Alan Tieger, prokori në gjyqin e Karaxhiçit. Foto: Flickr/ICTY

Prokurori i Karaxhiqit: Dënimet për Srebrenicën janë ‘një triumf i drejtësisë’

Me pothuajse 50 të pandehur të dënuar deri më tani me qindra vite burg për krime në Srebrenicë, përfshirë edhe dënimin e Radovan Karaxhiqit këtë vit, prokurori i Gjykatës së Hagës Alan Tieger është i kënaqur sidomos që janë dënuar autorë të rangut të lartë.

“Sfidat në hetimin dhe ndjekjen penale të gjenocidit ishin të mëdha”, tha për BIRN Alan Tieger, i cili ishte përgjegjës për rastin kundër Radovan Karaxhiq në gjykatën e OKB-së në Hagë, tha për BIRN para 24-vjetorit të masakrave në Srebrenicë të enjten.

“Në Srebrenicë pati një përpjekje për të fshehur krimet që kishin ndodhur brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohe, duke filluar nga gjuha e koduar ndërsa krimet po fshiheshin nëpërmjet rivarrosjes së trupave në vende që pritej se ata nuk do të gjendeshin kurrë. Nuk ishte përpjekja e parë për të fshehur krimet dhe eshtrat e viktimave, por shkalla e saj dhe koordinimi ishin të jashtëzakonshme “, shpjegoi Tieger.

Ish-lideri politik serb i Bosnjës Karaxhiq ishte një nga pesë personat, vendimet për të cilët janë dhënë pas gjyqeve për akuzat për krime në Srebrenicë që nga përvjetori i fundit i masakrave të vitit 1995, në të cilat më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjakë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës.

Në mars të këtij viti, gjykata e Hagës rriti dënimin për Karaxhiqin nga 40 vjet në burgim të përjetshëm. Përveçse fajtor për gjenocid, ai u dënua për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës në pjesë të tjera të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Tieger tha se “të gjithë rastet kundër komandantëve janë të vështira”, por se akuzat e Srebrenicës kundër Karaxhiqit mund të kishin qenë më të vështira për t’u ndjekur penalisht sesa ato kundër ish-shefit ushtarak serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç, i cili po gjykohet gjithashtu në Hagë.

“Në kontekstin e Srebrenicës, rasti i Karaxhiqit mund të jetë parë nga jashtë si më i vështiri nga të dy rastet sepse Mlladiç ishte fizikisht i pranishëm gjatë ngjarjeve, ndërsa Karaxhiqi kishte dhënë urdhra nga distanca,” shpjegoi Tieger.

“Provat e mëdha që zbulonin fiksimin dhe përgjegjësinë e Karaxhiqit për Srebrenicën – nga vendimi në Direktivën 7 (një vendim zyrtar serb i Bosnjës në mars 1995, të cilin Karaxhiqi e nënshkroi) për të ‘krijuar një situatë të padurueshme pasigurie totale pa shpresë për mbijetesë të mëtejshme apo jete për banorët e Srebrenicës dhe Zepës’ deri te provat për komandën dhe kontrollin e Karxhiqit të pasqyruara në të gjitha urdhrat dhe raportet deri te përpjekjet për të fshehur krimet – e bënë të pakuptimtë distancën e tij fizike nga Srebrenica,” shtoi ai.

Duke folur për provat që patën më shumë ndikim tek ai, Tieger veçoi një bisedë të përgjuar midis shefit të sigurisë të Shtabit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe komandantit të Korpusit të Drinës,  ku u kërkua vendosja e 15 deri në 30 burra, sepse atje kishte edhe “3,500 pako të tjera” që duhej të “shpërndaheshin”.

“Pakot” ishin boshnjakët e kapur nga Srebrenica të cilët duhej të vriteshin.

“Mohimi i gjenocidit duhet të marrë fund”

Gjykata e Hagës dhe gjykatat në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi kanë dënuar deri tani 47 persona me 704 vjet burg – plus katër dënime me burgim të përjetshëm, përfshirë Karaxhiqin – për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Srebrenicë.

Që nga përvjetori i vitit të kaluar i Srebrenicës, dhoma e apelit e gjykatës shtetërore të Bosnjës ka dënuar ish-komandantin e Batalionit të Gjashtë të Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ostoja Stanisiç, me pesë vjet burg për asistim në kryerjen e gjenocidit, duke reduktuar dënimin e tij fillestar me 11 vjet burg.

Gjykata përcaktoi se anëtarët e Batalionit të Gjashtë morën pjesë, nën mbikëqyrjen e të pandehurit, në marrjen dhe ruajtjen e disa qindra burrave të kapur, të cilët u mbajtën në ndërtesën e një shkolle në fshatin Petkovci në Zvornik më 14 dhe 15 korrik 1995. Më vonë, më shumë se 700 prej tyre u qëlluan për vdekje në një digë aty afër.

“I pandehuri angazhoi anëtarë të Batalionit të Gjashtë që të ruanin robërit para ndërtesës së shkollës, edhe pse ata padyshim u ruajtën edhe nga pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Serbe të Bosnjës,” tha kryetari i trupit gjykues Mirko Bozoviç.

“Dhoma ka përcaktuar gjithashtu se Stanisiç ishte në dijeni të planit për të vrarë, por nuk ka qenë e mundur të përcaktohet nëse edhe ai ndante të njëjtin qëllim gjenocidal me autorët e krimeve,” shtoi gjyqtari.

Përveç Karaxhiqit dhe Stanisiçit, që nga korriku i kaluar gjykata shtetërore e Bosnjës ka liruar nga akuzat dy të pandehur të akuzuar për gjenocid dhe krime të tjera të kryera në korrik të vitit 1995 – Goran Sariç dhe Milan Bogdanoviç.

Vendimi për lirimin nga akuzat të Sariçit, ish-komandanti i brigadës speciale të policisë serbe të Bosnjës, u konfirmua në nëntor të vitit të kaluar.

Në mars të këtij viti, dhoma e shkallës së parë e gjykatës shtetërore liroi nga akuzat Bogdanoviçin, komandantin e Togës së Gjashtë të njësive të policisë speciale serbe të Bosnjës, për krime kundër robërve boshnjakë nga Srebrenica në Konjevic Polje në komunën e Zvornikut.

“Prokuroria nuk ka vërtetuar se pjesëtarët e asaj toge morën pjesë në kapjen, shoqërimin dhe mundësimin e të tjerëve për t’i vrarë ata,” tha kryetarja e trupit gjykues Vesna Jesenkoviç.

Aktualisht janë në proces edhe katër raste të tjera që po zhvillohen në gjykatën shtetërore të Bosnjës kundër të pandehurve të akuzuar për krimet e kryera në Srebrenica.

Prezantimi i provave nga mbrojtja në rastin kundër pesë ish-oficerëve të policisë serbe të Bosnjës nga Bratunaci dhe Zvorniku – Miodrag Josipoviç, Branimir Tesiç, Dragomir Vasiç, Danilo Zoljiç dhe Radomir Pantiç – si dhe Srecko Acimoviç, ish-komandant i Batalionit të Dytë të Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, është në vazhdim e sipër.

Gjyqi i ish-komandantit të Brigadës së Vlasenicës të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Mile Kosoriç, dhe ish-policit ushtarak Momçilo Tesiç, është duke u zhvilluar. Në një rast të veçantë, gjyqi i Rade Gariç, një ish-anëtar i Brigadës së Vlasenicës, filloi në tetor të vitit të kaluar.

Gariç është i vetmi i pandehur që është akuzuar për krimet në Srebrenicë që nga 11 korriku i kaluar.

Ndërkohë, vendimi shkallës së dytë në rastin kundër Ratko Mlladiç, i cili fillimisht u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera nën një vendim të shkallës së parë në vitin 2017, pritet të jepet nga gjyqtarët e Hagës diku gjatë vitit të ardhshëm.

Sipas Tiegerit, vendimet e dhëna deri më tani për krimet në Srebrenicë përfaqësojnë “një triumf të drejtësisë”.

Prokurori i Hagës tha se kjo ishte një arritje sidomos e rëndësishme duke pasur parasysh faktin se një numër i madh i “autorëve të rangut të lartë janë dënuar për atë krim”.

Por ai u shpreh se që të arrihet më në fund drejtësia, mohimi i gjenocidit duhet të marrë fund.

“Të gjithë ne kemi përgjegjësinë për të ndihmuar në inokulimin e njerëzve kundër virusit të mohimit duke promovuar një kuptim të fakteve dhe duke mbështetur përpjekjet për t’i përcjellë historinë e vërtetë brezave të ardhshëm,” tha ai.