Parku Arkeologjk 'Ulpiana'

Parku Arkeologjik “Ulpiana”, një thesar antik brenda Kosovës

Dëshmi të jetesës antike ilire e  romake shtrihen në një zonë të thatë afër kryeqytetit të Kosovës.

Parku i parë dhe i vetëm arkeologjik në Kosovë , i quajtur ‘Ulpiana’, është themeluar në vitin 2016 dhe  gjendet vetëm 12 kilometra larg Prishtinës.

Ky park i cili dikur ka qenë qytet me emrin Ulpiana, sipas arkeologëve  ka qenë i banuar qysh në periudhat e hershme antike  të njohur si Epoka e Gurit, e deri në periudhën e  sundimit  romak.

Banjo publike romake, bazilikë paleokristiane e gjurmë të tjera të antikitetit gjenden në rreth 161 hektarë hapësirë në Graçanicë.

Ky vend është në mbrojtje të përhershme ligjore, megjithëse  zgjerimi i kërkimit arkeologjik ka stagnuar si pasojë e problemeve buxhetore.

Qendra e parkut të  sotëm gjendet pikërisht në kryqëzimin e rrugëve që lidhte detin Adriatik me detin Egje ndërsa konsiderohet të ketë qenë njëra nga qendrat komunikuese në mes të Konstandinopojës dhe Romës.

Megjithë interesin që ky vend zgjon për ekspertë të arkeologjisë dhe mijëra vizitorë të tjerë, zona nuk është promovuar  dhe zhvilluar mjaftueshëm për një pikë turistike.

Në park mungon ciceroni, ndriçimi dhe zhvillimi i zonës përreth. Edhe punëtorët e tanishëm ankohen për kushtet e punës atje.

Si të shkohet deri te ky park?

Parku Ulpiana gjendet rreth 12 kilometra në jug-lindje të Prishtinës, e pozicionuar në tokat që sot i takojnë fshatrave të komunës së Graçanicës, fshatrave  Llaplla Sellës dhe lagjes Hajvalia në Prishtinë.

Rruga deri te parku është e asfaltuar  dhe lehtë e qasshme me veturë. Transporti publik deri në këtë lokacion mungon.

Brenda Graçanicës, tek busti i Car Lazarit, gjendet tabela e cila tregon rrugën për tek parku, ndërsa nga Prishtina shkohet deri 30 minuta me makinë.

Parku ‘Ulpiana’ është i hapur nga e hëna deri të premten, nga ora 09:30 deri në 15:30, si dhe të shtunën nga ora 10:00 deri në ora 14:00.

Të dielen, parku është i mbyllur për  vizitorë.

Çfarë shihet brenda parkut?

Ky  Park Arkeologjik përfshin qytetin e lashtë  të fortifikuar të Ulpianës prej rreth 120 hektarë, ku përbëhet nga tre sektorë.

Sektori i parë përfshin Portën Veriore, e cila ishte hyrja kryesore për në qytet, pjesë të ruajtura të rrugës, kanali për shkarkimin e ujërave, banjo publike romake, tempulli pagan dhe një bazilikë paleokristiane të fortifikuar.

Sektori i dytë i Parkut përfshin ‘Nekropolin Verior’ i cili ishte jashtë mureve fortifikuese të qytetit antik, në të cilin gjendeshin varrezat kryesore, që i përkasin kohës së sundimit romak dhe antikitetit të vonë.

Ndërsa në  sektorin e tretë të Parkut gjendet rruga kryesore që e lidh portën lindore me atë perëndimore. Në këtë sektor ishte i ndërtuar një kompleks i veçantë banimi me përmasa të mëdha që ngjason me vilë luksoze brenda qytetit antik dhe mendohet se ka qenë selia e kryepeshkopit të Ulpianës.

E gjithë zona ku gjendet  ky Park, është një zonë me mjedis shumë të pastër dhe të mirmbajtur.

Burimi Parku Arkologjik IAP

Për  mirëmbajtjen e parkut kujdesen pesë  punëtorë, tre  të nacionalitetit shqiptar dhe dy serb.

Punëtorit i këtij Parku, Bajram Vitia thotë se kanë probleme me mënyrën se si kujdeset shteti për parkun ndërsa shprehu pakënaqësi edhe me mënyrën e pagesës.

“Këtu punoj që disa vjet dhe prej se është shpallë Park Arekologjik, askush nuk është përkujdes më për këtë vend. Ka mungesë ndriqimi natën, nuk ka as ciceron,  pagat nuk i marrim me rregull dhe vetëm pse jemi banorë të kësaj zone, po vazhdojmë të punojmë ende këtu”, ka thënë Vitia.

Akomodimi dhe ushqimi përreth parkut

Meqë zona e parkut të Ulpianës konsiderohet e hapur për eksplorim të metejmë arkeologjik, përreth saj nuk ka investime komerciale.

Afër apo për rreth ‘Ulpianës’ nuk gjendet asnjë restaurant apo lokal ku vizitorët mund të ushqehen apo pushojnë, ndërsa bizneset që veprojnë më së afërti Parkut, gjenden në Graçanicë, e që është rreth 5 minuta larg me makinë.

Zonë studimi për arkeologë dhe historianë

Qyteti antik Ulpiana në 60 vitet e fundit është shndërruar në një zonë studimi për arkeologë vendorë e ndërkombëtarë, ku janë gjetur monumente të ndryshme, duke përfshirë një bazilikë peshkopale me pagëzimore paleokristiane, një bazilikë të fortifikuar, një kala romake, tempull pagan si dhe fragmente të artefakteve e strukturave të lashta.

Vitin e kaluar, punimet apo eksplorimet e mëtejme në zonën e parkut arkeologjik u ndërprenë për shkak të problemeve të ndarjes buxhetore për  Institutin Arkeologjik të Kosovës.

Që nga qershori i vitit 2018, IAK-së i është ndalur buxheti dhe llogaria e tij është mbyllur, duke lënë pa para këtë institucion, i cili dhe nuk ka pasur mundësi të shlyej obligimet financiare për projekte dhe duke vonuar pagesat për më se dy javë për punëtorët e angazhuar në projektet e këtij institucioni.

Bllokimi i buxhetit ka sjellë edhe ndërprerjen e punimeve në këtë park deri sa të sqarohet mënyra e financimit të projekteve.

Këtë park në vitin 2018 e kanë vizituar rreth 33 mijë persona, ndërsa vetëm në muajin qershor të këtij viti sipas punëtorëve ka pasur rreth  5 mijë e 800 vizitorë, prej të cilëve vendas dhe të huaj.