FOTO - Aldi Kozaria/Al Jazeera

Ruajtja e statujës së fundit të Shqipërisë komuniste

Në bodrumin e një muzeu të vjetër, në një fshat të Shqipërisë, një grua 78-vjeçare ruan statujën  e fundit të një diktatori.

Labinot dhe Tiranë, Shqipëri – Sabire Plaku e cilëson të dyshimtë çdo të huaj, që vë këmbën në fshatin e largët të quajtur Labinot, i cili gjendet në Shqipërinë Qendrore.

Nëse ajo sheh ndonjë vizitor, ose vëren praninë e tyre, 78-vjeçarja e cila jeton me të bijën, ndalon me atë çka është duke bërë dhe nxiton drejt ndërtesës që dikur ishte muzeu i fshatit, duke kaluar kopshtin me perime, pemët frutore dhe pulat endacake, shkruan Al Jazeera.

Me një xhaketë të kaltër e të lirë, me mëngët e varura pa push, të hedhur mbi shpatullat e saj, Sabirja ndalon dhe merr frymë thellë. Edhe pse nga shtëpia e saj e mbikëqyr muzeun e dikurshëm, ajo duhet të ecë 100 metra para se të ngjitet në një shpat të pjerrët, nëpër  baltë, për ta arritur tek muzeu.

Për tri dekadat e fundit, ajo ka shërbyer si kujdestare e ndërtesës së braktisur dykatëshe me qendër të Labinot, dhe statujës prej bronzi tre metra (10 këmbë të gjatë), e cila shtrihet e fshehur në bodrumin e saj. Kjo statujë është figura e udhëheqësit të parë të shtetit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha.

Ish-diktatori qeverisi brutalisht vendin e vogël të Europës Juglindore nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Dhjetëra pamje (skulptura, fotografi, potrete)  të tij qëndronin në të gjithë vendin gjatë asaj kohe, por tani, ai që Sabirja e ruan me kaq kujdes është statuja e fundit e padëmtuar e tij.

Fshati Labinot, në komunën e Elbasanit, është vendbanimi i rreth 6,000 njerëzve. Rruga që të dërgon atje, është e pjerrët, e ngushtë dhe me mirëmbajtje të dobët. Njerëzit merren me bujqësi dhe blegtori për të siguruar jetesën, ndërsa shumë të rinj emigrojnë përkohësisht në Greqi dhe në Itali për t’u punësuar.

Me kalimin e viteve, qyetatrët që e kundërshtojnë trashëgiminë e Hoxhës, e vandalizojnë këtë figurë, ndërsa të tjerët përpiqen ta vjedhin statujën për ta përdorur ose shitur si hekurishte.

Por, pasi fshatarët të sigurohen që vizitorët nuk ka ndonjë qëllim “të keq”, ata i ftojnë ata në shtëpi për kafe ose drekë. Kur u pyetën për të kaluarën e fshatit Labinot, sytë e tyre u ndizen dhe dukej që një shpërthim energjie se mbush trupat e tyre.

Një barrë e rëndë

Në vitin 1943, kur Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë, partizanët komunistë përdorën malin Labinot si një nga bazat e tyre të luftës dhe, në mars të atij viti, mbajtën atje konferencën e parë kombëtare të Partisë Komuniste.

Kjo konferencë u bë gurthemeli i karrierës politike të Enver Hoxhës. Aty, ai u zgjodh si drejtuesi i ri i komunistëve të Shqipërisë, i cili hapi rrugën për sundim komunist mbi Shqipërinë gjatë katër dekadave që pasuan. Disa muaj më vonë, në Labinot u formua edhe Ushtria Nacionale Çlirimtare, një organ që ndihmoi në intensifikimin e rezistencës komuniste deri në fund të okupimit.

Të dy ngjarjet historike u mbajtën në shtëpinë  e Sabires, tashmë  roje e devotshme saj. Kjo  shtëpi që pas luftës u shndërrua në muze për të dokumentuar të kaluarën e fshatit.

Statuja e Enver Hoxhës – foto – Aldi Kozaria/Al Jazeera

Në vitin 1968 gjatë përkujtimit të 25 vjetorit të kryengritjes, para muzeut u ngrit statuja e Enver Hoxhës në veshje ushtarake.

