Kapka Kassabova. Foto: slowking4/Wikimedia Commons

Shkrimtarja nga Ballkani Paralajmëron Përsëritjen e Historisë me Kufijtë

Shkrimtarja bullgare Kapka Kassabova, libri i të cilës “Kufiri: Një udhëtim në buzë të Europës” ka impresionuar thellësisht lexuesit në Britani dhe që u shfaq në BBC, i tha BIRN-it se historia përsëritet dhe se kufiri është vendi ku ky efekt pasqyrë është më i dukshëm.

Shkrimtarja, e cila jeton tani në Skoci, kaloi tre vjet duke u endur në botën e egër në kufijtë e Bullgarisë, Turqisë dhe Greqisë, një rajon i pasur me histori, kultura të lashta dhe misticizëm dhe që mban sekrete të errëta nga koha kur përbënte kufirin mes Lindjes dhe Perëndimit gjatë periudhës së Perdes së Hekurt.

Rezultati është një kujtim i gjallë udhëtimit që bashkon historitë e “njerëzve të kufirit”, përfshirë një ish-roje kufiri i cili gjurmonte “diversionistët” gjatë Luftës së Ftohtë, pomakë të shtypur (një minoritet mysliman sllav), refugjatë që i largohen Shtetit Islamik dhe të tjerë “që mbajnë shenjat e kufirit”.

Por “Kufiri” gjithashtu tregon një histori më të gjerë të rajonit malor Strandzha, që shtrihet nga fushat e Thrakisë deri në Detin e Zi.

“Një libër i shkëlqyer rreth një pjese magjike të botës… Tregon më qartë se gjithçka tjetër që kam lexuar për kufirin nga njerëzit që kanë jetuar përgjatë tij dhe shpreh se si vazhdon trashëgimia”, shkroi shkrimtari dhe historiani Mark Mazover në analizën e librit për Guardian.

“Brezi im u rrit në hije të këtij kufiri mizor. Ishte vërtet një Perde e Hekurt. Fjala kufi ishte tabu – diçka që askush nuk mund ta kalonte, por diçka që as edhe mund t’i afroheshe. Vullneti për ta kaluar kufirin kishte një efekt formativ mbi mua”, kujton Kassabova, e cila lindi në vitet 1970 në kohën e regjimit komunist bullgar.

Ajo kujton misterin e zonës së mbrojtur fuqishëm, ku qytetet, fshatrat, malet dhe lumenjtë nuk mund të arriheshin.

Të dhënat variojnë mbi faktin se sa njerëz – bullgarë dhe shtetas të tjerë nga vende të Paktit të Varshavës – humbën jetën nga të shtënat e kufirit bullgar ndërsa përpiqeshin t’ia mbathnin ilegalisht për të hyrë në vendet anëtare të NATO-s si Greqia dhe Turqia.

“Shkova në kufi për të shkruar këtë libër me shumë emocione – trishtim, zemërim që ky kufi na kishte ndarë – dhe jo vetëm nga vendet fqinje; ai kishte krijuar përçarje në vendin tonë”, thotë Kassabova.

Kufiri bullgar

Ajo shpjegoi se ndërsa libri i saj ofron një formë të udhëtimit në kohë në të shkuarën e afërt dhe në kohë më të kaluara, është gjithashtu një histori rreth të tashmes dhe të ardhmes.

“Historia e këtij kufiri është gjallë dhe ne jemi pjesë e tij”, thotë Kassabova, duke theksuar se refugjatët që tani po largohen nga konflikte të Lindjes së Mesme dhe që e përdorin kufirin bullgaro-turk për të hyrë në Europë janë një shembull i kësaj.

“Refugjatët sot po përdorin të njëjtin korridor si bashkëatdhetarët e mi nga Europa Lindore – por në drejtim të kundërt. Korridoret mbeten, vetëm drejtimet ndryshojnë”, thotë ajo.

Njëkohësisht, për shkak të mungesës së zhvillimit në kufirin rajonal në 25 vite që nga tranzicioni në demokraci, disa njerëz ndihen nostalgjikë për “kufirin e ashpër”.

“Njerëzit vuajnë shumë nga depopullimi i atyre fshatrave, dikur shumë të bukura dhe të begata. Shumë prej njerëzve në ato vende janë në vakuum, çdo e dyta shtëpi është e zbrazët. Ndjesia është ajo e një post-apokalipsi”, thekson Kassabova.

“Kjo provokon nostalgji për kohët që ishin po aq të shëmtuara sa vendasit. Ata që ishin të fortë mjaftueshëm për të duruar të vërtetën e kanë kuptuar por për të tjerë… kufiri ka mbetur i ndërtuar brenda tyre”, shton ajo.

Ndërsa kufiri bullgar shpesh lidhet me dhunën dhe brutalitetin, shkrimtarja shpjegon se jo të gjitha tregimet nga kufiri janë të trishtuara.

“Kufiri është një vend shumë kreativ, ku njerëzit kanë nevojë për shumë energji krijuese për të mbijetuar – jo vetëm refugjatët, por edhe njerëzit që jetojnë aty dhe që mbajnë plagët e kufirit”, thotë ajo.

Kjo është arsyeja pse ajo është e bindur se kujtimet e “popullit të kufirit”, shumë prej të cilëve së shpejti nuk do të jetojnë më, duhet të ruhet dhe të ritregohet. Ata ruajnë historinë dhe kulturën e një rajoni “ku jehona e së kaluarës tingëllon përmes dialektit grek që njerëzit përdorin në disa fshatra” ndër të tjera.

“Doja të mblidhja të gjithë këtë si një mozaik shumëngjyrësh, si ai që ne jemi, në Ballkan. Tashmë jemi përzier dhe ky është fati ynë. Nuk ka fat më të madh se kultura dhe natyra. Kjo është arsyeja përse duhet ta ruajmë atë”, shpjegon ajo.

Sipas Kassabovës, disa lexues në Mbretërinë e Bashkuar e panë librin e saj të ri si të rëndësishëm veçanërisht teksa fillonin të shqetësoheshin për të ardhmen e kufijve të tyre pas Brexit.

“Historia e kufirit të Lindjes së largët të Europës provokon mendime në vendin ku shumica e kufirit Perëndimor të BE-së u krijua”, vëzhgon ajo.

“Mësimi që mora nga ky udhëtim është se nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të humbasim çfarë është më e rëndësishme për neve – lidhjet mes nesh – diçka që kufijtë do të përpiqen ta shkatërrojnë duke na ndarë”, thotë ajo.

Ajo shpreson se më shumë njerëz dhe politikanë që marrin vendime të rëndësishme nga qendra pa e ditur dhe kuptuar periferinë, do ta lexojnë rrëfimin e saj.

“Nëse ato histori të rëndësishme nuk thuhen në kohë, do të futemi në një cikël të pafund brenge, vuajtje dhe përçarjeje mes njerëzve”, paralajmëron ajo.