Shpërthimi i kulturës së video-lojërave në Kosovë

Me rritjen e industrisë të video lojrave, orët e kaluara duke luajtur lojëra kompjuterike kanë filluar të bëhen fitimprurëse për disa nga lojtarët më të përkushtuar në Kosovë.


Artan Meniqi ishte i gëzuar kur vëllai i tij i madh kishte hequr dorë nga loja Counter-Strike, duke liruar kështu kompjuterin e vetëm të familjes dhe duke i dhënë atij më shumë kohë për të luajtur lojën e njejtë.

21-vjeçari nga Vushtrria kishte filluar të luante që nga viti 2005, ende pa i mbushur gjashtë vite. Pasioni për lojëra atij i ka mundësuar disa fitime nëpër turne të ndryshme, një punë si komentator i lojërave elektronike dhe së fundmi një bursë studimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Sidoqoftë, dashuria e Artanit për lojërat kompjuterike nuk u mirëkuptua gjithmonë nga familja e tij që e konsideronin si kohë të humbur. Teksa nëna e tij i thoshte se nga lojërat “nuk ka bukë”, ai kujton me një buzëqeshje që babai i tij shpesh kërcënonte se do ta thyente kompjuterin e dhomës së tij.

Foto: Artan Meniqi.

Për t’u shmangur nga këto rrethana, në fëmijërinë e tij, Artani kalonte kohë edhe nëpër qendra të ndryshme të lojërave, ku monitorë të shumtë të lidhur mes vete, mundësojnë lojëra me më shumë lojtarë. 

‘‘Gaming Center është një ambient i mirë për të luajtur’’, thotë ai për Prishtina Insight. ‘‘Aty ke ma shumë liri sesa në shtëpi ku nuk munesh me i shfry emocionet tua – me bërtitë ose me i mshu tavolinës, se munesh me e zgju dikan prej gjumi ose diçka tjetër me pengu’’.

Pasioni i tij për Counter Strike nuk u shua kurrë, ai ka regjistruar mbi 5 mijë orë në versionin e ri të kësaj loje; Counter-Strike: Global Offensive, ose CS: GO. Dhe, së fundmi, Artani është angazhuar si komentator i kësaj loje në platformën ArtMotion e cila transmeton turnetë dhe ligat ku për çmime qindra – mijërash dollarësh, garojnë ekipet më të mëdha në botë të kësaj loje. 

Kurse, nivele afërsisht të tilla kanë filluar të zhvillohen edhe në Kosovë, ku javë më parë platforma Gjirafa50 kishte organizuar turneun më të madh në Kosovë të CS:GO, me të drejtë pjesëmarrjeje të ekipeve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, ku ekipet garuan për çmimin prej 25 mijë eurosh. Finalja e cila u luajt nga dy ekipe nga Kosova, Eagles dhe BLINK, pa këta të fundit si fitues të turneut. 

Kjo skuadër është njëherish edhe skuadra më e suksesshme shqiptare në CS:GO dhe renditet në mesin e 60 ekipeve më të mira globale. Kurse së fundmi, BLINK janë ftuar të jenë pjesë e ESEA Premier të sezonit të 37 – një ligë ku garojnë ekipet më të forta të botës në CS:GO ku çmimi për këtë garë është 50 mijë dollarë.

Ndërkaq, një lojë e re e quajtur “VALORANT” ka filluar të hapë dyert edhe për Artanin, lojë me të cilën, verën e kaluar, ai fitoi rreth 200 euro pasi ekipi i tij arriti vendin e tretë në një turne të organizuar nga Albanian eSports Association, këto ishin fitimet e tij të para nga lojërat.

Së fundmi, Universiteti Mars Hill, një kolegj i arteve liberale në Karolinën e Veriut, i ofroi Meniqit një bursë katër vjeçare, dhe nga gushti i këtij viti ai do të jetë në SH.B.A për të  studiuar dizajn grafik dhe krahas studimeve, ai do ta reprezanton universitetin në lojën VALORANT. 

Ai shpreson që, përveç arsimimit, atje do ta ketë edhe një mundësi për karrierë si lojtar në këtë lojë. ‘‘Nëse e kallxoj veten, organizatat atje normalisht e kanë vëmendjen te young stars (yjet e rinj)’’, thotë ai.  ‘‘Pas 2-3 vjete mundem me lu në një top ekip dhe me përfaqësu edhe Kosovën’’.

Për Artanin, ky është një hap i madh drejt përmbushjes së një ambicieje të përjetshme. “Më ka ardhë një rast shumë i mirë, se prej që e mbaj veten në mend e kam andërr me u bo progamer, dhe tash e kam një shans drejt qasaj’’,  thotë ai për Prishtina Insight, me një vetëbesim të theksueshëm në zërin e tij. Dukshëm, vitet e kaluara në kompjuterin e shtëpisë dhe qendrat e lojërave, për ‘‘mjpinkman’’ emër me të cilin Artani prezentohet si lojtar, kanë filluar të paguhen.  

Ndërtimi i një komuniteti të lojtarëve

Artani është vetëm një nga shumë të rinj, jeta e të cilit është formuar përmes lojërave kompjuterike. 

