mesme në kuadër të atij profesioni që e sheh të ardhmen të bëjnë praktikë dhe detyrimisht ata të paguhen nga shteti”, thotë ajo.

Ujkani thotë se ka shembuj praktikë se si do të luftojë  papunësinë dhe migrimin drejt perëndimit nga të rinjtë. “Fillimisht të merren me praktikë e pastaj të ndajmë start-ups, të fillojnë biznese dhe me ndihmën e Qeverisë të shtyjnë përpara, e pastaj pse jo edhe të kemi shkëmbime me shtetet e tjera.”

“Për të rinjtë ne do të ndajmë 2 milion euro për 2,000 fillestarë brenda vitit,” thotë ajo. “I gjithë ky interesim për teknologjinë, pse nuk duhet t’i shtyjmë përpara këto iniciativa përpara me subvencione?”, thotë ajo.

Agjencia Shtetërore e Statistikave të Kosovës në një raport për vitin 2019 vuri në pah se 49% e të rinjve ishin të papunë.

Për Ujkanin, politikat gjinore janë realiste pasi gratë shënuan një rekord historik në Kuvendin e Kosovës pasi fituan në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. “Nga fakti që ka një numër të madh të grave në Kuvend me shumicën nga Vetëvendosja, ne do të arrijmë të shtyjmë përpara politikat gjinore”, beson ajo.

Nga 120 deputetë, 11 deputetë i takojnë moshës nën 30 vjeç, nga të cilët 7 janë gra.

24-vjeçarja thotë se do të nxisë projektligjet për nënat vetushqyese dhe kuota prej 50 përqind e përfaqësimit të grave në ndërmarrjet publike dhe institucionet e tjera.

Por, për të ndryshuar këto stereotipe gjinore, Ujkani bazohet edhe në përvojat e saj të rrënjosura gjatë punës së saj ditore.

“Unë që vij nga Vushtrria që është qytet pak më konservator në krahasim me Prishtinën edhe tash ballafaqohem me fjalë të ndryshme të orkestruara nga burrat, fatkeqësisht brenda apo edhe jashtë partisë sime”, thotë ajo.

“Por, përkundër kësaj, duhet të ketë gjithnjë e më shumë vajza që duhet të merren me politikë dhe të shtyjnë përpara kauzën e tyre”, thotë ajo.

Sidoqoftë, përkundër ambicieve dhe rezultateve të saj të jashtëzakonshme në politikë, Ujkani sikurse Fejza nuk e sheh karrierën e saj të lidhur përjetësisht me parti politike.

“Unë nuk garantoj se gjatë gjithë jetës sime do të merrem me politikë, sepse është shumë herët për ta thënë këtë”, thotë ajo. “Nëse një ditë nuk do të merrem me politikë, unë përsëri do të vazhdoj me të njëjtat objektiva me të cilat iu bashkova politikës.”

“Politika për mua nuk është një mjet për të bërë një karrierë, por unë e shoh atë si një mjet që përvojën dhe njohuritë t’ ndaj për me grupe të tjera në mënyrë që të përmirësojnë shoqërinë tonë”, thotë ajo.

KALLXO.com ka kontaktuar dy deputete të reja të Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Adelina Grainca, Floretë Zejnullahu dhe Marigona Geci nga Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, por ato nuk iu përgjigjën thirrjeve për intervista.