Në 1991, kur u rrëzua sundimi komunist në Shqipëri, muzeu mbylli dyert e tij dhe statuja e Hoxhës u rrëzua.

Por u lihej fshatarëve të vendosnin se çfarë të bënin me të. Në vend që të shpëtonin prej tij, ata e ruajtën atë në bodrum, pa e imagjinuar se do të mbetej atje për shumë dekada.

Sabirja, e inkurajuar nga bashkëfshatarët e saj, ndjeu detyrën  morale për të ruajtur shtëpinë dhe statujën, në kujtim të burrit të saj të ndjerë, i cili, gjatë jetës së tij, shërbeu si administratori i muzeut. Sabirja nuk e përmend politikën. Kur e pyet për arsyen që ajo vazhdon të ruajë statujën e diktatorit, ajo sikur të mahnitet nga pyetja përgjigjet: “Unë thjesht nuk mund ta heq…”

FOTO – Aldi Kozaria-Al Jazeera – Muzeu në Labinot

Por ndërsa vitet kalojnë, dhe me kërcënimet nga vjedhësit dhe vandalët, ajo e di se është një detyrë gjithnjë e më e vështirë.

“Mbajtja e sigurtë e shtëpisë dhe statujës për gjithë këto vite ka qenë kullim emocional dhe shumë sfiduese”, thotë ajo. “Unë jam përkrahur edhe nga fqinjët e mi, por përgjegjësia më e madhe ka qenë mbi mua”.

Ajo mendon se roli i kujdestarit po bëhet një barrë e rëndë dhe  që do të jetë e vështirë të bartet për shumë më gjatë. Ajo mezi pret ditën kur autoritetet të marrin administratën e shtëpisë në duart e tyre dhe të gjejnë një vend për statujën e vendosur në podrum.

“Unë nuk i kam mbajtur të sigurta shtëpinë dhe statujën për veten time, ato i përkasin shtetit dhe dua t’i dorëzoj sa më shpejt. Është koha që ata të veprojnë dhe të na tregojnë se çfarë duan të bëjnë”, ajo thotë.

Shtëpia e ish-muzeut në Labinot, e ndërtuar në fillim të shekullit të 20-të, është renditur zyrtarisht si një monument kulture. Vila me dy kate të ndërtuara me gurë qëndron hijerëndë në qendër të fshatit, aq e ndryshme nga ndërtesat që e rrethojnë,  sa të jep përshtypjen sikur është zhvendosur nga një periudhë tjetër.

E projektuar në vitin 1920 nga arkitektët italianë shtëpia i përkiste një familje të pasur (Baholli) nga Elbasani, që e konsideronte si pasuri të tyre verore. Në fillim të viteve 1940, familja ndihmoi rezistencën antifashiste dhe ia dhuroi shtëpinë Ushtrisë Nacionale Çlirimtare.

Tani hyrja kryesore e saj është e mbyllur, por nga plasaritjet në derën prej druri, mund të shihni korridoret e saj të gjera, të zbrazëta dhe shkallët e shembura. Një kohë,  në muret e saj shfaqeshin fotografi të ngjarjeve historike, letra dhe municione të përdorura në luftë kundër fashistëve. Tani kujtimi i asaj që dikur ishte mbajtur, nuk mban asgjë më shumë sesa statuja e rënë e Hoxhës, që mund të arrihet vetëm nga një derë e pasme.

Kulti i diktatorit

Në shkurt, Instituti i Monumenteve të Kulturës në Shqipëri, duke pranuar rrezikun e ndarjes së muzeut si rezultat i kohës, miratoi një plan restaurimi. Por nuk është e qartë se kur do të fillojë puna.

Kur bëhet fjalë për të gjetur një vend për të strehuar statujën, gjërat bëhen më të komplikuara. Asnjë institucion duket se nuk dëshiron të mbajë barrën e rëndë të një Hoxha të bronzizuar.

Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, rreth 70 km (43 milje) larg Labinot, pjesa e pasme e Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë është i vetmi vend i mundshëm ku mund të zhvendosej statuja. Atje, qëndron gati i fshehur një bust i zbehtë i Hoxhës me hundë të thyer gati i fshehur pranë statujave të Leninit dhe Stalinit.

