Shyqyri Sahatçiu, orëndreqësi nga Gjilani, Foto: KALLXO.com

Shyqyri Sahatçiu, orëndreqësi që ndryshoi mbiemrin për hir të profesionit

Mbiemrin e familjes e kishte Qerimi, por Shyqyriu vendosi 20 vjet më parë ta ndryshojë atë në Sahatçiu për shkak të profesionit.

Shyqyri Sahatçiu, 71 vjeç, gjithë jetën e tij ia ka kushtuar rregullimit të orëve.

“Unë këtë punë e kam ba qysh si fëmijë. Prej moshës 7-8 vjeç kam fillu me punu”, ka thënë Sahatçiu.

Punën e orëndreqësit, Sahatçiu nuk e ka trashëguar as nga babai e as nga gjyshi. Ai tregon se axha i tij kishte një orë të xhepit për të cilën si fëmijë ka qenë shumë kureshtar për të ditur se si funksionon ajo.

“Më kapi meraku se çka po e bon me lëvizë atë orë. Prej aty dalngadalë fillova me u marrë me këtë profesion”, ka rrëfyer orëndreqësi Sahatçiu.

Sahatçiu mban mend se kur ai ka qenë fëmijë, në fshatin e tij të lindjes, në Llashticë të Gjilanit, ka pasur disa dyqane [kooperativa] të cilat kanë shitur orë. Për të zotëruar profesionin për të cilin tashmë kishte nisur rrugëtimin, Sahatçiu merrte nëpër këto dyqane orët e prishura dhe i rregullonte pa fituar asnjë cent.

“Iu prisheshin atyre e unë i marrsha ato orë edhe i rregulloja mirëpo pa pare se isha i ri, veç sa me u mësu”, tregoi me nostalgji ai.

Shyqyri Sahatçiu, orëndreqësi nga Gjilani në dyqanin e tij, Foto: KALLXO.com

Teksa po shpaloste kujtimet e tij të hapave të parë si orëndreqës, Sahatçiu rrethohej prej orëve në të gjitha anët në dyqanin e tij të vogël në qendër të Gjilanit.

Dyqanin që tashmë i mbush 50 vjet, ai e ka hapur në vitin 1970, pasi ishte kthyer nga Zvicra.

“Atje kam marrë pjesë në zeje për orë. Kam ble makina, aparatura për pastrimin e orëve, për rregullimin e orëve, plus pjesë rezervë pra mjetet e punës”, tha orëndreqësi nga Gjilani.

Edhe pse ka 6 vjet që ka dalë në pension, Sahatçiu nuk ka hequr dorë nga ushtrimi i profesionit.

“Kam dalë në pension mirëpo po punoj pasi po kam mundësi e mos me nejtë”, tregoi ai.

Fundi i epokës së orëve mekanike

Derisa Sahatçiu filloi të flas për epokën e orëve mekanike, orët e drurit të vendosura në mur ia ndërprenë fjalën.

“Ding-dong”, “Ding-dong”, “Ding-dong” … orët e sinkronizuara po shënonin orën 16:00.

Pasi orët u ndalën, Sahatçiu vazhdoi duke treguar se në të kaluarën ka pasur më shumë punë me orët mekanike ndërsa tash ka ardhë koha e orëve me bateri, atyre digjitale dhe automatike.

“Atëherë ka pas punë por ka pas më shumë punë me orë mekanike nuk ka pas orë sikur tash që po vijnë orë me bateria por ka pas orë mekanike me akordim. Se tash kanë fillu me dalë më shumë me bateria”, tregoi ai.

Sipas Sahatçiut, orët mekanike janë më të qëndrueshme dhe më të forta se orët me bateri.

“Prej vitit 1975 filluan me dalë orët digjitale me ekran mirëpo dalë ngadalë prej vitit 1975 e deri më tash veç u mbushën dyqanet me orë me bateria”, tha ai.

Sahatçiu tha se kur njerëzit kanë pasur orë mekanike nuk ka pasur zgjidhje tjetër pos ta dërgojnë te orëndreqësi.

Orët e murit, Foto: KALLXO.com

“Në atë kohë kanë ardhë shumë me rregullu orët se orët kanë qenë mekanike dhe nuk ka pasur tjetër rrugëdalje, iu ka këput federi, e ka thy çelësin”, theksoi orëndreqësi.

