Kompleksi Memorial në Reçak, 15 janar 2020 - Foto: KALLXO.com

Pasardhësit e viktimave braktisin Reçakun

Fëmijët e viktimave të masakrës së Reçakut nuk po shohin perspektivë për jetë në vendin ku u sakrifikuan më të dashurit e tyre.

Disa prej tyre po jetojnë sot jashtë Kosovës.

Sinan Halili nga Reçaku i Shtimes është kthyer në vendlindje për të bërë homazhe pranë varrit të vëllait të tij, i cili është në mesin e të vrarëve më 15 janar të vitit 1999 nga forcat serbe.

Duke ledhatuar pllakën përkujtimore në të cilën gjendet fotografia e vëllait, Skenderit, Sinani kujton momentet para 21 vjetësh kur e kishte kuptuar se çfarë kishte ndodhur në fshatin e tij, pasi ai atë botë gjendej në Zvicër, ku edhe jeton aktualisht.

“Kur kam dëgju se çfarë ka ndodhur në Reçak, për mua ka qenë momenti më tragjik në jetën time. Këtu prehet vëllai im, Skenderi, i lindur në vitin 1968. Këtu janë vra edhe fqinj të tjerë. Kanë qenë bashkëfshatarë tonë, njerëz të pafajshëm”, rrëfen Sinani, duke i përmendur me emra të afërmit e tij.

“Por, megjithëkëtë, jeta vazhdon”, thotë ai derisa tregon për gjendjen aktuale emocionale të familjes së tij.

“Duhet me patjetër me jetu, duhet me punu. Falë Zotit vëllai ma ka lënë një djalë dhe një vajzë. Ata gjenden në Perëndim të dytë, me gjithë bashkëshorten e tij. Ia dalim diqysh”, tregon ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sinan Halili në Reçak, 15 janar 2020 – Foto: KALLXO.com

Sipas Sinanit, Masakra e Reçakut ishte kulmi i krimit kundër njerëzimit nga forcat policore, ushtarake e paramilitare serbe, duke shtuar se janë të zhgënjyer me institucionet e Kosovës.

“Prej shtetit të Kosovës presim shumë. Pak kanë bërë deri sot, pak e hiç thuajse. Kriminelët s’po gjenden. Ky është realiteti, çka të bëjmë. Kam një lutje për autoritetet: të punojnë pak më shumë! Mos ta këqyrin interesin e vet, por atë kombëtar ma së pari! Të gjenden ata që i masakruan këta njerëz të pafajshëm!”, bën thirrje Sinani.

Nga Reçaku është larguar edhe djali që shihet në fotografinë e janarit 1999, në xhaminë e fshatit, i rrethuar nga trupat e të vrarëve nga forcat serbe.

Në atë foto, të një agjencie të huaj lajmesh, i mituri (i cili ishte bashkë me gjyshin e tij) po kërkonte trupin e babait të vrarë.

Nipi i kësaj familje, Taulant Bega, tregon se tashmë gjyshi ka vdekur, e djali që shihet në foto është larguar me gjithë familje në një vend në Perëndim.

Ndërkohë, Rasim Sadiku nga fshati Balaj i Ferizajt, i ka të freskëta kujtimet kur kishte marrë pjesë në varrimin e viktimave të Reçakut.

“Më kujtohet shumë mirë kur kemi ardhë për varrimin e viktimave. Vetëm rrugës kah kemi ardhë, ka qenë borë, ftohtë. Në këmbë krejt fshatarët e mi jemi nisë këndej, nëpër atë rrezik që e kemi pasë prej forcave paramilitare serbe. Vullnetarisht u patëm mobilizu me ardhë këtu në Reçak”, rrëfen ai për Gazetën JnK.

I rrëqethur, Sinani tregon ndjesitë nga ballafaqimi me pamjen e 45 të vrarëve më 15 janar 1999.

“Kurrë s’e kam ndje veten ashtu, kur i kam pa gjithë ato kufoma. Kaq e rëndë ka qenë, s’mundem as me përshkru”, thotë ai, dhe ndalet së foluri nga emocionet.