FOTO nga Fatjona Mejdini – Al Jazeera – Statujat e Hoxhës, Leninit dhe Stalinit

Hoxha u frymëzua dhe u ndikua jashtëzakonisht shumë nga Stalini.

Idetë që rrodhën nga revolucioni bolshevik dhe u zbatuan nga Lenini dhe më vonë Stalini – përfshirë krijimin e një shteti,  një-parti dhe spastrimin me çfarëdolloji armiqtë e dikujt, i apeluan Hoxhës. Ai u tërhoq gjithashtu për krijimin e një “diktature të proletariatit”,  ku klasa punëtore mban fuqi politike dhe nacionalizon mjetet e prodhimit.

Duke ndjekur hapat e tyre, Hoxha përqafoi një ekonomi të centralizuar ku industria dhe aktivitetet e tjera ekonomike ishin pronë e shtetit. Marksizmi-Leninizmi u mësuan në shkollat shqipe, ndërsa bustet e Stalinit u ngritën në shumë qytete.

Brenda një periudhe të shkurtër kohore, Hoxha u bë udhëheqës absolut i Partisë Komuniste (më vonë u quajt Partia e Punës e Shqipërisë). Gjatë katër dekadave të tij në pushtet, ai ndoqi dhe elimioni penalisht dhe pamëshirshëm çdo kundërshtar politik të vërtetë ose të imagjinuar.

Komunizmi shqiptar u ndërtua mbi kultin e një diktatori. Regjimi Hoxha krijoi, izoloi shqiptarët nga bota tjetër dhe solli në fund jo vetëm liritë e tyre politike, por edhe ato personale. Njerëzit do të burgoseshin dhe familjet e tyre do të dëboheshin në qendrat e internimit. Askush nuk ishte imun.

Në 46 vitet e ekzistencës së tij, regjimi shpërnguli më shumë se 30,000 shqiptarë në kampe pune dhe zona internimi. Rreth 18,000 të tjerë u burgosën për arsye politike dhe 6,000 u ekzekutuan. Sot ka më shumë se 4,000 njerëz  të zhdukur, shumë prej të cilëve mendohet se janë varrosur në varreza masive.

File: Reuters

Për të konsoliduar regjimin e dhunshëm, Partia krijoi një makinë të sofistikuar të përhapjes së propagandës, e nxitur nga glorifikimi i udhëheqësit të saj, Enver Hoxha.

Radio, gazetat dhe televizioni do ta përshkruanin atë si “komandantin legjendar” që po ndërtonte një Shqipëri të re dhe më të mirë të frymëzuar nga ideologjia marksiste-leniniste.

Ide të tilla si nevoja për të eleminuar klasat e shoqërisë, nevoja për t’i dhënë të gjithëve të njëjtat shanse dhe një punë të sigurt, dhe nevoja për të mbrojtur vendin nga armiqtë e huaj, veçanërisht perëndimi “i keq”, u përdorën për të justifikuar dhunën e tyre

Duke pavdekësuar trashëgiminë e Hoxhës

Hoxha ishte në ballë të përpjekjeve për të ndërtuar kultin e tij të personalitetit. Ai shkroi gjithsej 71 libra, 13 prej të cilave janë kujtime, duke falsifikuar dhe gjarpëruar shumë elementë të jetës së tij dhe historisë së vendit. Burimet alternative të informacionit thjesht nuk ishin të disponueshme.

Obsesioni i tij me pushtetin pa rivalët, çoi në armiqësi të paparë ndaj fesë. Imamët, priftërinjtë dhe udhëheqësit e tjerë shpirtërorë u burgosën dhe u vranë.

Në vitin 1967, Hoxha u bëri thirrje shqiptarëve të marrin një qëndrim kundër fesë dhe dhjetëra mijëra u bindën, duke shkatërruar më shumë se 2,000 vende fetare të adhurimit në të gjithë Shqipërinë. Xhamitë dhe teqetë, kishat ortodokse dhe katolike u vandalizuan dhe u shndërruan në zyra të propagandës komuniste, qendra kulturore ose depo. Në vitin 1976 praktikimi i fesë u ndalua nga Kushtetuta, dhe komunistët u krenuan për vendosjen e asaj që ata e quanin “vendi i parë ateist në botë”.

