Një qen endacak pushon në qendër të Pejës. Foto: Shkodran Nikçi

Qentë Endacakë në Kujdesin e Askujt

Çdo mëngjes para orës 7, Xhevahires i duhet që të kujdeset që fëmija i saj 11 vjeçar të mos dalë pa përcjellje nga banesa në rrugën e tij drejt shkollës.

Llava të qenve endacakë pothuaj çdo ditë bëjnë ‘rojë’ në afërsi të kompleksit ku ajo banon prandaj nuk ia ka besën që djalin 11 vjeçar ta lë pa përcjellje deri në momentin kur vjen autobusi për ta marrë atë, në orën 7:05.

“Ka frikë të shkojë vetëm deri te vendi ku e pret autobusin e shkollës prandaj i duhet përcjellje”, thotë ajo.

Ka vjet që qentë endacakë kanë ‘pushtuar’ lagjet e Prishtinës, sidomos ato në perfieri ku mundësia e tyre për të operuar duket më e lehtë.

Si pasojë e kësaj, Xhevahires dhe shumë prindërve si ajo, u duhet të kenë kujdes të shtuar.

Qentë ‘pa familje’ në Prishtinë

Në mungesë të një qendre për strehim të qenve endacakë, Komuna e Prishtinës ka një javë që ka filluar trajtimin dhe strehimin e qenve në “Qendrën kosovare për trajtimin e qenve endacakë” në fshatin Harilaq të Fushë Kosovës.

Habib Qorri nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës thotë se komuna nuk ka vend të veçantë për strehimin e tyre por konform kushteve dhe mundësive buxhetore “është duke u munduar në vazhdimësi të bëjë zgjidhje për këtë problem”.

Por ai thotë se problemi i qenve endacakë i kalon kufijtë e kompetencave komunale për faktin se ata kalojnë nga një komunë në tjetrën dhe janë vazhdimisht në lëvizje.

Për këtë arsye, Qorri thotë se asnjëherë nuk mund të dihet numri i tyre.

Por ai tha se që nga fillimi i trajtimit human të qenve endacakë janë trajtuar rreth 4,500 prej tyre dhe se  trajtimi bëhet në bazë të ligjit dhe kontratës të lidhur me një kompani.

“Qeni kastrohet dhe sterilizohet, i jepen të gjitha vaksinat kundër tërbimit antiparazitar dhe lirohet në atë vend ku është marrë”, tha Florim Ferati.

Një metodë e tillë mund të zgjasë deri në tre javë dhe kjo e rrit koston e mbajtjes së tyre npër strehimore.

Por tri grupe të qenve që përfshijnë qentë agresivë, të moshuar dhe të sëmurë nuk lirohen më pasi të kapen.

“Për trajtimin e qenve nuk është përgjegjëse vetëm Komuna por është edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Agjensioni i Veterinës të cilët duhet të nxjerrin dokumente zyrtare në nivel vendi, me të cilin do të caktohen kushtet për trajtim dhe mënyra e rregullimit të strehimores qoftë ne nivel regjional ku mund të trajtohen qentë për disa komuna, apo lokal për vetëm një komunë”, tha Habib Qorri.

Ai thotë se kompania që ka për detyrë përkujdesjen për qentë endacakë e lajmëron kompaninë përgjegjëse për çdo ankesë që merr nga qytetarët.

Por kompania frikësohet nga mbipopullimi i strehimores, meqë nuk ka interesim nga qytetarët për adoptim të qenve të trajtuar.

“Interesimi është shumë i vogël. Adoptimi do të na ndihmonte shumë për arsye se ata qen nuk do të qëndronin gjatë dhe do ta lironin vendin për qentë tjerë”, thotë Florim Ferati nga Qendra Kosovare për Trajtimin e Qenve Endacakë.

Procedura e adoptimit të qenve kërkon mbushjen e disa pyetësorëve që sigurojnë se kujdestarët kanë njohuri për qentë dhe kushte për mbajtjen e tyre.

Në Leposaviq, opsionet ende të hapura

Rreth 70 kilometra në veri të Prishtinës, në komunën e Leposaviqit, qentë endacakë gjithashtu janë nën kujdesin e askujt.

Në tri vitet e fundit, pothuaj se çdo e pesta shtëpi në Leposaviq e ka nga një qen që i bën roje, ose pjesë të familjes. Kryesisht këta janë qen race dhe me pedigre. Pronarët i nxjerrin në shëtitje lidhur me zinxhirë. Shumë të tjerë janë të privilegjuar kur bëhet fjalë për shëtitje, por jo edhe për kujdesin që marrin.

