Srebrenica para gjenocidit: “Kampi më i madh i burgimit në botë”

Srebrenica qe nën rrethim për tre vjet para se të binte në dorë të forcave serbe të Bosnjës në korrik 1995, por njerëzit në enklavë përpiqeshin të jetonin sa më normalisht që ishte e mundur, pavarësisht mungesë së ushqimit, ujit dhe energjisë elektrike.

Emir Suljagiç ra “pa shpresë në dashuri” me të dashurën e tij të parë në verën e vitit 1992, kur vendi ku ai jetonte në atë kohë – Srebrenica – ishte nën rrethim.

“Shkoja në këmbë nga Srebrenica në Potocari një herë në dy ditë për ta parë dhe për të kaluar pak kohë me të. Nuk e kisha problem të kthehesha në mesnatë apo që ishte kohë lufte,” kujton ai.

Në vitin 1992, mijëra refugjatë boshnjakë nga qytetet përreth, të tilla si Vlasenica, Visegradi, Brtaunaci dhe Zvorniku, të cilët ishin pushtuar nga forcat serbe të Bosnjës, u strehuan në Srebrenicë, duke shkaktuar një krizë humanitare. Suljagiç ishte një prej tyre.

Qyteti u rrethua pastaj nga forcat serbe të Bosnjës në maj 1992 – një situatë që vazhdoi për më shumë se tre vjet derisa enklava e mbrojtur nga OKB-ja ra në korrik 1995 dhe filluan vrasjet masive të banorëve të saj boshnjakë.

“Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta përshkruar Srebrenicën e asaj kohe, përveç se ishte si një geto dhe kampi më i madh i përqendrimit nën qiell të hapur, që nuk do të thotë se nuk ka jetë në të… Një komunitet i ri u formua brenda enklavës,” kujton ai përpara 24 vjetorit të masakrave të 1995, të cilat do të përkujtohen të enjten.

Suljagiç tha se dy vitet e para të luftës ishin një “luftë e pastër për mbijetesë” për shkak të mungesës së ushqimit. Më shumë se 60,000.00 boshnjakë – myslimanë boshnjakë – jetonin në Srebrenicë dhe fshatrat përreth në atë kohë.

“Vetëm pas vitit të parë njerëzit vendosën të fillonin të jetonin. Filluan të ndodhin gjëra nga më të ndryshmet. Ne luanim futboll. Është interesante se sa i rëndësishëm është futbolli për shëndetin mendor. Luanim në çdo shesh që gjenim. Sidomos para shkollës. Është pikërisht ai vendi ku u vranë 70-80 vetë në një sulm artilerie në mars të vitit 1993. Ata po luanin ose po shikonin ndeshjen,” tha ai.

Përveç futbollit dhe basketbollit, të cilin ai gjithashtu e luante, Suljagiç kujton se si në vitin 1993 dhe 1994 u organizuan një kinema verore dhe një shoqëri kulturore e artistike, ndërsa gazetari Nihad “Nino” Catiç nisi një gazetë, në të cilën ai gjithashtu botoi fjalët e këngëve të tij.

“Nuk kishte letër, por ne përdorëm atë që kishim, 20 deri në 30 kopje u riprodhuan në formularë komunalë nga koha e Jugosllavisë së para luftës. Nga njëra anë shikonit vargjet e këngëve të Ninos dhe kur e ktheje nga ana tjetër, shikoje një formular të Byrosë për Punësim nga viti 1982 ose 1983”, tha Suljagiç.

Catiç u vra në korrik 1995. Eshtrat e tij nuk janë gjetur kurrë.

Nëna e tij Hajra Catiç, e cila punoi në presidencën e luftës dhe në komunën e Srebrenicës gjatë gjithë luftës, tha se gazeta “Glas Srebrenica” (“Zëri i Sreebrenicës) gjeti lexues entuziastë.

“Këto gazeta u shtypën me një makinë shkrimi duke përdorur letrën që sillja unë nga komuna e atëhershme. Printoheshin vetëm rreth 20 kopje, por ato i lexonin një numër i madh njerëzish. Ato kalonin dorë më dorë midis njerëzve në Srebrenicë, të cilëve u pëlqente të lexonin dhe të zbulonin ndonjë gjë në atë kohë”, tha Catiç.

“Ferri në tokë”

Srebrenica gjatë luftës. Foto: Jeta në Srebrenicë/Facebook, kortezi e Osman Avdiç.

Osman Avdiç e kaloi rininë e tij në enklavë dhe tani po përpiqet të ruajë kujtimet e asaj periudhe duke moderuar një grup në Facebook për të ndarë fotografi nga Srebrenica gjatë kohës së luftës.

Në vitin 1993, tha Avdiç, problemi më i madh në enklavë ishte ushqimi, sepse ndihma humanitare vinte vetëm një herë në dy muaj.

“Nuk kishte ushqim të mjaftueshëm, as energji elektrike. Njerëzit filluan të improvizonin. A ta filluan të krijojnë termocentrale të vogla,” shpjegoi ai.

“Uji ishte gjithashtu shumë i keq. Ata filluan të ndërtonin disa tubacione, por uji mund të përdorej vetëm për të larë. Duhej mbushur çdo ditë ujë për të pirë. Kishte një mungesë të furnizimeve të higjienës,” shtoi ai.

Disa banorë të Srebrenicës filluan të rritin ushqimin e tyre për të përballuar mungesat.