Në prill të vitit 1985, Enver Hoxha vdiq në moshën 77 vjeçare, nga komplikimet e shkaktuara nga diabeti. Por, Partia ishte e gatshme ta ruante fuqinë që ai e kishte akumuluar. Ata e ndjenin se kulti i Hoxhës nuk duhet të mbaronte me jetën e tij dhe për ta mbajtur atë gjallë, ata inkuadruan forma të reja.

FOTO – Reuters – Piramida, monument nga koha e komunizmit – Tiranë

Maks Velo ishte një piktor dhe arkitekt, i cili u akuzua nga komunistët për përhapjen e propagandës përmes artit, i cili u burgos për 10 vjet në vitin 1978, kur ai ishte 43 vjeçar. Ai ndërroi jetë këtë muaj në moshën 85 vjeçare, por para vdekjes ai foli për Al Jazeera, duke shpjeguar sesi komunistët u mbështetën në artet pamore në mënyrë që të pavdekësonin trashëgiminë e udhëheqësit të tyre të ndjerë.

“Pas vdekjes së Hoxhës, artistëve iu kërkua të krijonin buste, statuja dhe memoriale të shumta që portretizonin diktatorin. Këto krijime kishin për qëllim të madhëronin më tej kultin e tij, të cilat  karakterizoheshin nga falsiteti, mania gjigande dhe mungesa e sensit artistik”, tha Maks.

Për një kohë të gjatë, artistët vendas iu drejtuan “mjeteve të propagandës dhe u hoqën nga shqisat e vërteta artistike, kështu që ata mbetën në dispozicion të regjimit dhe shërbyen qëllimet e tij politike”, shtoi ai.

Shumë shpejt statujat e Hoxhës u ngritën në sheshe dhe para dyerve të institucioneve në qyteteve kryesore të Shqipërisë. Bustet u përdorën për të dekoruar çdo zyrë të shtetit dhe kopjet e tyre shfaqeshin edhe në dhomat e banimit të shqiptarëve të zakonshëm.

Projektet më ambicioze u ndërmorën në qytetin e lindjes së Hoxhës, në Gjirokastër dhe në Tiranë. Një monument, me një statujë të Hoxhës, i ulur në qendër të tij, u ndërtua në një tarracë panoramike në hyrje të Gjirokastrës. Për ndërtimin e saj u përdorën rreth 80 tonë mermer italian. Pas rënies së komunizmit në Shqipëri në 1991, i njëjti memorial u shkatërrua.

Në Tiranë në vitin 1988, u ngrit një statujë 12 metra e gjatë (39 metra e lartë) e Hoxhës në sheshin kryesor “Skënderbeu”. Po atë vit, dyert e Piramidës u happen, një ndërtesë masive përkrah bulevardit kryesor të Tiranës, e destinuar të strehonte një muze për të përkujtuar jetën e diktatorit. Edhe sot e kësaj dite, mbetet një nga ndërtesat më ikonike në kryeqytetin shqiptar.

Rënia

Si pjesë e një përpjekje të përgjithshme, për të mbajtur gjallë kultin e diktatorit, menjëherë pas vdekjes së tij, Universiteti i Tiranës u emërtua me emrin e tij. Ironikisht, në dhjetor të vitit 1990, studentët e këtij universiteti u bën të parët që protestuan kundër regjimit, duke dalë në rrugë dhe duke brohoritur për “liri dhe demokraci”.

Protestat e tyre masive hapën rrugën për pluralizmin politik, dhe Partia Demokratike e Shqipërisë u formua në të njëjtin muaj.

Megjithatë, në shkurt 1991, studentët rifilluan protestat e tyre, këtë herë duke kërkuar heqjen e simboleve komuniste, duke filluar me emrin “Enver Hoxha”, nga universiteti i tyre. Përballë refuzimit të autoriteteve për ta bërë këtë, 726 prej tyre filluan grevë urie me 18 shkurt.

Shkurt 1991, momenti i rrëzimit të statujës së Enver Hoxhës – foto Reuters

Blendi Gonxhja, në atë kohë një student rebel 21-vjeçar, në Universitetin e Arteve, drejtoi këtë grevë historike. Rezistenca e tyre krijoi një solidaritet të madh ku  me qindra e mijëra studentë dhe qytetarë në të gjithë vendin i mbështetën duke protestuar së bashku me ta.