Çka ndodh me ata që nuk i do askush, e të cilët kalojnë ditë e net në gjithfarë vendesh, në rrugë, në beton të ftohtë e që ushqehen nëpër kontejnerë, askush në këtë komunë nuk jep përgjigje.

Kur i pyet qytetarët se kush duhet të kujdeset për ata qentë endacakë që i sheh në rrugë gjithkah, përgjigja e zakonshme e tyre është: “Pse pyet, kush i ushqen?”

Qentë endacakë duke shetitur në Leposaviq. Foto:
Qentë endacakë duke shetitur në Leposaviq. Foto:

Për shkak të moskujdesit, mundësive joadekuate dhe mosekzistencës së një strehimoreje qentë endacakë në disa raste po bëhen të rrezikshëm, për shkak të luftës së tyre për të mbijetuar. Në veri të Kosovës ata mund të shihen çdo kund, ndërsa në brenda qytetit në Leposaviq grumbuj të tyre mund të shihen edhe në sheshin kryesor të qytetit por edhe në afërsi të shkollës së mesme për shkak se njerëzit zakonisht aty hedhin ushqim për të cilin qentë kanë aq shumë nevojë.

Ankesat e shumta për numrin e madh të qenve endacakë nëpër Leposaviq erdhën pasi disa qytetarë ishin sulmuar nga ta, katër vjet më parë. Zgjidhja e vetme që u gjet në atë kohë ishte vrasja e çdo qeni që shihet në rrugë gjatë muajve mars dhe shtator.

Por në mars të vitit 2013, institucionet pranuan një ankesë nga një organizatë lokale joqeveritare “Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve” e cila paralajmëroi ngritjen e padive për çdo qen të vrarë në rrugë. Dënimet për këto vepra kapnin shumën prej 8 mijë deri në 25 mijë euro, varësisht nga shkalla e veprës.

Duke synuar gjetjen e një zgjidhjeje adekuate me të cilën garantohet edhe siguria e qytetarëve, institucionet lokaleformuan një komision treanëtarësh të ekspertëve që merr vendime në bazë të dokumenteve adekuate të cilat ofrohen nga të dëmtuarit që pajtohen me atë shumë mjetesh. Pastaj me avokatin e komunës është nënshkruar marrëveshja për kompensim për të dëmtuarit. Në rast që qytetari i lënduar nuk është i kënaqur me vendimin për kompensim, të drejtën e tij e kërkon në gjykatë.

Nga viti 2013 janë zgjidhur 26 kërkesa të tilla për kompensim, disa prej tyre janë hedhur poshtë për shkak të dokumenteve joadekuate, ndërsa një tjetër është refuzuar si rast i pakompletuar.

Deri tani, siç thonë në këtë komision, gjithçka që është dorëzuar nga qytetarët edhe është zgjidhur. Ata thonë se kanë provuar të bien në kontakt me shoqatat që strehojnë ose kastrojnë qentë që ata të mos shtohen, por shoqatat të tilla nuk ka në Komunën e Leposaviqit dhe zgjidhja e këtij problemi ende nuk është gjetur.

“Ka qenë dashur të punësohet një numër më i madh i stafit të veterinarëve dhe të bëhet një strehimore ku do të grumbulloheshin qentë, të blehet një automjet që do ta përdornin punëtorët që grumbullojnë qentë dhe që e bartin ushqimin e tyre”, tha një bashkëbisedues.

Frika nga ‘qentë pa vath’ në Pejë

Është bërë zakon që qytetarët në Pejë t’u frikësohen qenve, që ata janë mësuar t’i quajnë “pa vath”.

Fjala është për qentë që bredhin pothuaj në çdo rrugë të qytetit por që s’janë të vaksinuar nga ana e veterinarëve kundër tërbimit dhe sterilizimit dhe që mund të paraqesin rrezik për njerëzit.

Dy vite me parë komuna e Pejës kishte filluar një projekt për menaxhimin e qenve endacakë. Në atë kohë llogaritej se rreth 4 mijë qen bridhnin rrugëve të qytetit.

Zëdhënësi i Komunë së Pejës, Engelbert Zefaj, tregon së paraprakisht ishte analizuar situata nga autoritete komunale derisa ishin marrë veprime konkrete për zgjidhjen e problemit me qentë endacakë të kësaj komune.

https://kallxo.com/probleme-4000-qente-endacake-te-pejes/

Ai thotë së para çdo veprimi nevojiteshin fonde, të cilat thotë së me pas i kishin gjetur nga një organizatë zvicerane.

“Kemi grumbulluar fonde në bashkëpunim me një organizatë zvicerane. Me fondet e grumbulluara për dy vjet kemi angazhuar pesë persona të cilët kanë grumbulluar qentë dhe i kemi bartur në strehimore. Gjatë vitit 2016 kemi realizuar një kampanjë ku kemi ftuar qytetarët që të kapin qentë dhe t’i sjellin në strehimore”, thotë Zefaj.