“Drejtësia s’është askund”, shprehet Rasimi, duke shtuar se presin që të bëhet diçka më tepër në këtë drejtim.

“Presim me u bo ma mirë, por deri sot jo, s’ka pas kurrgjë”, tha ai për Gazetën JnK.

Rasim Sadiku në Reçak, 15 janar 2020 – Foto: KALLXO.com

Mohimi i krimit, goditje për familjet e viktimave

Ngjarjet e 15 janarit të vitit 1999 nxitën ndërhyrjen ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës, ndërsa pas më shumë se dy dekadash, të bëmat e luftës po kontestohen nga udhëheqës shtetërorë të Serbisë.

Muaj më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se “masakra e Reçakut është një trillim dhe është sajuar nga William Walker”, ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, por ky i fundit i është përgjigjur se po dëgjon prapë fjalët e të akuzuarit për krime lufte, Sllobodan Millosheviq.

“Unë nuk jam këtu sot të vërtetoj se Reçaku nuk ishte gënjeshtër. Bota e ka kuptuar se Reçaku ka ndodhur, bota mësoi për të, bota reagoi”, tha Walker të martën në Prishtinë.

Në anën tjetër, përfaqësues organizatave për të drejtat e njeriut, e dënojnë mohimin e krimeve të luftës, përderisa vlerësojnë se është bërë pak për të zbardhur fatin e viktimave dhe të zhdukurve.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë, se dëmi më i madh që i bëhet Masakrës së Reçakut është mosthirrja para drejtësisë e atyre që kanë urdhëruar dhe kanë bërë ekzekutimin e civilëve të pafajshëm.

“Nuk është befasuese deklarata e presidentit serb Vuçiq, sa është brengosëse që nuk po arrihet drejtësia për viktimat. Drejtësia po mbetet e papërmbushur. Ato më tepër janë deklarata politike, pasi ata e dinë shumë mirë se çfarë ka ndodhur”, është shprehur ai.

Sipas Shalës, as shteti i Kosovës nuk ka punuar mjaftueshëm në këtë drejtim.

KMDLNj kërkon përgjegjësi dhe drejtësi për të gjitha viktimat pa ndarje në baza etnike apo ndonjë dallim tjetër.

Edhe Bekim Blakaj, drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thekson për Gazetën JnK se është për keqardhje që edhe 21 vjet pas vrasjes masive, familjet ende nuk kanë parë drejtësi.

“Ka qenë një gjykim, vetëm një person është akuzuar dhe është dënuar për masakrën e Reçakut por është e qartë se ai nuk ka qenë as planifikuesi e as ai që e ka bërë vetë këtë krim, por ka qenë një ekip i madh i cili e ka kryer këtë vrasje masive në Reçak më 15 janar të vitit 1999”, thotë ai.

Blakaj tutje thekson se për më keq janë deklarimet nga zyrtarë të lartë shtetërorë serbë, të cilët e mohojnë ndodhinë.

“Kjo është edhe një goditje për familjarët e viktimave të kësaj ngjarje”, vlerëson ai, duke shtuar se edhe institucionet e Kosovës është dashur të bëjnë më shumë në këtë drejtim.

“Pa bashkëpunimin ndërmjet prokurorive, asaj të Kosovës dhe të Serbisë zor se do të jap rezultat çfarëdo hetimi, meqenëse kryerësit e kësaj vepre nuk gjenden në Kosovë”, tha Blakaj për Gazetën JnK.

Ai shtoi se në vazhdimësi kanë kërkuar që në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të përfshihen dy tema.

“Çështja  e bashkëpunimit juridik pra për me u ndjek penalisht ata që kanë bërë krime lufte dhe çështja  e personave të zhdukur me u fut në dialog që me u zbardh sa më shpejt fati i tyre. As njëra dhe as tjetra si duket nuk janë futur  asnjëherë në agjendë të këtyre takimeve. Nuk e dimë pse”, thotë Bekim Blakaj.