“Mbështetja popullore për grevën e studentëve u rrit shpejt, dhe u bë aq e madhe sa përfshiu rrugët e Tiranës, dhe çoi në një tubim masiv në sheshin ‘Skënderbeu”. Buja e madhe  u bë e pamundur të kontrollohej”, kujton Blendi.

Qytetarët kishin vendosur të hiqnin vetë simbolet komuniste. Qindra mijëra prej tyre e tërhiqën me zemërim statujën 12 metra të gjatë të Hoxhës në këtë shesh, lakuan mantelin rreth qafës dhe e tërhoqën poshtë, mes një entuziazmi të pandërprerë të turmës.

Pas një kohe, ata e tërhoqën atë për dy kilometra (1.2 milje) dhe e sollën statujën në dyert e ndërtesës, ku studentët po mbanin grevë urie.

“Ishte e pabesueshme, ata na sollën statujën në këmbët tona. Mesazhi ishte i qartë: demokracia nuk mund të rritet nën hijen e kultit të diktatorit”, thotë Blendi.

Mars 1991, vendi ku qëndronte statuja e Enver Hoxhes, foto Reuters

Shefqet Burraj, 62 vjeçar, kujton atë kohë me entuziazëm, por ajo zhduket shpejt kur flet për të tashmen.

“Rrugët që ju çojnë këtu janë shkatërruese, ne nuk kemi parë ndonjë investim infrastrukturor në këto tre dekada, autoritetet duket se kanë harruar ekzistencën tonë. Fëmijët tanë duhet të emigrojnë në mënyrë që të sigurojnë jetesën,” ankohet ai.

Por, ndjenja nostalgjike e shprehur nga disa për “jetën e tyre të sigurtë nën komunizëm” hap plagë për shumë të tjerë.

Uran Kostreci, një poet 82-vjeçar, që kaloi 20 vjet në burgjet e regjimit, për përpjekjen për të shpëtuar vendin, mendon se krimet komuniste nuk u dënuan kurrë plotësisht në Shqipëri dhe se njerëzit që i urdhëruan nuk e morën me përgjegjësi.

“Gjyqet në fillim të viteve ’90 kundër zyrtarëve të lartë të regjimit ishin një farsë dhe askush nuk u dënua  më shumë se pesë vjet. Lustracioni nuk u zbatua kurrë plotësisht dhe askush nga arkitektët e këtij regjimi çnjerëzor kurrë nuk u pendua”, tha ai.

Tiranë 1998, Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e dikatorit komunist Enver Hoxha – FOTO REUTERS

Midis viteve 1993 dhe 1994 më shumë se 20  ish-zyrtarë të lartë të Partisë së Punës, përfshirë të venë e diktatorit, Nexhmije Hoxha, u akuzuan për korrupsion dhe keqpërdorim të fondeve publike.

Edhe pse ata u dënuan dme nga tre deri në 11 vjet burg, gjykatat e apelit ulën dënimet e tyre, dhe asnjë nuk mbeti në burg për më shumë se pesë vjet. Nexhmije Hoxha doli nga burgu në janar 1997.

Në vitin 1996, një grup tjetër, i cili përfshinte pasardhësin e Hoxhës si kryetar i Partisë, Ramiz Alinë, u përball me gjyq për krime kundër njerëzimit, përfshirë akuzat e gjenocidit. Edhe pse disa u shpallën fajtorë, një vit më vonë gjykata e apelit anuloi ato dënime dhe i liroi.

Në vitin 2016, Shqipëria krijoi Autoritetin për Qasje në Informacione për Dosjet Ish-Sigurimi, në mënyrë që të mblidhte dhe deklasifikojë dosjet e shërbimit sekret të epokës komuniste, “Sigurimi”, dhe t’i vërë ato në dispozicion të atyre që u spiunuan dhe të publikut të gjerë .

“Sigurimi” ishte një strukturë famëkeqe që kishte në dispozicion 15,000 bashkëpunëtorë të angazhuar plotësisht për të spiunuar këdo që konsiderohet i dyshimtë, i ndihmuar edhe nga një rrjet i madh vullnetarësh.