Kushdo që e kapte një qen për ta sjellë në strehimore atëbotë shpërblehej me 3 euro.

“Për rregullimin e strehimores jemi ndihmuar edhe nga KFOR-i italian. Ne strehimore qentë janë trajnuar duke u vaksinuar kundër tërbimit, janë kastruar dhe janë pastruar në mënyrë që t’ju pamundësohet shumimi”, thotë Zefaj.

Zefaj thotë së projekti i nisur fillimisht kishte rezultuar i suksesshëm, duke u trajtuar mbi 4000 qen endacakë, gjë që kishte bërë sipas tij që situata të vihej nën kontroll.

Por si çdo kund, edhe në Pejë, qentë nuk duan t’ia dinë për kufijtë administrativë të komunave.

“Qentë të cilët janë konsideruar jo të rrezikshëm për qytetarët janë lëshuar prapë të lirë. Janë trajtuar rreth 4500 qen. Me këto veprime në masë të madhe e kemi futë nën kontroll situatën, por problemi ka vazhduar sepse komunat tjera nuk kanë vepruar njëjtë dhe qentë e komunave tjera janë bartur në komunën e Pejës,” thotë ai i pyetur për ketë çështje.

Qentë në Strehimore të Pejës në Mëshirën e Vullnetarëve

Por kështu nuk mendon aktivisti nga Peja për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, Petrit Gora.

I pyetur për menaxhimin e qenve endacakë të qytetit të Pejës dhe masat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse, Gora shprehet i zhgënjyer.

Ai thotë së gjatë vitit 2013 fillimisht ish qeverisja e komunale kishte angazhuar gjuetarët për t’i ekzekutuar qentë endacakë. Ndërsa për qeverisjen aktuale të komunës thotë se pa pasur plan konkret kishte ndërtuar strehimore për ta.

“Si duket plani ka qenë që qentë endacakë të dërgohen larg qytetit dhe te vriten në strehimore, dhe kështu për një kohë te shkurt janë mbledhur më shumë se 200 qen endacakë, e 100 prej tyre janë vrarë kinse me eutanazi”, thotë Gora, njëri nga aktivistet vullnetarë që mblidhte qen endacakë.

Ai thotë se me pas shoqëria civile dhe dashamirësit e kafshëve ngritën  zërin rreth kësaj papërgjegjësie që ndodhte tek strehimorja.

Pas kësaj, institucionet komunale kishin filluar të veprojnë për së mbari rreth strehimores.

“Komuna kishte pranuar një  donacion nga një organizatë nga Zvicra e cila paguante për sterilizimet e qenve, e sterilizimet i kryente një veterinar shumë i përkushtuar nga Gjakova, ndërsa komuna paguante për rrogat e punëtorëve te cilët i mblidhnin qentë nga rruga dhe i dërgonin në strehimore për t’i sterilizuar dhe vaksinuar dhe pastaj i kthenin prapë  në vendin ku i kishin marrë. Për një  periudhë njëvjeçare ishin sterilizuar afro 1000 qen endacakë dhe strehimorja po funksiononte shumë mirë”, tregon Petrit Gora.

Por ndalja e fondeve bëri që të ndalet edhe funksionimi i kësaj strehimoreje që ishte bërë në një fshat të komunës fqinje të Klinës.

Zëdhënësi i komunës së Pejës Zefaj thotë se tani problemi i qenve endacakë pritet të zgjidhet pas përfundimit të strategjisë e cila po hartohet në nivel vendi nga të gjitha komuna përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës.

“Do të ndahen përgjegjësitë për komunat dhe fonde specifike për ketë fenomen. Kemi shpresa se shpejt kjo strategji do të futet në implementim dhe të gjitha komunat e Kosovës do veprojnë së bashku”, thotë ai.

Por sipas aktivistit për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, Petrit Gora, pa pasur buxhet të ndarë problemi me qentë endacakë nuk do zgjidhet.

Për dashamirësin e kafshëve zgjidhja me e mirë do ishte që përveç funksionimit të strehimores në nivel komune, qentë të vaksinohen, sterilizohen e pastaj të lëshohen sërish, përveç atyre që janë të sëmurë.

 

Ky artikull është prodhuar si pjesë e një projekti të bashkëpunimit të gazetarëve të të gjitha komuniteteve të Kosovës, i mbështetur nga Zyra e Përfaqësueses Speciale të Bashkimit Europian (PSBE) në Kosovë, i cili është implementuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Zyra e Kosovës.