Një mural i DokuFest në Prizren, Kosovë. Foto: Diellza Berisha/BIRN

Përkundër sfondit të zymtë global, Dokufesti përsiat 'Si të mbijetosh?'

Festivali i filmit ‘Dokufest’ është bërë një mjet shpëtimi për shumë njerëz në qytetin e Prizrenit. Në vitin 2022, në një sfond lufte, pandemie dhe ndryshimesh klimatike, festivali bëri pyetje ekzistenciale rreth mbijetesës.

Dita e punës për Bashkim Çavën fillon në orën 5 të mbrëmjes, pranë lumit Lumbardh në Prizren, në qoshen e tij të vogël në të cilën çdo ditë pjekë misër.

Ai nuk është vetëm; përgjatë lumit, tregtarët e lodhur ofrojnë mallra të gdhendura prej druri, gjerdan të punuar me dorë, tatuazhe, petulla, libra të vjetër, vepra arti dhe lodra për fëmijë. Dhe ky është sezoni kulmor për ta – një dritare dyjavore në gusht kur dhjetëra mijëra të huaj dhe vendas dynden në Prizren për festivalin e njohur ndërkombëtar të filmit, Dokufest.

Gjashtëdhjetë e tetë vjeçari Çava do të punojë deri në orën 23:00, duke u përpjekur të fitojë para të mjaftueshme për të blerë ilaçet që i nevojiten gruas së tij për të trajtuar kancerin, ndërsa pjesëmarrësit e festivalit nxitojnë të emocionuar nëpër qytet, me bileta dhe suvenire në dorë.

Një copë misër i pjekur i Çavës kushton një euro. Ai shet deri në 50 në ditë gjatë Dokufestit, por mezi 10 copë në ditët e tjera.

“Shumë zor është me u marrë ne këtë kohë me shtalba se edhe nxehtësia prej jashtë edhe prej këtu. Aq nxehtë sa që as buka nuk të hahet veç ujë se ndryshe mushkëritë të kallen. Unë kam ra në gajle shumë se të shoqen e kam me kancer e barnat nuk po mundem me ia siguru se ka hy në 5 operacione.”

Gjendja e Çavas flet për temën e Dokufestit të këtij viti, i cili përfundon të shtunën – “Si të mbijetosh?”

I rikthyer i plotë pas një viti funksionimi vetëm në internet dhe një tjetër në modalitetin hibrid për shkak të pandemisë COVID-19, Dokufest 2022 ka pritur 250 dokumentarë dhe filma të shkurtër, ekspozita, seminare dhe biseda, të gjitha të mbajtura në sfondin e luftës në Ukrainë, ndryshimeve klimatike dhe pandemisë COVID-19.

“Tema ‘Si të mbijetosh?’ erdhi si rezultat i shumë ngjarjeve në botë, duke filluar nga pandemia COVID-19 dhe pasojat e saj në nivel global, lufta në Ukrainë, rritja e efekteve të ngrohjes globale, rritje e ideologjive të djathta në Evropë, Amerikë dhe Azi etj” – tha bashkëthemeluesi i DokuFest, Veton Nurkollari.

Një përgjigje përfundimtare nuk ka gjasa, por, tha Nurkollari për BIRN, “ne ishim dhe vazhdojmë të shqetësohemi për të gjitha këto dhe menduam ta vendosnim temën e festivalit në formën e një pyetjeje, duke shpresuar në një përgjigje nga filmat, kineastët, vizitorët dhe të gjithë ata që në një formë apo në një tjetër janë aty në festival.”

Nxitje ekonomike

Besnik Çava në këndin e tij të pjekjes së misrit gjatë javës së DokuFest, 10 gusht 2022. Foto: Antigonë Isufi/ BIRN

Nga fillimet modeste në vitin 2002, Dokufest është bërë ngjarja më e madhe kulturore në Kosovë, duke sjellë vizitorë dhe para shumë të nevojshme në këtë qytet simpatik në rrëzë të maleve të Sharrit, dikur një qendër tregtare e begatë në ditët e Perandorisë Osmane.

Stafi në kafenetë e qytetit të vjetër të Prizrenit thotë se qarkullimi rritet me afërsisht 20 për qind gjatë festivalit.

Edi Hamza, një mësues arti në një shkollë lokale, ka vendosur një tavolinë dhe figura tatuazhesh në trotuar, vend në të cilin ai punon me artit e tatuazheve. Ai thotë se biznesi i tij rritet me 30 për qind gjatë Dokufestit.

