Sunny Hill Festival 2024
Sunny Hill 2024, përshtypjet e pjesëmarrësve për festivalin
Edicioni i katërt i Festivalit ‘Sunny Hill’ në Prishtinë, i themeluar nga ylli i muzikës Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa, u mirëprit nga adhuruesit e muzikës, por pati kritika lidhur me çmimet e biletave dhe nevojën për përmirësime në infrastrukturë.
Në këtë edicion të ‘Sunny Hill’ Festival u bë thirrje kundër dhunës me bazë gjinore, me sloganin “Një flamur për të”.
Një rreth flamujsh vjollcë binin në sy në qendër të lokacionit të festivalit në fshatin Bërnicë, në periferi të Prishtinës.
“Po ngremë flamujt vjollcë në protestë dhe në solidaritet, drejt qiejve më të ndritur për gratë e vendit tonë”, shkruhej në sllogan.
Edicioni i vitit 2024 i cili u mbajt nga 25 deri më 28 korrik në tashmë lokacionin e vet, shfaqi nevojën për investime infrastrukturore nga ana e festivalit dhe komunës së Prishtinës.
Pronësia prej 17 hektarëve e lëshuar në shfrytëzim nga Komuna e Prishtinës ofron hapësirë të mjaftueshme për të akomoduar dhjetëra mijëra njerëz, por ka ende punë për t’u bërë në përmirësimin e kushteve, përfshirë infrastrukturën rrugore, ndriçimin, si dhe mirëmbajtjen e zonës së gjelbër për të eliminuar pluhurin.
“Nuk mund ta shpreh mjaftueshëm gëzimin që shoh këtë festival si është bërë gjatë pesë viteve të fundit. Ta shohësh të rritet dhe të bëhet diçka më shumë se ç’mund të kemi ëndërruar ndonjëherë” – shkroi këngëtarja Dua Lipa në X të hënën.
“Ta shohësh gjithë këta njerëz që punojnë pa ndalur ka qenë gjëja më emocionuese/më e bukur/më frymëzuese/më energjike/më stresuese, por edhe më shpërblyese që jam kaq krenare që jam pjesë e saj” – ka shkruar Duar Lipa.
Kritika për Çmimet e Biletave
Çmimi i biletës së rregullt prej 200 eurosh është i lartë për standardin e jetesës në Kosovë. Shumica e blerësve janë të rinj që varen ekonomikisht nga prindërit e tyre.
Blerta, e cila është e punësuar, shprehu se nuk do të kishte blerë biletën me atë çmim nëse nuk do ta kishte fituar në një lojë shpërblyese nga bizneset lokale.
“Nuk do ta kisha blerë kurrë biletën me çmimin e plotë sepse është shumë e shtrenjtë për mua dhe nuk më pëlqen me atë çmim. Duke marrë parasysh ekonominë, shumica janë të rinj të papunë që marrin para nga prindërit e tyre” – shpreh ajo teksa po rrinte ulur në pjesën për pushim.
Në anën tjetër, Blerta u shpreh e kënaqur që festivali ka më shumë hapësirë.
“Në vitet e kaluara, njerëzit më traumatizonin duke më shtyrë, por këtu ka hapësirë dhe nëse lodhem, mund të ulem dhe të pushoj” – tha ajo, duke shprehur kënaqësi që organizatorët kishin rregulluar transportin me autobus, veçanërisht marrë parasysh se lokacioni i festivalit është rreth 10 kilometra larg nga qendra e qytetit.
Ndërkohë, Hana shtoi se priste më shumë artistë të famshëm në këtë edicion.
“Një artist që njohim e që është ndërkombëtare është Bebe Rexha” – theksoi Hana. Ajo gjithashtu pati kritika lidhur me qasjen në alkool për persona të rinj në moshë.
“Duhet të ketë më shumë kontroll. Shumica e njerëzve që pashë duke blerë alkool ishin nën 18 vjeç.”
Vlera, studente, tha se prindërit e saj i blenë biletën.
“Bileta fillestare (believer) ishte 100 euro, e shtrenjtë dhe nuk mendoj se artistët ia vlejnë për atë çmim” – thotë ajo.
Në një intervistë për emisionin Kallxo Përnime, Dukagjin Lipa bëri të ditur se bazuar në edicionet e mëparshme, rreth 45% e blerësve të biletave janë ndërkombëtarë.
“Kemi bërë emër. Kemi listën (line up) ndër më të mirat në Evropë, duke tejkaluar shumë festivale në rajon që kanë ekzistuar për vite” – tha ai, duke shtuar se ndikimi ekonomik i festivalit është rreth 20 milion euro në një javë.
Nevoja për më shumë investime në infrastrukturë
Marrë parasysh se festivali u mbajt për herë të parë në një vend të ri, ndryshe nga tre edicionet e mëparshme që u mbajtën në Parkun e mbrojtur të Gërmisë në kryeqytet, ishte e dukshme nevoja për investime në infrastrukturën shoqëruese.
Rruga gati një kilometër e gjatë që të çonte tek hyrja e festivalit ishte kryesisht e improvizuar, pasi vendi i caktuar për festivalin nuk ishte shfrytëzuar më parë për qarkullim.
Përveç kësaj, mungonte ndriçimi jashtë pronës të festivalit, duke detyruar zyrtarët policorë tek porta të përdornin bateri me dritë për të udhëzuar njerëzit.
Kjo problematikë ishte veçanërisht e dukshme në ditën e parë të festivalit kur pjesëmarrësit nuk ishin të njohur me terrenin dhe nuk ishin të sigurt se ku të prisnin për transport.
Një tjetër problem ishte sasia e pluhurit brenda dhe përreth lokacionit të festivalit.
Komuna e Prishtinës ndihmon financiarisht në organizimin e festivalit. Në vitin 2024, kontribuoi me 100 mijë euro në bashkëpunim me organizatorët. Në edicionet e vitit 2022 dhe 2019, komuna ndau 150 mijë euro për organizimin e festivalit.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të hënën përmes një postimi në Facebook theksoi se për katër netë, Prishtina mirëpriti artistë të klasit botëror dhe vuri në dukje se rinia e vendit është shembullore pasi nuk kishte incidente.
“Rinia jonë më impresionoi përsëri me kulturën dhe pjekurinë e tyre. Dhjetëra mijëra pjesëmarrës dhe asnjë incident. Një rini dhe shoqëri shembullore” – shkroi ai.
Festivali, i themeluar në vitin 2018 nga këngëtarja e famshme botërore me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, dhe babai i saj, Dukagjin, është festivali më i madh i muzikës në Kosovë, që synon të vendosë Kosovën në hartë me një nga festivalet më të mëdha në Evropë.
Ky artikull fillimisht është publikuar në gazetën Prishtina Insight