“Në vitin 1994, familja ime filloi të mbillte misër, sepse ndihma humanitare ishte e pamjaftueshme. Nuk kishte pothuajse asgjë tjetër, ndoshta disa fasule. Nuk e di saktësisht kur filluan shpërndarjen e farave në ndihmat humanitare. Disa shkuan pak më tej dhe shkëmbenin diçka në këmbim të ushqimit posë merrnin ushqime nga të afërmit e tyre gjetkë,” tha Avdiç.

Në prill të vitit 1993, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e kishte shpallur enklavën e Srebrenicës një “zonë të sigurt” dhe më pas atje u vendosën paqeruajtës kanadezë e holandezë.

Roli i tyre ishte të çmilitarizonin Srebrenicën dhe të ndihmonin me dërgesat humanitare në enklavë, e cila ishte e rrethuar tërësisht nga forcat serbe të Bosnjës nga njëra anë dhe kufiri serb nga ana tjetër.

Avdiç ndërkohë kujton se paqeruajtësit e OKB-së gjithashtu organizuan evnte shoqërore, për shembull turne futbolli.

Një ushtar i Batalionit Holandez të OKB-së, Martin Bakker, tha për BIRN se kur arriti në Srebrenicë, mendoi se ai vend ishte “ferri në tokë”.

“Mbaj mend që pashë karvanin e parë me ushqime. Ishin rreth 1000 refugjatë që prisnin ushqim. Kjo është diçka që nuk do ta harroj kurrë,” kujton Bakker.

Megjithatë, Bakker tha se gjithashtu kishte disa kujtime të këndshme. Ai kujton një djalë që vinte në Potocarin aty pranë, ku ndodheshin trupat e OKB-së, dhe ndiqte ushtarët në patrullat e tyre.

“Një ditë më kërkoi t’i jepja aparatin tim fotografik që të mund të fotografonte familjen e tij. Ia dhashë aparatin dhe ai i nxori fotografi. E lava filmin, por kur u ktheva nga leja në Holandë, djali nuk ishte më atje”, tha ai.

“Pas vitit 1995, pyeta vazhdimisht për djaloshin dhe më vinte keq sepse ai nuk i mori kurrë fotografitë e tij. Vitin e kaluar i publikova ato fotografi në grupin që ka në Facebook Avdiçi. Një ditë më vonë mora një mesazh nga një burrë. E gjeta pas 25 vjetësh. Këtë vit, do t’ia jap fotografitë në Potocari”, shtoi ai.

Ndërhyrje kirurgjikale pa anestezi

Kurimi i një viktime të plagosur në enklavën e rrethuar. Foto: Jeta në Srebrenicë/Facebook, kortezi e Osman Avdiç.

Kolegu i Bakker nga Batalioni Holandez, Gerry Kremer, kujton se si ai ishte dëshmitar i “shtëpive të shkatërruara, erës së zjarrit dhe njerëzve pa asgjë që endeshin nëpër rrugë” pasi mbërriti në Srebrenicë në shkurt të vitit 1995.

“Gjëja më e tmerrshme që pashë ishin bombardimet e Srebrenicës nga forcat serbe, ose në fakt pasojat e atij bombardimi, tha ai.

Kremer punonte në Srebrenicë si mjek me mjekët vendas Ilijaz Pilav dhe Fatima Klempiç.

“Jam i lumtur që munda të ndihmoja djalin nëntëvjeçar Husein Memiseviç, i cili u plagos në një sulm artilerie. Ai u qëllua në krahë dhe arrita ta operoja në ato kushte dhe ta ndihmoja,” tha Kremer.

Emir Suljagiç gjithashtu kujton përpjekjet e guximshme të mjekëve për të shpëtuar sa më shumë njerëz që ishte e mundur.

“Spitali as nuk kishte as ilaçet bazë. Heronjtë e mi në vitin e parë dhe të dytë të rrethimit ishin njerëz si Ilijaz Pilav dhe Fatima Klempiç; njerëz që amputuan këmbë pa anestezi, por që u mundësuan shumë njerëzve të qëndronin gjallë,” tha Suljagiç.

Avdiç, i cili humbi tre vjet të shkollës së mesme në Srebrenicën e rrethuar, tha se të rinjtë në enklavë u përpoqën të ruanin njëfarë jete shoqërore pavarësisht nga situata.

“Kishte disa festime, mbrëmje vallëzimi, mbledhje në atë periudhë. Çdo muaj organizohej diçka, qoftë gara me kuaj ose ndonjë gjë e ngjashme”, tha ai.

“Më kujtohet se në vitin 1994 njerëzit përdornin energjinë elektrike që prodhonin për televizorin dhe shikonin kampionatin botëror të futbollit në Amerikë. Arrita të shikoja tre ose katër ndeshje, rreth 20 minuta secila, sepse sinjali televiziv ishte i cilësisë së dobët”, shtoi ai.

Megjithatë, njerëzit kishin frikë të mblidheshin në “geton e Srebrenicës” për shkak të mundësisë së sulmit, tha Suljagiç. Një nga mënyrat e tyre për të larguar stresin ishte alkooli.

“Njerëzit pinin shumë. Ishte raki e cilësisë së keqe. Disa mund ta kenë problem që po e them këtë, por kjo është e vërtetë. Nuk kishe nevojë për një arsye të veçantë për të pirë në Srebrenicë”, kujton ai.

Por myslimanët në Srebrenicë gjithashtu faleshin shumë, tha ai – “në të njëjtën kohë, njerëzit pinin dhe besonin shumë”.