Mijëra prej atyre që u përndoqën kanë kërkuar tashmë të rimarrin dosjet e tyre, ndërsa të tjerët kanë përjetuar tronditjen e madhe të mësimit, që miqtë dhe të afërmit e afërt dikur i spiunuan në emër të “Sigurimit.”

‘Një gabim historik’

Poeti dhe ish i burgosuri Uran Kostreci, e konsideron hapjen e dosjeve një hap pozitiv drejt së vërtetës, megjithëse, si shumë të tjerë, ai beson se ky proces filloi shumë vonë.

Një herë në javë, në ish-selinë e Sigurimit, e kthyer tashmë në një muze, ai u flet nxënësve të shkollave të mesme për komunizmin në Shqipëri.

“Ata janë të zgjuar dhe të etur për të mësuar, por fatkeqësisht ata dinë shumë pak për atë kohë. Kurrikulat shkollore kurrë nuk kanë shpjeguar plotësisht mizoritë që kanë ndodhur, dhe më e rëndësishmja ndikimin që ato patën te shqiptarët”, tha Kostreci.

Blendi Gonxhja, tani zyrtar i shtetit, beson se deri më sot, vendi nuk ka reflektuar në gjithçka që shkoi keq gjatë sundimit komunist, dhe thotë se shoqërisë shqiptare i mungon vetëdija për çmimin real që është paguar për “atë gabim historik”.

Si rezultat, ai mendon, se shumë nga problemet e së kaluarës u rishfaqën edhe pse sistemi ishte shembur.

“Ndryshimi i sistemit nuk solli vlerat demokratike që njerëzit prisnin. Si në kohën e vjetër, këto tre dekada karakterizoheshin nga dhuna dhe shkelja e të drejtave të njeriut, diskriminimi politik dhe hakmarrja, bashkimi i partisë me shtetin dhe shumë më tepër”, tha ai.

Për më tepër, njerëzit që kishin kontribuar në disa nga aspektet më kriminale të regjimit të kaluar u kthyen në zyra publike, përfshirë parlamentin e Shqipërisë.

Përkrahës të Enver Hoxhës, viti 2006 – Tiranë – FOTO REUTERS

Blerina Gjoka, drejtoresha e fondacionit “Kujto”që arkivon krimet e komunizmit, thotë se “është e turpshme që ata që ndiqnin penalisht njerëz të pafajshëm vazhduan të kishin një rol aktiv në jetën publike të vendit, megjithëse ata kurrë nuk kërkuan falje”.

Megjithëse, komunizmi në Shqipëri ishte një nga më të ashpërit në Europën Lindore, duke lënë një gjurmë të gjatë mjerimi dhe dhjetëra e  mijëra vdekje, dhe se shfaqja publike e simboleve të saj nuk u ndalua kurrë.

Kostreci, ndeshet çdo ditë  në  fotot e diktatorit dhe miqve të tij komunistë, rrugë dhe shkolla që mbajnë emrat e persekutorëve të miqve të tij, dhe përpjekjet e vazhdueshme për të rishikuar historinë e vërtetë të së kaluarës së dhimbshme të vendit.

Diku tjetër, grupe të “nostalgjikëve” komunistë  përkujtojnë ngjarjet si “Dita e Dëshmorit” ose data e lindjes së Enver Hoxhës, duke mbajtur fotografi të diktatorit dhe shfaqin simbole komuniste si yje të kuq me pesë cepa.

Në televizion, filmat e vjetër që lavdërojnë komunizmin ende transmetohen, ndërsa në internet, faqet dhe forumet që adhurojnë trashëgiminë e Hoxhës janë të shumta.

Edhe në Labinot, Sabirja nuk e di se sa kohë do të duhet të kujdeset për statujën e Hoxhës, ndërsa pret që shteti ta merr përgjegjësinë për të. Por ajo është e angazhuar që rregullisht të ngjitet në shpatin e pjerrët, me baltë për ta kontrolluar atë, për aq kohë sa të mundet.

“Pardoksale, në Shqipërinë e sotme mund të nderosh haptas një regjim kriminal, por nuk ka një memorial për të nderuar viktimat e tij”, thotë Gjoka.

“Deri më sot, familjet e të përndjekurve ende nuk kanë një vend ku të vendosin, lule në kujtim të vuajtjeve të tyre”, tha ai.

Përgatiti për Kallxo.com – Antigonë Isufi