“Të huajt e dinë vlerën e artit dhe paguajnë më shumë; nuk kanë probleme me çmimet. Kam vënë re një rritje të klientëve këto ditë” – tha ai.

Në mesin e të huajve ishin Sia nga Mauritius dhe Lela nga Kanadaja, të cilët po vizitonin shoqen e tyre kosovare Lurën dhe vendosën të merrnin pjesë në Dokufest. “Jam shumë e emocionuar për filmat” – tha Sia.

Më afër shtëpisë, Arsild Tepelia tha se po vizitonte Dokufestin për herë të katërt nga vendlindja e tij, Shqipëria, duke vlerësuar “transformimin e Prizrenit” gjatë festivalit. “Zgjedhja e filmit është shumë e mirë si dhe ngjarjet kulturore dhe dinamika” – tha Tepelia për BIRN.

Sipas Nurkollarit, rreth 60,000 njerëz vizitojnë në Prizren gjatë Dokufestit.

Në një raport të Institutit GAP të vitit 2015, ndikimi vjetor ekonomik i festivalit në Prizren vlerësohej në mbi 4.7 milionë euro.

Brenda, jashtë?

Bashkëthemeluesi i DokuFest, Veton Nurkollari, para zyrave të DokuFest në Prizren. Foto: BIRN

Pjesë e hijeshisë së Dokufestit ka qenë përdorimi i ekraneve të jashtme, të vendosura në rrugët e ngushta të qytetit të vjetër të Prizrenit. Megjithatë, disa shitës ambulantë u ankuan se këtë vit disa shfaqje ishin zhvendosur në qendrën tregtare private Abi Çarshia, duke i privuar ata nga përfitimet.

Nurkollari sqaroi se dy nga kinematë e festivalit ishin zhvendosur në Abi Carshia nën një partneritet të ri me zinxhirin e kinemasë Cinemarine.

“Besoj se kjo është pritur mirë nga qytetarët dhe dashamirët e filmit sepse kinematë në Cinemarine janë moderne dhe me të gjitha kushtet e nevojshme për shfaqje cilësore” – tha ai.

Jeton Ramadani, një përcjellës i rregullt i Dokufestit nga Prishtina, tha se ai preferonte kinematë e jashtme, por shiu e kishte detyruar atë dhe miqtë e tij të shikonin disa filma edhe në ambiente të mbyllura.

“Filmat trajtojnë tema aktuale që prekin botën sot, si ngrohja globale për shembull, që prekin secilin prej nesh” – tha ai për BIRN.

Duke mësuar nga e kaluara

Një nga animacionet e realizuara nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë në DokuFest në shtëpinë Shani Efendi pranë kinemasë Lumbardhi. Foto: BIRN

Ndër shikueset e para të këtij edicioni ishin Aleksandra Vusurovic dhe Rada Aleksic nga festivali ndërkombëtar i filmit Beldocs në Serbi.

“Ne kemi dashur të vijmë prej vitesh” – tha Vusurovic.

Në mënyrë të pashmangshme, çështja e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, mes shteteve të tyre dhe trashëgimia e luftës së Kosovës 1998-99 janë tema të përhershme të Dokufestit.

Festivali prezantoi një ekspozitë multimediale nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, FDH, duke përfshirë animacione të shkurtra, ilustrime dhe raporte mbi luftën.

Koordinatorja e FDH-së, Vesa Qena, tha që qëllimi është që të “njohë të kaluarën për një të ardhme paqësore”.

Vizitorët kanë mundësinë të shikojnë gjashtë animacione që tregojnë “ngjarje tragjike” të ndryshme të luftës, tha Qena për BIRN. Vizitorët mund të shohin dy ekspozita virtuale: “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, kushtuar 1,133 fëmijëve që humbën jetën dhe/ose u zhdukën, si dhe ekspozitën “Më i mirë varri se sesa mos me ditë” – në kujtim të 1,620 personave të zhdukur.”

Një ekspozitë tjetër, “Si të shoh ty?”, paraqet 14 të rinj nga Kosova dhe Serbia që përballen me njëri-tjetrin mbi sfidat dhe supozimet sociale të bazuara në narrativat e krijuara nga përhapja e propagandës dhe lajmeve të rreme në të dy vendet. Të premten do të mbahet një diskutim mbi rolin e kineastëve në dokumentimin e krimeve të luftës.