Tahir e Beqir Krasniqi, të mbijetuar të masakrvs në Pastasel të Rahovecit. Foto: BIRN

Përroi i vdekjes në Pastasel

Dy dekada pasi forcat serbe vranë 106 shqiptarë të Kosovës në fshatin Pastasel, dy burra që mbijetuan risjellin në mendje se si filluan ekzekutimet, si u masakruan të afërmit e tyre dhe si ata arritën të largoheshin.

 

Fusha pranë përroit në qendër të fshatit Pastasel është mbushur me shkurre gjatë kalimit të viteve.

Por gjatë ditëve të fundit, Tahir Krasniqi ka menduar vazhdimisht të marrë një sëpatë dhe të presë degët e mprehta të këtyre shkurreve, për të pastruar vendin ku dy dekada më parë ai dhe 118 civilë të tjerë u dërguan për t’u vrarë.

Pasditen e 31 marsit 1999, forcat ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe rrethuan këtë fshat prej rreth 100 shtëpish në komunën e Rahovecit, i cili në javët e mëparshme e kishte dyfishuar popullsinë e tij pasi shumë njerëz të zhvendosur nga fshatra të tjerë nga lufta kishin ardhur për t’u strehuar atje.

Pasi hodhën granata për një orë me radhë, forcat serbe mblodhën banorët vendas në fushë dhe i ndanë burrat nga gratë. Grave iu kërkua të largoheshin nga fshati.

“Kur radha e grave dhe e fëmijëve u nisën drejt Gjakovës, ata filluan të na rrihnin. Një person, Isuf Nushi, u plagos nga granatat dhe ata ia prenë trupin me thika,” tha Tahir Krasniqi për BIRN. Një total prej 119 burrash u ndanë në katër grupe.

“Grupi i parë përbëhej nga fëmijë nga 13 deri në 17 vjeç. Ata i shtynë ata të ecnin rreth 30 metra larg nesh dhe i ekzekutuan. E njëjta gjë ndodhi edhe me grupin e dytë. Unë isha në grupin e tretë. Kishte rreth 20 ushtarë me mitraloza që qëllonin,” kujton Krasniqi.

Varrezat e civilëve të vrarë në masakreën e pastaselit. Foto: BIRN

Gjëja e fundit që Krasniqi, tani 75 vjeç, mban mend është momenti kur u përpoq të shmangte një ferrë që ishte afër fytyrës së tij, teksa ekzekutuesit po përgatiteshin të vepronin.

Ai nuk mban mend kur dy plumba e qëlluan atë në kofshën e majtë, ose kur grupi i katërt i fshatarëve u qëllua me armë.

“Nuk e di nëse humba ndjenjat apo isha në një botë tjetër. Mbaj mend vetëm rrjedhën e ujit në lumë, kur gjysma e trupit tim kishte rënë në të dhe trupat e tjerë përreth meje. Ishte natë,” tha ai.

Ai tha se qëndroi atje për disa orë pa lëvizur në lumë, sepse një shtëpi aty afër po digjej dhe ndriçonte të gjithë zonën përreth.

“Në një moment u zgjova dhe eca mbi trupat e vdekur. Fytyra e fundit që më kujtohet ishte ajo e 17-vjeçarit Zaim, i cili erdhi nga një fshat tjetër dhe u strehua në shtëpinë time,” tha ai.

Duke lëvizur nëpër ujë, ai pa dy nga të afërmit e tij që ia kishin mbathur dhe po ecnin përgjatë lumit. Më vonë, ai pa se 13 njerëz kishin mbijetuar. Të gjithë ishin të plagosur.

“Ecëm gjithë natën përmes lumit dhe maleve derisa arritëm në fshatin fqinj të Polluzhes. Vetëm atëherë pashë se dy plumba më kishin plagosur. Deri në atë moment, nuk i ndjeva,” tha ai.

Gjaku rrjedh në përrua

Tahir Krasniqi, i mbijetuar i masakës së Pastaselit. Foto: BIRN

Beqir Krasniqi, 79 vjeç, një tjetër i mbijetuar i masakrës, ishte në grupin e katërt, i fundit që u shënua të vdiste.

Ai tha se gjithçka mbaroi brenda një ore.

“Ishte ora 17:02 kur filloi tmerri. Vëllai im, Pajaziti, ishte atje. Ai ishte 45 vjeç. E pashë kur ai ra përtokë. Pashë edhe të afërmit e mi të tjerë kur u vranë në grupin e tretë. Ishte ende ditë,” tha Beqir Krasniqi.

Ai kujtoi se, kur iu afrua vendit të ekzekutimit, pa një grumbull trupash të vdekur. “Pashë gjak ngado, teksa rridhte për t’u bashkuar me ujin e lumit. Pastaj u shkrepën plumbat,” tha ai.

Ishte një britmë nga një viktimë e plagosur ajo që e solli në vete Beqirin.

“Ishte fqinji ynë Murtezani. Pastaj u zvarritëm nëpër lum dhe pamë Tahirin dhe të tjerët që kishin mbijetuar. Pastaj pashë forcat serbe të largoheshin nga fshati, i cili po digjej i gjithë,” tha ai.

Një ditë më pas, Tahir Krasniqi u kthye në fshat së bashku me disa vendas të tjerë për të varrosur trupat.

