Rrëfimi i 18-vjeçares nga Prishtina që u pranua në dy universitete në SHBA - VIDEO
Era Thaqi ka vizituar NASA-n në vitin 2022, ndërsa këtë vit është pranuar në dy universitete amerikane. Së shpejti ajo do ta përfaqësojë Kosovën edhe në Olimpiadën Ndërkombëtare të Fizikës, në Japoni.
Në fund të klasës së nëntë, Era kishte filluar të interesohej për kodimin dhe mbajtjen e kurseve të ndryshme. Me këtë rast i janë ofruar disa mundësi.
Prej këtyre mundësive ajo ka veçuar vizitën në Amerikë, në Virginia Tech University dhe në Agjencinë amerikane të hapësirës – NASA.
Mirëpo, ky nuk është suksesi i vetëm i saj, pasi ajo është pranuar në dy universitete amerikane, me bursë të plotë.
Studimi në Amerikë është një realizim ëndrre për të, pasi ajo që e vogël e kishte menduar që të studionte atje.
Aplikimi në universitetet amerikane ka filluar që prej gushtit të vitit 2022, ku ajo ka treguar procedurat nëpër të cilat ka kaluar, duke u testuar në ese, dhe teste të standardizume.
18-vjeçarja ka aplikuar në 7 universitete amerikane (4 prej tyre bëjnë pjesë në grupin ‘Ivy League Universities’) dhe është pranuar në dy prej tyre, në Universitetin e Princeton dhe Brown. Si rezultat, ajo ka treguar se cila është fusha që ka zgjedhur ta studiojë në Princeton.
“Fusha e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, edhe kam vendos me bë një kombinim me neruo-shkencën, për shkak se po du me gjet lidhjen ndërmjet këtyre dy fushave që mundet me pas efekt në zgjidhjen e problemeve” – ka thënë Thaqi për KALLXO.com.
Lajmin se është pranuar në këto univeristete e kishte marrë më 30 prill, dhe kjo e ka emocionar atë, duke u ndjerë jashtëzakonisht e lumtur pasi që ia ka arritur qëllimit dhe i është shpërblyer puna që ka bërë për një kohë të gjatë.
Se a mendon që do t’i ndihmojnë mësimet e deritanishme nga shkollimi në Kosovë, Era ka thënë se për nga pjesa teorike mendon që do t’i ndihmojnë, mirëpo në pjesën praktike ajo është dashur vet të interesohet.
Pas studimeve Thaqi synon që mësimet nga Amerika t’i vë në funksion praktik në fusha që kanë nevojë për to.
“Arsyja pse po du m’i kombinu këto dy shkenca, neuroshkencën edhe inxhinierinë është që problemet që paraqiten nga aspekti i neurologjisë me u mundu m’i zgjidh me fushën e inxhinierisë edhe teknologjisë” – është shprehur Thaqi.
Në vitin 2022, ajo e ka përfaqësuar Kosovën së bashku me dy vajza tjera kosovare, në një vizitë një mujore në Amerikë, si pjesë e programit Tech Girls.
Në Amerikë, ajo ka pasur mundësinë të njoftohet me jetën studentore dhe gjithashtu ka kaluar një kohë produktive dhe të paharrueshme në Universitetin Teknik të Virgina-së dhe NASA.
Ajo ka treguar se vizita në NASA ka qenë magjepsëse dhe frymëzuese, pasi që kanë parë për së afërmi punën e tyre dhe janë njoftuar me njërin prej astronautëve, Daniel Tani.
“Kemi pas mundësinë me pa ku janë ndërtu disa komponente të James Webb Space Telescope, edhe ku kanë me u ndërtu ato të Nancy Grace Roman [teleskop], që ka me u lanësu në vitin 2027, ku janë duke u ndërtu disa prej komponenteve të atij teleskopi” – tha ajo.
Prej 136 vajzave nga shtete të ndryshme pjesëmarrëse në këtë vizitë, Era është përzgjedhur ta mbajë një fjalim përmbyllës për ta përfaqësuar regjionin e Evropës dhe të Azisë.
Pasi është kthyer në Kosovë, 18-vjeçarja ka implementuar një projekt të quajtur “Growing with STEM” [“Të rritesh me STEM”], me anë të të cilit ka praktikuar programimin me vajza të shkollës fillore, që ato që janë të interesuara të profilizohen në këto fusha.
Së fundi, 18-vjeçarja është përzgjedhur ta përfaqësojë Kosovën edhe në Olimpiadën Ndërkombëtare të Fizikës, që do të mbahet në Japoni.
Shkollimin e mesëm, Era Thaqi e ka përfunduar në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë.