Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Poezia, teatri, lahuta e vallëzimi popullor nën petkun e pasurisë kombëtare - PAMJE
Nën vargjet e poezisë së poetes Vlora Ademi, të interpretuara nga aktorja Sheqerie Buçaj nisi nata e tretë e festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale “EtnoFest.”
Në orën poetike të festivalit u lexuan poezi për tokën dhe ujin nga poetët: Primo Shllaku, Halil Matoshi, Emin Emini, Naime Beqiraj, Dije Demiri Frangu, Vlora Ademi, Ilaz Hysaj, dhe Joan Lorin Sterian, shkrimtar regjisor dhe performues nga Bukureshti.
Përveç kësaj u promovuan edhe dy libra të shkrimtarëve Emin Emini dhe Halil Matoshi.
Poeti, Halil Matoshi tha që me librin “Gdhendje drite” ka tentuar të krijoj një manifest estetik që e ka çdo vepër arti.
“Për mua drita është e qenësishmja e artit. Duhet të gdhendet, t’i hiçen ato gëzhojat, teprimet, ato që e mbështjellin, ato anët jo fort të ndieshme. Dhe t’u gdhend mbërrin tek thelbi i dritës. Thelbi i dritës për mua është hyjnorja, që faktikisht nuk mund të thuhet, por jeton brenda poezisë” tha Matoshi.
Pas orës poetike të ftuarit patën rastin të shohin etno performancën nga valltaret e Ansamblit “Deçani”, të cilat performuan vallëzime të vjetra shqiptare.
Në mesin e të njëjtave valltare u kënduan këngë epike me lahutë e instrumente tjera të vjetra shqiptare nga Lumturie Nonaj nga Malësia e Madhe. Ky intepretim u përcjell edhe nga melodia e violinçelës të luajtur nga Gresa Broqi.
Pesë minuta larg nga shtëpia qendrore në Kukaj, në oborrin e një shtëpie të vjetër, u shfaq drama “Audienca e Vaclav Havelit” nga Jeton Neziraj dhe me regji të Agon Miftarit.
Regjisori, Agon Miftari tha që pret që kjo shfaqje do t’i hap dyert për në festivale e turne tjera.
“Shpresoj që gjithçka të shkoj nga e mira me pandeminë që të hapen rrugët dhe turnetë që i kemi ndërmend që t’i bëjmë që i bëjmë zakonisht me produksionet tona. Siç i kemi bërë me produksionin “Peer Gynti nga Kosova dhe Wiesbaden” ku kemi filluar duke marrë pjesë në EtnoFest e kemi vazhdu në Tiranë e Shkup e tjera e tjera e festivale tjera evropiane” tha Miftari.
Nata e tretë e këtij festivali mbaroi nën muzikën e artistit nga Shqipëria, Altin Tila.