Sfidat për pushim mjekësor për stafin teknik shkollor me sëmundje kronike

Punëtori teknik i shkollës së Mesme Profesionale në Shtime, Hajrush Ajeti i cili vuan nga sëmundja e mushkërive, para dy javësh ishte ankuar se po kërkon pushim mjekësor me pagesë nga Drejtoria e Arsimit, por të njëjtit nuk po e merrnin parasysh kërkesën e tij.

Në këtë situatë pandemike, pas shumë kërkesash, dërgimit të raporteve mjekësore, ardhje-vajtjet e lutjeve në komunën e Shtimes, atij i është pranuar kërkesa.

“Po kam bërë kërkesë në Drejtori të Arsimit, më kanë thënë shko në shtëpi pa pagesë. Me të thënë të drejtën, mua po dojnë të më largojnë nga puna. Në zyrën ligjore në komunë isha, më thanë që dy opsione i ke, ose pushim pa pagesë ose shko në shtëpi” kishte thënë 64 vjeçari për KALLXO.com.

Edhe sigurimi i kësaj shkolle, Nystret Ademaj kishte thënë se është duke kërkuar pushim mjekësor në këtë fazë pandemike, pasi ka probleme me zemër.

Ademaj i mllefosur rrëfeu se si është i detyruar të punoj edhe pse po ndjehet i rrezikuar nga COVID-19, por po neglizhohet nga komuna.

“Vallahin të drejtën me të thanë boll shumë po frikësohemi, që tash edhe virusi. ” tha ai.

Pas interesimit të KALLXO.com për këtë çështje punëtorët kanë filluar pushimin me pagesë.

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Shtimes, Agime Roshaj ka thënë se e kanë të hapur pushimin dhe janë duke u paguar.

“Nysreti është në pushim edhe Hajrushi është në pushim, ai që një vit e më shumë është. Nuk e di ata si janë përgjigjur. Përndryshe e kanë të hapur pushimin mjekësor, janë duke u paguar me pagesë. Ata kanë kërkuar në atë kuptimin me ju dhënë pushim gjithë vitin. Pushimi shkon me procedurë mjekësore” tha  Roshaj.

Hajrush Ajeti të martën përmes telefonit ka njoftuar ekipin e KALLXO.com se ai dhe kolegu i tij nga java e kaluar kanë filluar pushimin mjeksor, i cili u është thënë se do të jetë me pagesë.  

“Prej javës së kaluar kemi dalur në pushim. Drejtoria na ka thënë se ka me qenë pushimi me pagesë”  tha Ajeti.

Para dy javësh ai kishte treguar se disa herë është refuzuar për diskutim nga Kryetari i Komunës dhe nga Drejtoria e Arsimit. 

“Mua kryetari hiç as nuk më ka pranuar në takim. Tri herë kam tentuar as nuk më ka pranuar brenda. Më ka thënë shko te drejtoresha e arsimit. Ajo tjetër sen nuk të thotë ja shko në shtëpi ja pa pagesë, a unë 30 vite i kam përvojë. E tash me shku në shtëpi e me i humb 30 vite nuk e di çfarë ligji është ky?” kishte thënë ai.

Me masat e fundit nga Ministria e Shëndetësisë për menaxhimin e pandemisë, personave mbi 65 vjeç i lejohet dalja vetëm nga ora 06:00 deri në orën 10:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 19:00.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj kishte thënë se personat mbi 60 vjeç dhe sëmundje kronike të lirohen nga paraqitja në punë dhe angazhimi i tyre të kalojë online.

Zemaj kishte thënë se  jashtë këtij orari kanë të drejtë të dalin vetëm për nevoja shëndetësore.

Diellza Kukaj, Këshilltare Politike e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj tha se në master planin e hartuar nga MASh për Zhvillimin e Mësimit në Kushte Pandemie 2020/21 kanë paraparë mobilizim të shtuar për mirëmbajtje.

Sipas Kukajt, nëse punëtorët teknik rezultojnë pozitiv, mund të zëvendësohen me normat të cilat janë siguruar.

“Mjetet u janë ndarë komunave proporcionalisht me numrin e tyre të nxënësve” tha Kukaj për KALLXO.com.

Ajo ka bërë të ditur se në mobilizimin për mirëmbajtje llogariten rreth 100 norma të punëtorëve teknik /të mirëmbajtjes për 9 muaj, veçanërisht nëpër zonat më të ngarkuara urbane është vlerësuar se do të ketë rritje të vëllimit të punës të kësaj natyre.

Në udhëzuesin e Ministrisë së Arsimit për zhvillimin e mësimit në kohë të pandemisë thuhet se ‘Drejtoria e Arsimit siguron procedurat e nevojshme për furnizimin me mjete për pastrim, dezinfektim etj. të bollshme dhe të nevojshme në bazë të standardeve të vendosura. Inspektorët sanitar dhe ata të punës inspektojnë në mënyrë të vazhdueshme procesin e zbatimit të standardeve të vendosura (p.sh numrin e punëtorëve teknik për m2 dhe për numër të nxënësve).’.