“Filluam të mblidhnim trupa dhe të hapnim varre. Për t’i identifikuar më mirë më vonë, i shënuam emrat e tyre nëpër rripat e mesit dhe në dërrasat prej druri të secilit varr,” tha ai.

“Disa prej tyre ishin djegur kështu që nuk mund t’i identifikonim dot. Trupat i mbështollëm me batanije dhe çarçafë najloni të dhuruar nga organizatat humanitare për shtëpitë të cilat u dogjën në vitin 1998,” shtoi ai.

Gjatë tre ditëve në vazhdim, ata i varrosën të gjithë viktimat në fshehtësi, sepse forcat serbe kishin hyrë disa herë në fshat dhe kishin hapur zjarr ndaj njerëzve që po varrosnin të vdekurit.

Tahir Krasniqi i mban mend shumë mirë ato tri ditë me shi dhe erë në prill 1999, duke pritur momentin kur forcat serbe do të largoheshin nga fshati, në mënyrë që vendasit të vazhdonin me varrosjet.

“Disa prej tyre ngelën në gropat e hapura dhe uji i shiut i mbuloi ata, pa pasur mundësi t’i mbulonim me dhe,” tha ai.

Trupat zhvarrosen dhe fshihen

Beqir Krasniqi, i mbijetuar i masakës së Pastaselit. Foto: BIRN

Pajazit Krasniqi, një banor tjetër i Pastaselit, i cili gjithashtu humbi 20 të afërm, ka mbledhur prova për masakrën dhe viktimat përgjatë viteve dhe i ka vendosur të gjitha në një libër.

Ai tha se disa prej trupave u dogjën në një rimorkio traktori pasi u vranë: “Katër nga gjashtë prej tyre ishin fëmijë. Më i riu ishte 13 vjeç,” tha ai për BIRN.

Më 21 prill, forcat serbe u kthyen në Pastasel dhe i morën të 106 trupat me një ekskavator mekanik.

“Ata u ngarkuan në një kamion civil dhe u dërguan në drejtim të Rahovecit,” tha Pajazit Krasniqi.

Në qershor 1999, eshtrat e personave të vrarë në Pastasel u gjetën në tre varre masive në Rahovec, Prizren dhe Suharekë. Tetë trupa nuk janë gjetur kurrë.

Maliq Fetahu nga fshati fqinj i Gurit të Kuq humbi babanë dhe nipin e tij në masakër pasi kishin kërkuar strehim në Pastasel.

Ai tha se vetëm disa muaj më parë, ai gjeti tre eshtra të babait të tij që rezultonte i zhdukur që atëherë.

“Pritëm 20 vjet për trupat. Sa kohë duhet të presim që të shohim drejtësi?” pyeti ai.

Tahir e Beqir Krasniqi, të mbijetuar të masakrvs në Pastasel të Rahovecit. Foto: BIRN

Babai i tij, Salihu, ishte 83 vjeç, ndërsa nipi i tij Blerimi ishte vetëm 13 vjeç.

Në vitin 2009, Beqir Krasniqi doli si dëshmitar në gjyqin e zyrtarëve serbë Vladimir Lazareviq, Vlastimir Gjorgjeviq, Nebojsa Pavkoviq dhe Sreten Lukiq në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Ish-gjeneralët e Ushtrisë Jugosllave Pavkoviq dhe Lazareviq, ish-gjenerali serb i policisë Lukiq dhe ish-zv/ministri i brendshëm serb Gjorgjeviq u shpallën fajtorë për përgjegjësinë për vrasjen, dëbimin dhe trajtimin çnjerëzor të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999, përfshirë masakrën në Pastasel.

Lazareviq u dënua me 14 vjet burg dhe që atëherë është liruar. Pavkoviq u dënua me 22 vjet burg, Lukiq 20 vjet dhe Gjorgjeviq 18 vjet burg.

Beqiri u shpreh se dënimet që u dhanë nuk ofruan drejtësi për viktimat: “Më e pakta që ata meritojnë është dënimi me burgim të përjetshëm,” tha ai.

Të dielën, u mbajt një përkujtimore në Pastasel për të shënuar 20 vjetorin e masakrës.

Duke iu drejtuar familjeve të viktimave, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latfi, tha se ishte një nga tragjeditë më të mëdha të luftës në Kosovë.

“Njëqind e gjashtë vetë u rreshtuan dhe u ekzekutuan me gjakftohtësinë më të madhe, me një urdhër dhe një komandë. Më pas u rivarrosën me qëllim që të shkatërroheshin gjurmët e një krimi që kurrë nuk mund të fshihej. Me këtë, serbët kryen një krim të dyfishtë,” tha Latifi.

Latifi gjithashtu u ankua për faktin se autorët e drejtpërdrejtë të vrasjeve mbeten të lirë.

Njëzet vjet më pas, Tahir Krasniqi tha se ai dhe Beqir Krasniqi janë të vetmit të mbijetuar që janë ende gjallë.

“Të gjithë të mbijetuarit e tjerë kanë vdekur. Por dua të dëshmoj në gjykatë para se të vdes,” tha Tahir Krasniqi.

Por pastaj ai shtoi: “Kam frikë se nuk do ta shoh dot atë ditë.”

P)llaka përkujtimore e viktimave të masakrvs në Pastasel. Foto: BIRN