Përpos që rregullon orët mekanike, orët me bateria, ndërron pjesët e thyera e të prishura, Sahatçiu nga Gjilani ka filluar të merret edhe me punimin e çelësave të makinave.

Për shkak që ka filluar të pakohet me orët mekanike, Sahatçiu e ka zëvendësuar me çelësa të makinave.

“Përveç orëve unë merrem edhe me rregullimin e çelësave të makinës, i kam të gjitha aparaturat. Po duhet me shku me kohën, atëherë kemi qenë me orë mekanike, tash ka orë digjitale, kronograf prej aty nisa me punu edhe me çelësa të makinave”, tha duke qeshur Sahatçiu.

Edhe pse epoka e orëve mekanike është drejt fundit, Sahatçiu tregon se në dyqanin e tij për të rregulluar orët vijnë edhe nga qytetet e tjera të Kosovës.

“Unë jam i vetmi për momentin që punoj orë mekanike dhe orët e vjetra, vijnë prej Preshevës, Bujanocit, prej Gjakovës vijnë, prej Prishtinës edhe prej Mitrovicës kanë pru orë me ndreq këtu”, ka rrëfyer Sahatçiu.

Koleksioni i orëve mbi 100 vjeçare

Në dyqanin e Sahatçiut gjenden mbi 15 orë të murit ndër të cilat është ka të vjetra deri në 100 vjet. Ndërsa ka treguar se në shtëpi, në koleksionin e tij personal e mban një orë të murit mbi 150 vjeçare. Sa i përket orëve të dorës, Sahatçiu në koleksionin e tij ka orë “Omega” e “Zenit” që janë mbi 50 vjet.

“I kam orët e murit që janë mbi 100 vjet, njëra prej tyre është që prej kohës së Turqisë që i ka mbi 150 vjet, atë e ruaj në shtëpi. Kam orë të xhepit që janë mbi 110 vjet të vjetra”, tha Sahatçiu.

Disa prej këtyre orëve, Sahatçiu ka thënë se i ka blerë prej klientëve. Në këmbim të orëve të vjetra, ai u ka dhënë klientëve ora më të reja.

“Unë i kam ble, se vjen dikush thotë nuk po më nevojitet kjo orë po kam dëshirë me shit tani unë i marr prej tyre. I marr për 30, 40, 50 euro. Ose vjen dikush thotë ma gjej një orë të dorës dhe po ta jap unë orën e vjetër tani unë ia jap një orë”, tregoi Sahatçiu.

Orët e dorës, Foto: KALLXO.com

Derisa Sahatçiu po shëtiste në dyqanin e tij të vogël duke na treguar orët e tij shumë vjeçare, një klient hapi derën, “Puna e mbarë. E kam pru një orë të babës me ndreqe”, tha Nazim Agaj.

Agaj tha se babai i tij nuk ndihet rahat kur nuk e ka orën në dorë ndërsa për vete tha që nuk është marakli i orëve. Këtë ai ia la si faj teknologjisë e posaçërisht telefonit.

“Problemi është që tash kanë ra telefonat e nuk po vendosim më ora e nuk po iu kushtojmë rëndësi. Se sa e bi me rregullu një orë të murit që ndoshta kushton deri në 10 euro unë shkoj e blej një orë që mundesh me gjet ma lirë. Nuk jam marakli i orave”, ka shpjeguar Agaj.

Agaj më tej tregoi se në mendjen e tij si fëmijë, Sahatçiun gjithmonë e kujton me llupën e vendosur në sy, të cilën e ka pajisje të pazëvendësueshme për rregullimin e orëve.

“Axhën Shyqë krejt e njohin si ai njeri me llupë, unë e maj mend sa herë që kam ardhë ky e ka pas të vendosur llupën në sy tu i rregullu orët”, përfundoi Agaj.

Sahatçiu përshëndeti Agajn duke e njoftuar se orën e babait mund të vinte ta merrte pasi ta rregullonte.

Nata tashmë kishte aguar në Gjilan. Sahatçiu ndali dritat, aparaturat, mbylli derën e dyqanit, për t’iu kthyer përsëri të nesërmen.