Idriz Vehapi, kryetar i komunës së Rahovecit

Qyteti i Dionisit me Drejtori të Mbrojtjes

Vendi i rrushit dhe verës. Rahoveci është një nga vendet e njohura në Ballkan për prodhimin e verës. Përreth tij madje gjenden manastire ortodokse të priftërinjve që merren me verë. Është një qytet disi i ngushtë me njerëz të qetë që duket sikur nuk çajnë fort kokën për ndodhitë përreth tyre. Megjithatë, njëfarë gjallërie ndjehet kudo.

Në vitin 2015 është rritur buxheti dhe 4.4 milionë eurot e premtuara për subvencione në bujqësi janë realizuar. Ndërkohë, kryetari nga PDK Idriz Vehapi ndodhej para asamblesë komunale për t’i dhënë sqarimet në një mbledhje të drejtuar nga kryesuesja e përkohshme Jeta Xharra.

Si sukses të tij kryetari përmendi punën e subvencioneve për hektar vreshte që ishte rritur nga 1000 euro në 2000 euro. Por opozita që nuk dukej edhe aq aktive vendosi ta ngriste çështjen e 60 milionë eurove që kishte premtuar gjatë zgjedhjeve kryetari i PDK-së atëkohë, tash presidenti ynë unifikues Hashim Thaçi. Ai kishte premtuar se nëse këtë komunë e merrte PDK-ja, qeveria e tij do t’i investonte 60 milionë euro në Rahovec. Së pari ka faj ai gënjeshtari që gënjen gjëra kaq të pamundura, e së dyti populli që duke njohur njohur gënjeshtarin beson e voton për të. Por si i thonë një fjale “shpresa vdes e fundit”, me gjasë duhet përmirësuar se ajo nuk vdiska kurrë.

Këtë akuzë që ngrihej me shumë të drejtë në një asamble disi të lodhur, të qetë, tej mase të qetë, kryetari s’e kishte problem t’i përgjigjej si një sofist. Ai thoshte se kryetari ynë unifikues nuk është kryeministër, e si rrjedhojë nuk mund ta përmbushë premtimin e tij. Ai fliste sikur ne jetojmë në Norvegji a kushedi se ku, sikur ne nuk i njohim raportet e forcave mes partnerëve qeveritarë. Ç’është ky guxim për të luajtur me opinionin publik sa herë t’i teket, kujt t’i teket?

Asambleja në Rahovec
Asambleja në Rahovec

Pastaj regjia nxori një fotografi të një palestre sportive që duhej përfunduar që në vitin 2008. Kryesuesja Xharra këtu pati mundësinë të bënte një lloj shakaje dhe tha: “diqysh si nifar kalaje e Rozafës po m’doket”. Salla qeshi, por jo aq sa duhej. Disi të gjithë dukeshin sikur kishin marrë ndonjë gjë për qetësim. Era e verës së kuqe që mund të sillej nëpër qytet me gjasë kish dehur gjithë qytetin, gjithë asamblenë.

Asamblistët e AAK-së kishin ndërhyrë disa herë gjatë debatit me pyetje, ndërkohë që ata të Vetëvendosjes nuk ishin aktivë siç pritej. Në këto kondita, kryetari ishte i detyruar ta sulmonte AAK-në dhe i akuzoi ata se gjatë qeverisjes së tyre kishin lënë 2.1 milionë euro borxhe.

Filluan pastaj diskutime,siç është zakon në asambletë komunale mbi filozofinë e së drejtës dhe konceptet tashmë të qartësuara. Kësaj radhe filloi diskutimi për borxhin. Se a kishin mbetur ato 2.1 milionë euro borxh nuk u “muar vesht”, meqë palët e përfshira në diskutim nuk e definonin njëjtë borxhin. E kështu, çështja nuk u zgjidh se këtu s’ishim mbledhur për të qartësuar koncepte tashmë të njohura, por për t’i rënë në fije sukseseve (nëse ka) dhe keqmenaxhimeve (që në çdo komunë ka) të qeverisjes komunale që ka filluar punë dy vjet më parë.

Ashtu i dehur siç dukej debati, ku opozita linte shumë për të dëshiruar, filloi të bëhej monoton deri sa dikur u ngrit çështja e hapjes së një drejtorie të mbrojtjes në Rahovec. Tani kjo dukej si një situatë sureale, por që merrte kuptim kur kishe parasysh që Rahoveci është qytet i verës. Opozita akuzonte se për të lidhur koalicion me LDK-në ishte ndërruar statuti i komunës dhe ishte shtuar drejtoria për mbrojte. Drejtoria për Mbrojtje! Në shekullin XXI, në një komunë krejt qendrore në kuptimin gjeografik të fjalës, domethënë as kufitare nuk është. Por interesi partiak është një gjë dhe tjetër gjë është nevoja e komunës për drejtori të caktuara. Prandaj ne duhet të kemi durim e mirëkuptim se dhe partitë kanë interesat e tyre, ndonëse ndonjëherë këto interesa mund të realizohen përmes propozimesh të turpshme.

Nga debati doli se Rahoveci kishte shumë ushtrues detyrash nëpër pozita ku do të duhej të hapeshin konkurse. Kjo metodë është një nga më perfidet për të mbajtur nën kontroll institucionet e ndryshme të nivelit të tretë, vjen si shembull shkollat, qendrat e mjekësisë familjare, drejtoritë e ndryshme komunale. Ligji i Kosovës lejon që deri në 6 muaj të ketë ushtrues detyre ndonjë institucion, por shpesh ka ndodhur nëpër komuna që ushtruesit e detyrës të jenë në pozitat përkatëse edhe deri në 2 vjet.

Asambleja dhe opozita e Rahovecit po ashtu dukeshin si ushtrues detyre, disi jo fort aktivë. Në Rahovecin disi të heshtur e të qetë duket sikur qytetarët e tij ushtrojnë detyrën e të qenët esëll, ndërkohë që jetojnë në qytetin e hardhisë, verës dhe Dionisit-perëndisë së lashtë të verës dhe kënaqësive.