Nëpërmjet lojërave është rritur edhe Besnik Thaqi nga Prizreni, i cili për shkak të pasionit për lojëra dhe teknologjinë e kësaj industrie, kohë më parë la studimet për mjekësi për vazhduar të studiojë për Inovacion dhe Ndërmarrësi në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë në Prishtinë.

Ai thotë se nuk i pëlqente një profesion tradicional sikur mjekësia dhe donte ta ndiqte pasionin e tij të vërtetë.  

Aventurat e tij si i pasionuar pas lojërave i kishte nisur që nga viti 2003 në lojëra të ndryshme të asaj kohe në Nintendio si; Dokey Kong, Mario, para se të kalonte në lojërat PC si Warcraft, Dota, Dota2 e të tjera.

Besnik Thaqi nga Prizreni. Foto: Agan Kosumi.

‘‘Puna e shpirtit garues më ka shty me lujtë. Të paktën për mu ka qenë puna e shpirtit garues, shpirtit kompetitiv që i thojnë, – që don me fitu edhe me tregu që je më i forti’’, thotë Besniku, i cili, përpjekjet e tij ndërkombëtare i filloi shumë më herët sesa Artani. Në vitin 2012, ai, së bashku me katër bashkëlojtarë tjerë DOTA 2 morën pjesë në turneun ESWC Paris Games Week në Paris. 

Katër vite më vonë, ai themeloi organizatën për komunitetin e “gamer”-ëve në Kosovë XPortal ESports që zhvillon shumë aktivitete dhe sjell më të rejat rreth lojërave elektronike dhe mbështet lojtarë të rinj të talentuar. 

Besniku thotë se këtë organizatë e themeloi për t’i ofruar të rinjve atë që atij dhe gjeneratës së tij i mungonte si vite më parë si fëmijë të apasionuar pas lojërave. Që atëherë XPortal ka organizuar më shumë se 30 evente të ndryshme dhe ka ndihmuar të rinjtë nga Kosova të marrin pjesë në ngjarje dhe turne në të gjithë botën, nga Brazili në Tajvan.

Megjithatë, udhëtimet jashtë shtetit për lojtarët e rinj nga Kosova nuk ka qenë gjithmonë një mision i lehtë. Si për Thaqin ashtu edhe për lojtarët e tjerë të rinj, regjimi i rreptë i vizave i vendosur për qytetarët e Kosovës shpesh u ka shkaktuar probleme.

“Në një rast kemi pasur ta nisim një ekip të CS: GO për në Kroaci cili po” kujton ai. “Është dashur t’i kontaktojmë nikoqirët për shtyrjen e afatit të konfirmimit dhe të kërkojmë nga ta që të mos skualifikohet ekipi për shkak të vonesave në marrjen e vizave.”

Shoqëria dhe stereotipet

Ndërsa industria video lojrave po rritet përmes popullarizimit të saj, madje duke ofruar edhe mundësi profesionale për lojtarët e talentuar, ekspertët paralajmërojnë se ka një anë tjetër për orët e kaluara pranë kompjuterit duke luajtur këto lojëra.

Në vitin 2018, Organizata Botërore e Shëndetësisë njohu varësinë nga lojërat kompjuterike si një ‘çrregullim’, ndërsa janë ngritur edhe shqetësime në lidhje me nivelin e dhunës që  ekspozon tek fëmijët. 

Sociologu Ferdi Kamberi. Foto: Halim Kafexholli.

Ferdi Kamberi, një sociolog që ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, identifikon dy kategori të lojërave. “Së pari, ka lojëra strategjike që mund të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e inteligjencës dhe trurit,” i thotë për Prishtina Insight. “Por nga ana tjetër, teori të ndryshme sociologjike kanë gjetur një korrelacion midis rritjes së agresivitetit dhe dhunës te lojërat e dhunshme’’. 

Thaqi e pranon që lojërat  mund të prodhojnë zhgënjim, por ai insiston që ato nuk transmetohen botën e jashtme. “Është e vërtetë që brenda lojës mundesh me pasë nervozë e frustrim kur gjanat nuk shkojnë qysh don ti, por nuk përcjellet qajo jashtë, nuk besoj dhe nuk njoh rast’’, thotë ai. 

Ndërkohë, pandemia e vazhdueshme me COVID-19 ku ka detyruar njerëzit të qëndrojnë më shumë kohë brenda shtëpive, ka çuar në rritje të shitjeve të industrisë së këtyre lojërave. Sidoqoftë, Thaqi këmbëngul se video-lojërat janë kryesisht një aktivitet shoqëror, dhe se stereotipet për të qenë një botë introverte janë të gabuara.

Si për Besnikun ashtu edhe për Artanin, orët e gjata të qëndrimit së bashku me lojtarë të tjerë për vite me radhë kanë krijuar lidhje të forta dhe miqësi të gjata. “Shumicën e shokëve, edhe prej atyre që i kam mbi dhjetë vjet, fillesën e shoqërisë e kemi prej gamingut’’, thotë Besniku. ‘‘Edhe shumica e gamerave shoqërinë e kanë prej lojrave’’.

 

Ky shkrim fillimisht është publikuar në Prishtina Insight në gjuhën angleze.